Dënimet 2016: ’Ledhatimi’ i Korrupsionit!

Megjithëse togfjalëshi “luftimi i korrupsionit”, është refreni më i shpeshtë që përsëritet më së shumti nga përgjegjësit e institucioneve të drejtësisë, e po ashtu është dukuria  që kërkohet të luftohet nga qytetarët, politikanët vendorë e ndërkombëtarë, prej dënimeve të shqiptura nga gjykatat në 2016 shihet se dënimet më të larta nuk u shqiptuan për këtë gjë.

Gjatë 2016-ës veprat penale të terrorizmit dhe ato të vrasjeve tërheqin pas  pjesën më të madhe të dënimeve që shqiptuan në emër të popullit.

Dhjetëra vite burg u dhanë edhe për veprat penale të krimeve të luftës.

Dënimet për korrupsion ishin të pakta dhe gjithashtu të zbehta karshi peshës së kësaj vepreje dhedëmit që kjo dukuri po i shkakton Kosovës duke dëmtuar buxhetin, duke trembur investitorët e huaj dhe duke penguar proceset integruese të vendit.

128 vjet e 9 muaj burgim u shqiptuan vetëm gjatë vitit 2016 ndaj 22 të akuzuarve për vepra të natyrës terroriste në 4 raste të ndryshme.

Në rastin e njohur si Badovci, ku pesë persona akuzoheshin për përgatitje të sulmeve terroriste, u shqiptuan 49 vjet e 3 muaj burg.

http://kallxo.com/denohet-grupi-badovcit/

Edhe rasti tjetër ku i akuzuar për rekrutim për terrorizëm ishte ish-imami i xhamisë “El-Kudus”, në Gjilan  Zeqirja Qazimi, përfundoi me aktgjykim fajësues. 42 vjet e 6 muaj burg u shqiptuan ndaj 6 personave e dënimi më i lartë prej 10 vjetësh në këtë proces gjyqësor iu dha Zeqirja Qazimit.

http://kallxo.com/denohet-zeqirja-qazimi/

Në rastin tjetër ku të akuzuar për pjesëmarrje në grupe terroriste ishin 9 persona, u shqiptuan 32 vjet e 6 muaj burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Këta të akuzuar bënin pjesë në grupin prej 40 të arrestuarve për terrorizëm në aksionin e Policisë së Kosovës verën e vitit 2014.

http://kallxo.com/shpallen-fajtore-9-te-akuzuar-per-terrorizem/

Për përgatitje të sulmeve terroriste u dënua edhe Slobodan Gavriq të cilit iu gjet eksploziv në makinën që drejtonte. Gavriqit iu dha një dënim proporcional me sasisë e eksplozivëve që ju gjetën-13 vjet për 13 kilogramë. Gjykata e Apelit pastaj ia zvogëloi dënimin për dy vjet.

http://kallxo.com/slobodan-gavriqit-zbutet-denimi/

54 vjet burg iu shqiptuan 11 personave, ndër ta edhe dy kryetarëve të komunave dhe një ish-ambasadori të akuzuar për krime të luftës në rastet e njohura si “Drenica 1” dhe “Drenica 2”. Këto dënime u vërtetuan edhe nga Gjykata e Apelit.

Dënimi më i lartë-10 vjet burg nga Gjykata e Apelit iu dha ish-ambasadorit të Republikës së Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimit për dy proceset “Drenica 1 dhe 2”.

Gjykata e Apelit me 7 vjet burg dënoi edhe kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtakun për përgjegjësi komanduese. Lushtaku më parë nga Gjykata në Mitrovicë ishte dënuar me 12 vjet burg për një vrasje të kryer gjatë kohës së luftës.

http://kallxo.com/apeli-denon-sami-lushtakun-dhe-sylejman-selimin/

Dënim më të ulët se kolegu të tij Lushtaku, iu shqiptua ish- kryetarit të Drenasit Nexhat Demaku që u dënua me 3 vjet burg, ndërsa Fadil Demaku, deputet i Kuvendit të Kosovës dorëzoi mandatin e tij pasi Apeli ia vërtetoi dënimin prej 3 vjetësh.

http://kallxo.com/apeli-konfirmon-denimet-ne-rastin-drenica-2/

Me 8 vjet  burg u dënua edhe Xhemshit Krasniqi,  i akuzuar për krime të luftës. Sikurse në rastet “Drenica 1” dhe “Drenica 2”, edhe këtë dënim e dha një trup gjykues me shumicë të gjyqtarëve të EULEX-it.

http://kallxo.com/xhemshit-krasniqi-denohet-per-krime-lufte/

Me burgim nga gjykata u dënua edhe Oliver Ivanoviq. Atij Gjykata Themelore në Mitrovicë ia shqiptoi 9 vjet burg për krime ndaj civilëve gjatë luftës.

http://kallxo.com/sot-vendimi-per-oliver-ivanoviqin/

Dënime pati edhe për krime tjera. 37 vjet burg iu dhanë Enver Sekiraqës, të akuzuarit për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës. Mbrojtja e Sekiraqës pastaj iu drejtua Gjykatës së Apelit, e pakënaqur me vendimin.

http://kallxo.com/denohet-enver-sekiraqa/

Për një vrasje të kryer në Skenderaj, në gusht të vitit 2016 u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg Gani Geci, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

http://kallxo.com/denohet-me-burg-gani-geci/

Raste të Mëdha, Dënime të Vogla

Ndryshe nga rastet që i përmendem më lart për të cilat u shqiptuan gati 2 shekuj burg, situatë diametralisht e kundërt ishte në rastet e natyrës korruptive.

Përderisa terrorizmi dhe krimet e luftës u ndëshkuan, gjykatat në Kosovë nuk arritën që premtimin për luftim të korrupsionit ta zbatojnë në aktgjykimet e tyre.

Megjithëse sipas natyrës rastet e korrupsionit janë më të vështira për t’u vërtetuar, shumëkush do të mund të pajtohej se aktakuzat për korrupsion në Kosovë nuk janë prej më cilësoreve.

Raste që e argumentojnë këtë janë shpallja e pafajshme e ish-kryeprokurores së Gjakovës Shpresa Bakija dhe lirimi nga ndjekja penale e kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri.

Të dyja këto raste kishin një të përbashkët-aktakuzat u hodhën poshtë qysh në shqyrtimin e dytë nga Gjykata Themelore në Gjilan.

http://kallxo.com/e-pafajshme-shpresa-bakija/

http://kallxo.com/avokati-mirepret-hedhjen-poshte-te-aktakuzes-ndaj-hazirit/

Pafajësinë e tij në disa raste e fitoi edhe Nuhi Uka. Fillimisht ish- kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës u lirua nga akuza në rastin e pronave ku ai ishte i dënuar me dy vjet burg për keqpërdorim të tokave të ish-ndërmarrjes shoqërore NBI “ Kosova Export”.

http://kallxo.com/apeli-verteton-pafajesine-e-nuhi-ukes/

Uka pafajsinë e tij e fitoi edhe në procesin gjyqësor ku akuzohej për mashtrim e krim të organizuar. Megjithatë Uka nuk ka përfunduar punët e tij me drejtësinë dhe gjykatat.

http://kallxo.com/lirohet-nuhi-uka/

Nuhi Uka dhe ish-deputeti i Partisë Demokarike të Kosovë, Azem Syla  janë pjesë e dy aktakuza me 39 persona për krim të organizuar në rastin e njohur si “Toka”. Rasti është në fazën fillestare.

http://kallxo.com/azem-syla-deklarohet-i-pafajshem/

Rast tjetër që bëri bujë të madhe ishte edhe aktakuza ndaj Ferid Aganit, ish-ministër i shëndetësisë dhe 50 persona të tjetër në rastin “Stenta”. Rasti është në fazën fillestare, ndërsa mediat u përjashtuan nga seanca e këtij rasti nën arsyetimin se s’kishte vend.

http://kallxo.com/probleme-provat-ne-rastin-stenta/

Përveç ish-ministrit Agani, me gjykatën u përballën edhe ish-ministrat e kulturës, Valton Beqiri e Astrit Haraqija. Ata brenda vitit u dënuan, u rigjykuan e u dënuan përsëri nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërsa gjithmonë për tas dënimet u shqiptuan me kusht.

http://kallxo.com/ish-ministrat-perseri-denohen-kusht/

Enver Hasani po ashtu gjatë këtij viti disa herë u paraqit në gjykatë, por asnjëri nga dy rastet e ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese nuk morri epilogun e tij.

Aktakuza, dënime e procese gjyqësore pati edhe ndaj atyre që do të duhej të ishin në “vijën e parë të frontit” për luftimin e krimit.

Ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit Salih Mekaj filloi procesi gjyqësor nën akuzën për keqpërdorim të detyrës. Gjykimi i tij u mbyll për media në të gjitha fazat e procedurës.

http://kallxo.com/mbyllen-seancat-ndaj-sali-mekajt/

Pa u akuzuar e dënuar nuk mbetën as prokurorët. Prokurori  Bajram Hamitaga nga Prizreni përfundoi me aktakuzë ndaj tij, ndërsa prokurori Visar Musa dha dorëheqje pasi që emisioni “Drejtësia në Kosovë”, zbuloi se ai drekoi me një të akuzuar.

http://kallxo.com/prokurori-hamitaga-deklarohet-pafajshem/

http://kallxo.com/jep-doreheqje-prokurori-qe-drekoi-te-akuzuarin/

Përderisa gjykimi në rastin e Hamitagës është në fazën fillestare,procesi gjyqësor ndaj një prokuroreje ka përfunduar dhe ajo është dërguar në vuajtje të dënimit.

Prokurorja nga Mitrovia Vahide Badivuku u dënua me 3 vjet burg nën akuzën e marrjes së ryshfetit.

http://kallxo.com/denim-burg-per-prokuroren-vahide-badivuku/

Dërgimi në burg i prokurores Badivuku është një prej rasteve të rralla kur një i dënuar për vepra të natyrës korruptive shkon prapa grilave.DNë vitin 2016 ndonëse pati shumë procese gjyqësore që bënë bujë e dhuruan spektakël medial, shumica e tyre epilogun dënues e patën shumë të pakët dhe të zbehtë.

Aq pa rezultat ishte lufta ndaj korrupsionit saqë shumë kush filloi ta mohojë e minimizojë ekzistencën e tij duke e konsideruar si perceptim,ndërsa perceptim mbeti vetëm luftimi i kësaj dukurie që në fjalën hyrëse në tij në rastin MTPT ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve, prokurori Charles Hardaway e quajti kancer të shoqërisë kosovare.