Objekti i Komunës së Gjakovës | Foto: KALLXO.com

Anulohet Tenderi për Gjelbërim për Shkak të Lëshimeve në Dosje

Komunës së Gjakovës i ka shkuar huq një proces i prokurimit dhe i ka humbur kot 7 muaj për shkak të gabimeve të bëra në dosjen e tenderit për ‘mirëmbajtjen e gjelbërimit të qytetit dhe mbjelljen e fidanëve të drunjve dekorativë dhe luleve’.

Ky aktivitet ka filluar më 31 korrik 2017. Hapja e ofertave ishte bërë me 28 gusht, ku kishin marrë pjesë gjashtë operatorë ekonomikë.

Por, Komuna e Gjakovës kishte arritur të rekomandojë për kontratë operatorin ekonomik “N.T.P Beni” vetëm me datën 4 dhjetor te vitit 2017. Dy kompani të cilat ishin konkurrentë “KRM Çabrati” dhe konsorciumi “Victory  Com & NTSH Letaj” ishin ankuar.

Por, vetëm pas 7 muajve, Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte gjetur se Komuna e Gjakovës kishte bërë gabime në dosjen e tenderit, të cilat e bënin të pamundur përfundimin e suksesshëm të procesit të prokurimit.

Paneli shqyrtues i OShP-së kishte konstatuar se Komuna e Gjakovës gabimisht ka bërë publikimin e paramanave, ku është bërë ‘çmimi i parashikuar’ nga njësia kërkuese në vend në vend të sasisë së kërkuar.

“Ky lëshim sipas panelit paraqet problem në plotësimin e nevojave të Komunës së Gjakovës si dhe problem gjatë ekzekutimit të kontratës andaj kanë konsideruar që ky aktivitet i prokurimit duhet të anulohet”, thuhet në vendim.

Paneli i OShP-së ka vendosur që të anulohet në tërësi ky aktivitet i prokurimit, kurse nëse AK-ja ka interes edhe më tutje për këtë aktivitet të prokurimit të njëjtin mund ta ritenderojë konform dispozitave ligjore të LPP-së.

Gjykata e Tenderëve ka gjetur edhe shkelje të tjera ligjore.

“OSHP konstaton se OE i rekomanduar për kontratë nuk ka plotësuar Formularin pjesa C, nuk është plotësuar sipas kërkesave ligjore pasi që nuk është potencuar autoriteti kontraktues, titulli i tenderit mirëpo është e plotësuar vetëm pjesa e çmimit me numra dhe shkronja. OE i rekomanduar për kontratë nuk ka plotësuar formularin C lidhur me validitetin e ofertës, kërkesë kjo obligative e cila duhet të plotësuar”, thuhet në vendimin e OShP-së.

OE i rekomanduar për kontratë, sipas OShP-së është i papërgjegjshëm për shkak se nuk i ka plotësuar kërkesat formale, administrative të përcaktuar me dosjen e tenderit.

Paneli shqyrtues i Prokurimit Publik kishte aprovuar si pjesërisht të bazuara ankesa e “KRM Çabrati”, Gjakovë dhe “NTSH Victory Com & NTSH Letaj”, Gjakovë, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull: “Mirëmbajtja e gjelbërimit të qytetit dhe mbjellja e fidanëve të drunjve dekorativë dhe luleve”, e iniciuar nga autoriteti kontraktues Komuna e Gjakovës.

“KRM Çabrati” pretendonte që Komuna e Gjakovës e ka eliminuar padrejtësisht nga gara.

Ajo thotë se Komuna nuk i ka zbatuar në mënyrë të drejtë dispozitat ligjore të Ligjit për Prokurim Publik lidhur me vlerësimin e tenderit.

Eksperti profesional kishte konstatuar se pretendimet e ankuesit ishin të qëndrueshme, pasi që OE ankues kishte bërë deklaratë të qartë dhe se ishin zotuar që i qëndrojnë plotësisht ofertës së dhënë.

Kurse, operatorët e tjerë ankues NTSH “Victory  Com & NTSH Letaj”, pretendonin se operatori i rekomanduar për kontratë “N.T.P. Beni”, nuk i ka plotësuar ‘Formulari C’, sipas kërkesave ligjore pasi që nuk është potencuar autoriteti kontraktues dhe titulli i tenderit mirëpo është plotësuar vetëm pjesa e çmimit me numra dhe shkronja.

Kjo kërkesë sipas ekspertit shqyrtues të OShP-së është obligative që duhet të plotësohet dhe konstaton se OE i rekomanduar për kontratë është i papërgjegjshëm.

Bazuar në të gjitha konstatimet eksperti profesional ka rekomandon që Komuna e  Gjakovës të anulojë aktivitetin e prokurimit.

Eksperti shqyrtues profesional e kishte vlerësuar si të bazuar ankesën e KRM “Çabrati” nga Gjakova, ndërsa ankesën e “Victory Com” & Ntsh Letaj” pjesërisht të bazuar.