Ilustrimi: Trembelat për KALLXO.com

Deputetët debatojnë për 'Autostradën e Dukagjinit'

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga pozita dhe opozita kanë debatuar lidhur me ndërtimin e ‘Autostradës së Dukagjinit’.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu tha se projekti për ndërtimin e ‘Autostradës së Dukagjinit’ është i dëmshëm.

“Ajo çka kërkoj nga Qeveria është që ta tërheq këtë projekt. Sado që quhet Autostradë e Dukagjinit dhe lihet përshtypja që është investim për Dukagjinin, ky është një projekt i dëmshëm. Unë jam dakord që të investohet në Dukagjin por shumë më e mirë është që ato 1 miliard euro të investohen në zhvillim ekonomik atje”, tha deputeti.

Aliu shtoi se këto projekte e kanë vendosur vendin në gjunjë.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu tha se si çdo kund në Kosovë, edhe Dukagjini do ta ketë autostradën.

“Do të përfundojmë me autostradat fatmirësisht në kohën më të shpejtë për mos me vepru e mos me neglizhu me vite të tëra 1 kilometër autostradë e me u shpenzu qindra miliona euro. Pos që do të ndodhë autostrada, unë tentoj që në çdo vend ta bëjmë jetën më të mirë”, tha deputetja e pozitës.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti theksoi se ‘Autostrada e Dukagjinit’ është ide e para disa viteve.

“Kur kemi ardhur në qeveri është angazhduar BERZh-i  për këtë projekt, dhe pas disa muajve punë ata kanë ardhur në konkludim që nuk ka fizibilitet për të ndërtuar autostradë nga Istogu, në Pejë, Deçan Gjakovë e deri në Prizren. Ajo çka kanë sugjeruar është ndërtimi i rrugëve tranzit që i eviton qytetet nëpër të cilat kalon kjo rrugë.

Ai shtoi se BERZH ka sugjeruar edhe ndërtimin e rrethrrotullimeve në vendbanime dhe ndërtimi i përpjetave dhe tatëpjetave për t’i evituar kolonat në pikat që janë më problematike në atë zonë.

“Tash a duhet të ndërtohet kjo autostradë sigurisht që po sepse ka me e lehtësu qarkullimin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve në atë pjesë. Ndërkaq ndërtimi i një autostrade tjetër në atë pjesë nuk duhet të bëhet”, tha Hoti.

Gazeta Jeta në Kosovë, ditë më parë kishte raportuar se autostrada e Dukagjinit, e cila pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës rreth 1 miliard euro, nuk është mirëpritur nga banorët e Rahovecit, me arsyetimin se dëmton lumin Drini i Bardhë dhe se pamundëson qasjen në autostradës të mbi 90% të fshatrave të Rahovecit.

Ministria e Infrastrukturës në gusht ka nënshkruar kontratën për “Hartimin e projektit zbatues për ndërtimin e autostradës Istog– Prizren” për të cilën ministri Lekaj e konsideron si projektin “më gjigant të Qeverisë”, dhe pritet që të fillojë këtë vit.

Më fillim të muajit prill, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit kishte aprovuar variantin final pikërisht në ditën kur banorët e Rahovecit mblodhën mbi 3 mijë nënshkrime duke kundërshtuar variantin 6-të apo variantin përgjatë lumit Drin.

 

Autostrada që nuk po ‘pajton’ Ministrinë me Rahovecin