Zoran Zaev - Foto: REL/Reuters

Ana tragjike e një telefonate komike

Biseda telefonike mes Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev si dhe dy satiristëve rus e ‘ngjalli’ një temë të cilën kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e kishte konsideruar të vdekur.

Në bisedën e cila ishte realizuar vitin e kaluar por që është publikuar të martën, kryeministri Zaev duke menduar se po flet me ish-Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko përmendi idenë për shkëmbimin e territoreve si dhe ndikimin rus në Ballkan.

Mes diskutimeve për ‘korrigjiminin e kufirit’, proklamuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi – Zaev thotë që “10 komuna në veri të Kosovës do t’i jepen Serbisë dhe disa komuna në jug të Serbisë do t’i jepen Kosovës” duke theksuar se kjo është një ide e rrezikshme që mund të prodhojë luftë.

Një ditë më vonë, presidenti Thaçi tha se ka pasur një bisedë 20 minutëshe me Zoran Zaev, i cili sipas tij i ka kërkuar falje për deklarimet si dhe i ka sqaruar se ka rënë pre e raportimeve të agjencisë ruse të lajmeve ‘Sputnik’.

Për temën e ‘vdekur’ të shkëmbimit të territoreve u ‘alarmua’ edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili siguroi qytetarët se askush nuk mund ta ndajë Kosovën.

Ndërsa si pozita, ashtu edhe opozita, deklarimet e kryeministrit Zaev po i konsiderojnë si një ‘komedi’ mbrapa të cilës është ‘tragjedia’ nëse diskutohet territori.

Pozita dhe opozita kundër rikthimit të korrigjimit

Bilall Sherifi shef i grupit parlamentar të NISMA-s ka thënë për gazetën Jeta në Kosovë se biseda e publikuar nxjerrë në pah anën tragjike të mundësisë për shkëmbimin e territoreve.

“Biseda që është publikuar me komedian ka nxjerrë në pah edhe anën tragjike të krejt kësaj teme e cila tani për tani është nxjerrë nga tavolina, prandaj duhet të tregohemi vigjilent të mos pranojmë që të bisedojmë për territorin e Kosovës”, tha ai.

Sipas Sherifit NISMA në vazhdimësi ka qenë dhe është kundër idesë për shkëmbim të territorit, sepse sipas tij në thelb të kësaj është ndarja e Kosovës.

“Nisma Socialdemokrate në vazhdimësi është angazhuar kundër shkëmbimeve, kundër korrigjimeve, që në fakt ato nuk kanë të bëjnë as me shkëmbim as me korrigjim por ka të bëjë me ndarjen e Kosovës, prandaj kemi qenë kundër çdo lloje bisede ku tavolinë do të ishte territori i Kosovës’, shtoi ai.

Përfaqsuesi i partisë qeverisëse ka thënë që planin për shkëmbim të 10 komunave e ka dëgjuar për herë të parë.

“Paqja me Serbinë mbi kurrizin e territorit të Kosovës nuk është paqe e qëndrueshme përkundrazi është një embrion ku do të mund të përgatitej një luftë e ardhshme, prandaj duhet të kuptohet që çështja e kufijve në Ballkan ka përfunduar një herë e përgjithmonë”, theksoi Sherifi.

Ndërkaq, Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje duke iu përgjigjur pyetjes së Gazetës JnK në një konferencë për media tha se pjesa me tronditëse e bisedës është përfshirja e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin në idenë për territore.

“Kryeministri Zaev e ka përfshirë edhe Putinin në këtë plan dhe shpjegimi i tij është goxha shqetësues sepse thotë që Rusia është e kyçur në këtë plan dhe do të ishte e leverdishme që ndodhë ky si projekt sepse Rusia pastaj do të shfrytëzonte rastin e ndarjes së kufijve të Kosovës për ti ndarë kufijtë e Gjeorgjisë, pastaj do të kërkoj që të ndryshohen edhe kufijtë e Ukrainës për ta marrë edhe Krimenë”, theksoi Konjufca.

Sipas tij, presidenti Thaçi me idenë e tij për korrigjim të kufirit i ka hyrë njuë projekti shumë të rrezikshëm nga i cili Kosova do të dalë humbëse.

“Ishte vërtetë qesharak reagimi i presidentit tonë që me u fsheh prapa gazetarëve të Sputnikut, prapa gazetarëve të atij të cilin presidenti Thaçi e ndiqte korridoreve të forumeve për të dalë në fotografi me të”, u shpreh Konjufuca.

Jeta Krasniqi, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë për gazetën Jeta në Kosovë se nëse përmenden 10 komuna atëherë nuk kemi të bëjmë me skenarin e korrigjimit por me atë të asociacionit me kompetenca ekzekutive.

“Në Kosovë janë 10 Komuna me shumicë serbe dhe kjo është skenari i një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe me fuqi ekzekutive, pra mund të jetë një konfuzion të cilin ai mund ta ketë bërë në çështjen e Komunave, por mbetet mëse e qartë nga kjo bisedë është që diskutuar për korrigjim të kufijve në aspektin e ndërrimit të territoreve”, theksoi ajo.

Prapaskenat e bisedave telefonike

Dy satiristë rusë bënë që politikanë të rajoni dhe jo vetëm të bien pre e mashtrimit me vetëm disa telefonata.

Por biseda që ngjalli reagime më të ashpra në Kosovë ishte ajo në të cilën kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, fliste për planin e shkëmbimit të territorit mes Serbisë dhe Kosovës.

Kryeministri Zaev në këtë telefonatë citoi edhe deklaratat e kancelares gjermane Angela Merkel kundër lëvizjes së kufijve.

“Presidenti i Serbisë dhe Presidenti i Kosovës filluan negocimet për ndarjen e territoreve dhe ndryshimin e kufijve, por ne jemi kundër kësaj. Edhe Kancelarja [Angela Merkel] është kundër kësaj dhe poashtu i gjithë regjioni është kundër, sepse mendojmë që është një qëllim i fshehtë i Rusisë për t’i përdorur ata si një pretekst ndërkombëtar”, ka thënë Zaev.

 E për publikimin e kësaj bisede, kryeministri Zaev ka thirru në telefon presidentin Thaçi të cilit i ka kërkuar falje dhe i ka sqaruar se të gjitha ato informata i ka marrë nga raportimet e mediave dhe jo nga burime zyrtare.

“Më ka kërkuar falje mua personalisht dhe Kosovës si dhe ka potencuar se ato çka ai ka folur janë gjëra që nuk qëndrojnë në raport me Kosovën dhe nuk ka asnjë fakt apo evidencë për ato çfarë ka deklaruar, për të gjitha janë lajmet të rreme e dezinformata”, tha Thaçi para mediave.

Telefonatën me Thaçin e konfirmoi edhe vet kryeministri Zaev, mirëpo i njëjti nuk u përgjigj kur u pyet nëse Sputnik ka qenë burimi i informacioneve të tilla.

“Unë e telefonova kryetarin e Kosovës dhe ndjeva përgjegjësinë time t’i kërkoj falje atij dhe popullit të Kosovës nëse kam krijuar situata të pakëndshme. Qëllimi ka qenë që t’i tregojë se bisedat e pamatura janë bazuar nga spekulimet në media. Kuptohet se neve nuk kemi qenë të kyçur në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit”, tha Zoran Zaev në ceremoninë e hapjes së stacionit të benzinës së Lukoilit në lagjen Çento në dalje të Shkupit.

Në një deklarim tjetër Zaev tha që nuk ka informata për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Asnjëherë nuk kemi pasur detaje për procesin negociator. Tërë ajo është temë diskutimi e kuluareve, dhe kemi folur për atë që ka qenë e pranishme në publik dhe të ngjashme. Edhe presidenti Thaçi edhe presidenti Vuçiq e dinë se ne nuk dimë, dhe nuk kemi shkëmbyer informacione”, tha Zaev në emisionin e TV Klan – Maqedoni.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar të marrë më shumë sqarime nga kabineti i Zaev për planin e shkëmbimit të 10 komunave, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje.