Autostradë njëmiliardëshe: rrugë të shpejta me qytetarë të varfër

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, konfirmoi të enjten e kaluar në një intervistë televizive se një autostradë e re me gjatësi 91 kilometra, e quajtur Autostrada e Dukagjinit, do të fillojë së ndërtuari në tetor të këtij viti. Autostradë kjo e cila do të bëjë të mundur një lidhje rrugësh prej Istogut deri në Prizren.

Megjithëse detajet e projektit do të bëhen të ditura tek në muajin gusht dhe procesi i tenderimit nuk do të përfundojë deri në tetor, ministri ka deklaruar se tashmë e di që projekti do të kushtojë rreth 560 milionë euro – duke mos përfshirë këtu koston e shpronësimit të tokës dhe zhvendosjes së shumë pronarëve të shtëpive të cilët janë bërë pengesë e rrugës së propozuar për autostradë.

Sipas Lekajt, 40 për qind e autostradës 91 kilometërshe të propozuar aktualisht është e vendosur në tokë që është në pronësi private, duke rezultuar në një kosto tepër të madhe shtesë për shpronësimin e saj.

Zyrtarë të shumtë kanë vlerësuar se shpronësimi i tokave për të ndërtuar kësaj autostradën e Dukagjinit pothuajse do ta dyfishojë çmimin final të ndërtimit të autostradës, duke arritur në rreth 1 miliard euro. Kjo nënkupton se taksapaguesit e Kosovës, me shumë gjasë do të paguajnë 11 milion euro për çdo kilometër të autostradës.

Sipas një studimi nga Instituti Riinvest, çmimi mesatar i ndërtimit të një kilometri të autostradës në Kosovë është 11.5 milionë euro. Në Gjermani, një kilometër autostradë ka kushtuar me një çmim mesatar prej 8.2 milionë eurosh. Në vende të Ballkanit, sikurse është rasti i Kroacisë, ndërtimi i tyre ka një çmim prej vetëm 6.7 milione euro për një kilometër.

Autostrada 60 kilometërshe e sapoinauguruar që lidh Prishtinën me Shkupin ka kushtuar më shumë se 800 milionë euro, anipse kontrata dhe dokumentacioni shtesë akoma mbahen larg syrit të publikut.

Konsorciumi amerikano-turk, Bechtel-Enka, tashmë ka ndërtuar dy autostrada në Kosovë në këtë dhjetëvjetëshin e fundit. Me ndërtimin e një autostrade të tretë, investimet e këtij konsorciumi në asfaltin e Kosovës do t’i tejkalonin dy miliardë e gjysmë euro.

Ndërkohë ministri Lekaj refuzoi të konfirmojë apo edhe të mohojë nëse Bechtel-Enka do të ndërtojë autostradën Dukagjini. Ai tha fjalë të mëdha për kompaninë Bechtel-Enka-n, duke i lavdëruar ata për punën që e kanë bërë deri tash.

Deri më tani, Bechtel-Enka ka ruajtur monopolin e ndërtimit të autostradave në Kosovë, e kjo mund të konfirmohet në muajt në vijim nëse një trend i tillë vazhdon edhe me ndërtimin e autostradës Istog-Prizren.

Rrugë më të mira mund të ndikojnë në rritjen ekonomike dhe të bëjnë më të lehtë udhëtimin për njerëzit anembanë Ballkanit e po ashtu edhe në Kosovë, tha ministri Lekaj. “Autostrada Dukagjini do të ketë një ndikim ekonomik, duke mundësuar zhvillimin e turizmit dhe lidhjen e rajoneve ndërmjet vete”.

Megjithatë, ekonomia e Kosovës nuk bazohet në prodhim e as në eksport. As turizmi nuk është një nga motorët më të mëdhenj të zhvillimit ekonomik. Si të tilla, përfitimet nga investimit me shuma të mëdha në këtë projekt do të ishin minimale, dhe  pjesa e madhe e përfitimeve ekonomike do të shkonin në vendet fqinje duke ua bërë më të lehtë rrugën tranzit për mallrat e tyre.

Në muajin prill, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK-së tha gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës se Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZh, ka thënë se ndërtimi i autostradës Istog – Prizren nuk ka fizibilitet.

Përveç kësaj, investimet në një autostradë të tretë nga buxheti qeveritar do të shpërfaqnin neglizhencën e saj në raport me investimet që janë me rëndësi jetike për shoqërinë kosovare e për të cilat qytetarët e Prizrenit, Istogut dhe pjesës tjetër të Kosovës kanë shumë nevojë.

Sipas anketës mbi Buxhetin e Ekonomive Familjare për vitin 2017 të kryer nga Banka Botërore dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, vlerësohet se 17.6 për qind e popullatës në Kosovë jetojnë në varfëri absolute, me më pak se 1.82 euro në ditë ndërsa 5 për qind e popullatës jetojnë në varfëri ekstreme me më pak se 1.3 euro në ditë.

Autostrada e re po planifikohet të bëhet në një kohë kur shkalla e papunësisë në Kosovë ka tejkaluar 30 për qind. Madje shkalla e papunësisë tek të rinjtë e moshës 15-24 vjeç ka arritur në 50 për qind. Sistemi arsimor përballet me një mungesë drastike të resurseve dhe në këtë dhjetëvjetëshin e fundit, sipas një hulumtimi të fundit nga BIRN, një e treta e bibliotekave në vend janë mbyllur për shkak të mungesës së fondeve dhe neglizhimit të institucioneve publike për t’i mirëmbajtur ato.

Nga ana tjetër, nëse i referohemi buxhetit të Kosovës për vitin 2019, nga 73 milionë euro të ndara për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, MAShT, vetëm 27.7 milionë janë në investime kapitale, të tilla si infrastruktura dhe shpenzimet direkte. Ndërkohë, për  vitin 2020 dhe 2021, nuk është planifikuar asnjë rritje e investimeve kapitale në  arsim.

Në kohën kur qytetarët e Kosovës përballën me mungesë të sigurimit shëndetësor publik dhe shpesh u duhet të kërkojnë kujdes shëndetësor më të sigurt në vendet fqinje, nuk ka pothuajse asnjë kundërshtim si nga vetë shoqëria kosovare e po ashtu edhe nga spektri politik ndaj një projekti një miliard eurosh për ndërtimin e një  autostrade pa prioritet dhe të kontestueshme për arsyeshmërinë  e saj ekonomike në  raport me investimin një  miliardë euro.

Kjo duket edhe më tronditëse për shkak të mungesës së një përfitimi të qartë ekonomik, përfitim ky për të cilën ministri Lekaj nuk ishte në gjendje ta dëshmonte.

Këto janë vetëm disa nga vështirësitë me të cilat ballafaqohen kosovarët si pasojë e shpenzimeve vend e pavend të parasë publike dhe kjo i ka shtyrë qytetarët e Kosovës që ta braktisin vendin. Në pesë vitet e fundit, më shumë se 170,000 kosovarë kanë braktisur Kosovën, apo rreth 10 për qind e popullsisë së përgjithshme.

Nëse ne nuk e vëmë në pikëpyetje hapur qëndrueshmërinë ekonomike të këtij projekti kontravers, atëherë do të duhej ta parashtronim pyetjen: Çfarë tjetër do të përfitonin qytetarët e Kosovës nga kjo autostradë përveç faktit se do t’iu siguronte atyre një udhëtim  më të lehtë teksa e braktisin vendin tonë?

Në një të ardhme të afërt, qytetarët e Kosovës do të duhet të paguajnë shuma më të mëdha parash për të qarkulluar nëpër këto autostrada. Megjithëse paratë mirren nga mbledhja e taksave për të financuar ndërtimin e tyre, autostradat gjithashtu do të instalojnë kabinat për pagesë përgjatë autostradave për të paguar borxhin. Kështu është paralajmëruar që  do të  ndodhë së  shpejti për autostradën që lidh Kosovën me Shqipërinë.

Këtë vit, Shqipëria ka vendosur një taksë në autostradën brenda territorit të saj. Një udhëtim vajtje- ardhje me veturë në Shqipëri për kosovarët kushton 10 euro.

Kur Kosova do të marrë vendim që të aplikojë edhe tarifën e saj brenda territorit të  saj, qytetarët me kushte më të rënda ekonomike e të cilët varen shumë nga kjo rrugë, do të goditen më së shumti financiarisht. Pra, do të paguajnë  dyfish. Qytetarëve të Kosovës nuk duhej t’u kërkohet të paguajnë për investime qe do ta bënin përfituese një kompani të vetme  e cila ka lidhjet e saj të ngushta me politikanët kosovarë, e të cilët si kundërpërgjigjie për këto lidhje manifestojnë një shpërfillje ndaj qytetarëve të cilët paguajnë për të.

Përkundër kësaj, kritikat duhet të bëhën edhe përtej vetë qeverisë. Edhe pas zbulimit të më shumë detajeve në lidhje me projektin, opozita politike në Kosovës ka qenë jo mjaftueshëm  e zëshme. Nëse një projekt me pasoja të gjata shoqërore dhe ekonomike nuk është një arsye e mjaftueshme për ta thirrur një seancë të jashtëzakonshme në Kuvend atëherë çfarë prioritete tjera janë  më të rëndësishme për këtë  opozitë e këtë shoqëri?

A nuk e betonon kjo heshtje e përgjithshme besimin se keqpërdorimi i fondeve publike apo alokimi i parregullt i parasë është bërë diçka krejt normale dhe e zakonshme? Ndoshta opozita ka frikë se mund të humbasë votat pikërisht në pjesën ku do të ndërtohet autostrada.

Nevoja për të kundërshtuar projektin nuk ka të bëjë fare me rajonin e Dukagjinit. Investimi në rrugët e Kosovës është qenësor dhe për këtë askush nuk ka ndonjë mëdyshje. Mirëpo kur kemi të bëjmë me keqshpërndarje të parave të taksapaguesve në një rajon që ka nevojë për investime me prioritet – në sektorët tjerë ekonomikë, përveç në eksport dhe transportin e mallrave.

Debati mbi shpenzimin e qindra miliona eurove në një projekt , projekt ky që është i predestinuar të sjellë vetëm dëme, duhet të fillojë sa më parë, para se të bëhet tepër vonë.

Qytetarët e Kosovës nuk duhet të paguajnë për një autostradë tjetër zhvatëse që do të mbushte xhepat e një kompanie të vetme dhe politikanëve të papërgjegjshëm që ia mundësojnë një gjë të tillë, ndërkohë që xhepat e taksapaguesve kosovarë mbeten bosh.

Mendimet e shprehura në seksionin e opinionit janë vetëm ato të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN-it.

Autori: Eraldin Fazliu

 

 

 

 

ETIKETA

07 Korrik 2019 - 15:25

Eraldin Fazliu 07/07/2019 - 15:25
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend