Viti i ‘ftesave speciale’ të komandantëve të UÇK-së

Thirrja e ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u marrë në pyetje nga prokurorët e krimeve të luftës në Hagë ishte ndër titujt kryesorë të lajmeve gjatë gjithë vitit 2019, ndërsa politikanët e Kosovës kërkuan krijimin e një gjykate të re për hetimin e serbëve për gjenocid.

 

Më shumë sesa 120 ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës raportohet se janë thirrur gjatë këtij viti për t’u marrë në pyetje në Hagë, ku Zyra e Prokurorit të Specializuar po përgatit aktakuzat e para për krime të kohës së luftës dhe pas luftës në Kosovë midis vitit 1998 dhe 2000.

Deri më tani, prokurorët kanë marrë në pyetje disa ish-liderë guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe figura të shquara politike, duke përfshirë kryeministrin në largim Ramush Haradianj dhe Kadri Veselin, drejtues i një partie politike dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Ministri i Drejtësisë në largim Abelard Tahiri është marrë gjithashtu në pyetje, me burime në zyrën e tij që thanë për BIRN se është marrë në pyetje për pengim të drejtësisë.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar ka vënë në zbatim mandatin e saj, duke kërkuar praninë dhe marrjen në pyetje të të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe mbledhjen dhe ekzaminimin e informacioneve dhe provave, dhe marrjen e vendimeve për fillimin, dhe vazhdimin ose përfundimin e procedurave penale”, tha për BIRN zëdhënësi Christopher Bennett.

Pas ftesës së tij për t’u marrë në pyetje si i dyshuar, Haradinaj, një ish-komandant i UÇK-së, dha dorëheqjen si kryeministër në korrik.

Ai tashmë është gjykuar dy herë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë dhe është liruar nga akuzat të dyja herët, dhe ai këmbënguli se Dhomat e Specializuara nuk do të dëmtonin dot trashëgiminë e UÇK-së.

“Lufta e viteve 1998-1999 ishte e pastër dhe e shenjtë. Jam shumë e sigurt se drejtësia e luftës së UÇK-së do të konfirmohet përsëri nga kjo gjykatë”, tha Haradinaj.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat funksionojnë si pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por që janë të pajisura me ekip ndërkombëtar dhe e kanë selinë e tyre në Holandë, u krijuan në vitin 2015 nën presionin e madh nga BE-ja dhe SHBA-ja pas një raporti nga raportuesi i Këshillit të Europës, Dick Marty, pesë vjet më parë.

Në raportin e tij, Dick Marty akuzoi UÇK-në për rrëmbim, vrasje dhe ndalim të paligjshëm të serbëve dhe romëve, si dhe të shqiptarëve që konsideroheshin kundërshtarë politikë ose bashkëpunëtorë me shtetin serb.

Marty gjithashtu pretendoi se UÇK u mori organe robërve serbë dhe shqiptarë. Me përjashtim të presidentit Hashim Thaçi, të gjithë ish-luftëtarët e përmendur në raportin e Dick Marty janë thirrur nga prokurorët e Hagës.

Ish-komandantët e UÇK-së, përfshirë Thaçin, i kanë hedhur poshtë vazhdimisht akuzat, duke i quajtur ato një përpjekje shkatërruese për të dëmtuar luftën e Kosovës për liri nga shtypja serbe – një këndvështrim që gjerësisht në vend.

“Jam i bindur që kjo gjykatë do të dëshmojë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe do të ndalojë sulmet ndaj të vërtetës së popullit tonë dhe UÇK-së”, tha Kadri Veseli.

Ngritja e aktakuzave do të shënojë kulminacionin e më shumë se katër viteve hetim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar – hetime të mbajtura në fshehtësi pasi prokurorët përpiqen të kapërcejnë një kulturë mbrojtjeje dhe frike rreth UÇK-së dhe një sërë dëshmitarësh në çështje të tjera gjyqësore që lidhen me krimet e pretenduara nga guerilët e Kosovës që tërheqin mbrapsht dëshmitë e tyre ose, në disa raste, përfundojnë të vdekur.

Pak gjyqe, pak dënime

Të dhënat nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës tregojnë se vetëm shtatë raste krimesh lufte, duke përfshirë nëntë të pandehur, u përfunduan këtë vit. Zyra e shtypit e këshillit tha gjithashtu për BIRN se 18 gjyqe për krime lufte janë aktualisht në vazhdim.

Një nga gjykimet kryesore të lidhura me luftën në zhvillim e sipër është rasti kundër Darko Tasiq, një serb i Kosovës i akuzuar për përfshirje në një masakër në fshatin Krushë e Vogël në mars 1999, kur 114 shqiptarë të Kosovës u vranë dhe shtëpitë u grabitën dhe u dogjën.

Por gjyqi me profilin më të lartë ka të ngjarë të jetë ai që fillon më 30 dhjetor, në të cilin gjashtë të dyshuar akuzohen për përfshirje në vrasjen e kreut të partisë politike serbe Oliver Ivanoviq.

Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Rade Basara do të gjykohen për rolin e tyre të dyshuar në vrasjen e Ivanoviqit, i cili u qëllua jashtë zyrës së partisë së tij në qytetin e ndarë të Mitrovicës në janar 2018. Katër nga të dyshuarit ishin oficerë policie të Kosovës në kohën e krimit.

Aktakuza pretendon se ata ishin pjesë e një “grupi të organizuar kriminal” të udhëhequr nga dy serbë të njohur të Kosovës, Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq. Ish-komandanti i Policisë së Kosovës në veriun me shumicë serbe, Zhelko Bojiq, akuzohet gjithashtu si i përfshirë.

Radoiçiq është një biznesmen i cili shihet gjerësisht si mbajtës i pushtetit në shumicën serbe të veriut të Kosovës dhe është nënkryetar i partisë kryesore politike serbe të mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe.

Ai është larguar në Serbi, ku autoritetet kanë pohuar se ai është i pafajshëm. Ai mohon përfshirjen në vrasjen e Ivanoviqit.

Dikur i parë si një nacionalist, Ivanoviq kishte evoluar në një politikan të moderuar që mbronte bashkëjetesën midis pakicës serbe të Kosovës dhe shumicës shqiptare, dhe gjithashtu ishte bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikat e tij ndaj qeverisë së Beogradit.

Në kohën e vdekjes, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, për të cilën ai kishte pretenduar pafajësi.

Serbia e akuzuar për gjenocid

Deputetët e Kosovës në maj miratuan një projektrezolutë që kërkonte drejtësi për gjithsej 186 masakra nga forcat serbe gjatë luftës dhe duke kërkuar krijimin e një gjykate të re ndërkombëtare për të gjykuar krime kundër njerëzimit dhe gjenocid kundër shqiptarëve etnikë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, argumentoi se shqiptarët etnikë iu nënshtruan dhunës së planifikuar dhe të organizuar nga shteti serb, dhunë e cila synonte dëbimin përfundimisht të tyre.

“Kjo sipërmarrje, nën çdo ligj, përfshirë të drejtën ndërkombëtare, nuk mund të përcaktohet në asnjë mënyrë tjetër, përveçse si një sipërmarrje për zhdukje fizike. Kjo njihet si gjenocid”, tha Veseli.

Por thirrja për një gjykatë të re, e cila erdhi mes një sërë përkujtimoresh në të gjithë Kosovën me rastin e 20-vjetorit të masakrave të tmerrshme të kryera nga forcat serbe në vitin 1999, u përshkrua si oportunizëm politik nga kritikët brenda vendit. Ajo gjithashtu u hodh poshtë nga ekspertët ndërkombëtarë si jopraktike dhe jashtëzakonisht e pamundur të ndodhte.

U ngritën gjithashtu pikëpyetje në lidhje me kohën e propozimit, i cili erdhi mes parashikimit të aktakuzave të para ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Ndërkohë në qershor, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshime në kodin e procedurës penale të vendit për të lejuar që të pandehurit të gjykohen në mungesë, me qëllim intensifikimin e ndjekjeve penale të ushtarëve dhe oficerëve të policisë serbe.

Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se pavarësisht ndryshimeve, gjykimet në mungesë nuk mund të ndodhin automatikisht pa përmbushur disa kritere bazike.

Kushti i parë është se një person që është në hetim duhet të ftohet të paraqitet në gjykatë në Kosovë të paktën pesë herë para se të gjykohet në mungesë. Kjo do të thotë në praktikë se Serbia do të duhet të gjejë adresën e të dyshuarit dhe t’i dërgojë atij ftesën për t’u paraqitur në një gjykatë të Kosovës – e cila ka shumë pak gjasa të ndodhë sepse midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka bashkëpunim juridik.

Prokurorja Drita Hajdari, koordinatorja përgjegjëse për çështjet e krimeve të luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës në Prishtinë, tha se sfida kryesore mbetet mungesa e vullnetit politik të Kosovës dhe Serbisë për të bashkëpunuar për këtë çështje.

“Ne kemi hapur një sërë hetimesh dhe janë lëshuar urdhër arreste ndërkombëtare për dhjetëra njerëz nën hetim. Synimi ynë nuk janë vetëm autorët. Në strategjinë tonë ne jemi përqendruar në zinxhirin e përgjegjësisë komanduese”, tha Hajdari për BIRN.

Amer Alija, një analist ligjor dhe monitorues i gjyqeve për krime luftë në Fondin për të Drejtën Humanitare me qendër në Prishtinë, tha se aktualisht e vetmja mundësi për më shumë sukses në arrestimin e të dyshuarve për krime lufte është nëse misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, mund të ndihmojë në sigurimin “njoftimeve të kuqe” nga Interpoli duke u bërë thirrje vendeve në të gjithë botën që të ndalojnë autorët e dyshuar.

“Për shkak të marrëdhënieve politike midis Kosovës dhe Serbisë, zyra e prokurorit të Kosovës i ka duart e lidhura në ndërmarrjen e veprimeve konkrete dhe arrestimin e të dyshuarve që janë në Serbi”, tha Alija për BIRN.

Këshilli Prokurorial i Kosovës këtë vit miratoi një Strategji Kombëtare të Krimeve të Luftës në një përpjekje për të nxitur progresin e përpunimin e çështjeve të papërfunduara.

Strategjia e Kosovës mbulon krimet e luftës të kryera midis 29 shkurtit 1999 dhe 20 qershorit 1999, duke synuar personat përgjegjës për disa nga “masakrat e urryera” në Kosovë.

Në vitet e pas luftës, UNMIK fillimisht kishte përgjegjësi për rastet e krimeve të luftës, dhe më pas EULEX e mori përsipër këtë përgjegjësi, përpara se kjo detyrë t’i kalonte përfundimisht prokurorëve vendas. Në fund të mandatit të EULEX-it në qershor 2018, misioni i BE-së i dorëzoi rreth 900 dosje krimesh lufte dhe rreth 2,000 dosje të tjera për personat e zhdukur Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Për shumë kohë, Kombet e Bashkuara dhe EULEX-i na privuan nga e drejta për të ndjekur penalisht krimet e luftës dhe tani, si rezultat i kësaj, kemi një disbalanc në numrin e shqiptarëve të dënuar për krime lufte”, tha Hajdari.

Ajo tha gjithashtu se prokurorët vendas po presin të marrin përsipër një bazë të dhënash nga UNMIK në të cilën janë listuar rreth 4,000,000 prova që kanë lidhje me krime lufte.