VIDEO - Historia e fabrikës mbi 10 milionë euro që nuk po hapet

Mbi 10 milionë euro janë investuar në një fabrikë, e cila për disa vite me radhë nuk po arrin të funksionalizohet në Kosovë.

Një hulumtim i KALLXO.com tregon se paratë e investuara për të ndërtuar fabrikën e përpunimit të mbetjeve shtazore në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ende nuk kanë arritur ta bëjnë funksionale idenë për të cilën u pagua.

Objektet e ndërtuara, makineritë dhe hapësirat kanë mbetur pa u vënë në funksion për shkak të disa procedurave dhe investimeve rrethanore, të cilat ende nuk janë përmbushur. 

Në vitin 2018 kur ky projekt ishte përuruar ishte thënë se kjo fabrikë do të ishte një zhvillim i madh për Kosovën pasi mbetjet e shtazëve do të ricikloheshin dhe nga to do të fitoheshin para.

Plani ishte që eshtrat, mbetjet e lëkurës, mbetjet nga organet e brendshme të kafshëve të përpunoheshin dhe nga to të krijoheshin produkte ushqimore për shtazët apo edhe produkte kozmetike. 

Fabrika në një pjesë është projekt i Bashkimit Evropian dhe fillimisht u tha se do të kushtonte 7.7 milionë euro. Nga këto, 5.7 milionë do të jepeshin nga Komisioni Evropian përmes fondeve IPA, kurse 2 milionë tjera nga Qeveria e Kosovës.

Raportet financiare tregojnë se për këtë fabrikë janë paguar shumë më shumë para se kaq, kurse janë paguar mjete edhe në rastet kur nuk janë kryer punët fare.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Qeveria e Kosovës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Zyra e BE-së në Kosovë nëse në ndërkohë ka pësuar ndryshim mënyra e financimit të këtij projekti, duke përshirë shumën e saktë të mjeteve që kanë investuar palët (BE-ja dhe Qeveria e Kosovës) në këtë projekt, por bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës deri më tash kanë heshtur.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka përcjellë të KALLXO.com një dokument ku thuhet se shuma e tërësishme e paguar nga kjo Agjenci kap vlerën afër 5 milionë euro. Pra, janë paguar mjete sa dyfishi i asaj që është thënë në fillim. Totali 4 milionë e 986 mijë e 730.21 euro të paguara vetëm nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. 

Pra, në total, kjo fabrikë u ka kushtuar tatimpaguesve kosovarë dhe evropianë mbi 10 milionë euro.

Sipas dosjeve që ka hulumtuar KALLXO.comë, punët e financuara nga Bashkimi Evropian kanë përfunduar. 

Problemet lindin në pjesën e Qeverisë së Kosovës si zotuese e mjeteve, e cila nuk ka kryer obligimet e saj.

Të dhënat tregojnë që BE financoi ndërtimin e objektit administrativ dhe industrial dhe këto punë kanë përfunduar sipas zotimit dhe kontratës qysh në dhjetor të vitit 2017. 

Në llotin e parë të këtij tenderi ishte paraparë rregullimi i infrastrukturës së jashtme, përfshirë objektin për trajtimin e ujërave të zeza që është financuar nga Qeveria e Kosovës.

Para funksionalizimit të plotë, Qeveria e Kosovës ka qenë e obliguar që të miratojë aktet ligjore për rregullim të operimit të kësaj fabrike si dhe të vendos për mënyrën e operimit të saj: si shërbim publik, privat apo ndonjë formë e përzier e partneritetit publiko-privat.

Qeveria e Kosovës nuk i ka kryer këto obligime dhe për rrjedhojë kjo fabrikë nuk është funksionale.

KALLXO.com ka kontaktuar Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë për mosfunksionalizimin e kësaj fabrike, si donator të pjesshëm të projektit. Ata kanë thënë se i kanë kryer obligimet e tyre dhe se nuk kanë çfarë të flasin më shumë për KALLXO.com përveç përgjigjeve që na kanë dhënë me shkrim.

“Punët ndërtimore lidhur me objektin administrativ dhe industrial janë kryer dhe certifikata e pranim-dorëzimit ishte nënshkruar me 29 dhjetor 2017” – thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së në Kosovë.

Por, Zyra e BE-së ka thënë se duhen edhe disa parakushte për të funksionalizuar këtë fabrikë, e të cilat janë obligime të Qeverisë së Kosovës.

“Disa punë infrastrukturore lidhur me lotin 1 nuk janë kryer ende, për shembull, rezervuari i gazit dhe infrastruktura e gypit të tij. Gjithashtu nevojitet testimi dhe miratimi i duhur për impiantin për trajtimin e ujërave të zeza. Impianti për trajtimin e mbetjeve organike do të jetë funksional pasi të plotësohen parakushtet për operim dhe mirëmbajtje të qëndrueshme” – thuhet në përgjigjen e BE-së.

Zyra e BE-së ka shpjeguar se pjesët që janë financuar nga Qeveria e Kosovës në kuadër të llotit 1 kanë qenë: infrastruktura e jashtme, përfshirë objektin për trajtimin e ujërave të zeza si dhe furnizimin me pajisje në impianti për trajtimin e mbetjeve organike.

Impianti për trajtimin e mbetjeve organike edhe pse është ndërtuar ende nuk është funksional për shkak se disa nga punët nuk janë planifikuar.

KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje as në sqarimet e kërkuara nga Qeveria e Kosovës për arsyet e zvarritjes së punëve të projektit që janë financuar nga Qeveria e Kosovës.

KALLXO.com gjithashtu disa herë i ka kërkuar intervistë Qeverisë për këtë projekt, por asnjëherë ata nuk kanë qenë të gatshëm të përgjigjen.

Por, në një përgjigje të Agjencisë së Ushqimit thuhet se Impianti i ujërave të zeza është i vendosur në fabrikë, por testimi i tij duhet të realizohet.

“Pranimi final i Lot 2 të ndërtimit është realizuar në Nëntor 2020 kurse pranimi final për Lot1të ndërtimit do të realizohet pas testimit të impiantit të ujërave të zeza përbrenda fabrikës. Ndërsa, furnizimi dhe instalimi i pajisjeve është kryer dhe pranuar nga komisionet përkatëse” – thuhet në përgjigjen e AUV-it të dhënë për KALLXO.com.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka treguar se ende nuk ka një vendim për mënyrën e operimit të kësaj fabrike, pra nëse do të jetë publike, private apo partneritet Publiko-Privat.

“Për ta vënë në funksion këtë fabrikë, AUV është këshilluar me Ministrinë e Financave për të gjetur modalitetin më të mirë (PPP, koncesion, tenderim…) dhe për të shqyrtuar bazën ligjore me të cilën do të përzgjidhej mënyra e operimit. Nga Ministria na u rekomandua të hartohet një studim fizibiliteti për të vlerësuar se sa do të ishte  atraktive e tërë veprimtaria e trajtimit të nënprodukteve shtazore dhe pastaj të zgjidhet mundësia e operimit” – thuhet më tej në përgjigjen e AUV.

Studimi i Fizibilitetit ende nuk ka nisur dhe AUV nuk ka ende një kosto sa mund t’i kushtojë. Sikurse në tërë projektin, edhe për studimin e fizibilitetit, AUV ka thënë se do të kërkojnë ndihmën e Bashkimit Evropian.  

“Studimi i fizibilitetit nuk është realizuar dhe ende nuk kemi parallogarite se sa mund të kushtojë një fizibilitet  i tillë, prandaj AUV është duke i parë mundësitë të asistohet nga TAIEX apo nga donatorë tjerë” – thuhet në përgjigjen e AUV.

Edhe pse nga zyra e BE-së kanë thënë për KALLXO.com se Kosova nuk e ka përmbushur kushtin që të ketë një rezervuar të gazit. Nga AUV kanë thënë që ky rezervuar nuk ka qenë i paraparë në projektet teknike të hartuara nga inxhinierët e kontraktuar nga BE.

“Rezervuari i gazit nuk ka qenë i paraparë në projektet teknike të hartuara nga inxhinierët e kontraktuar nga BE, dhe vetëm pas vendosjes së pajisjeve, nga kompania kontraktuese na u është rekomanduar për vendosje të një rezervuari të mjaftueshëm për operim të fabrikës” – thuhet më tej në përgjigjen e AUV.

KALLXO.com ka kërkuar intervistë (2 qershor) me kamerë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për të gjithë procesin e kësaj fabrike, por të njëjtit kanë thënë se janë në procedurë të auditimit dhe nuk mund të flasin.

“Zyrtarët përgjegjës që kanë qenë të involvuar në proces të gjitha fazave të ndërtimit të Fabrikës së asgjësimit të kafshëve dhe mbetjeve shtazore aktualisht nuk janë të punësuar në AUV. Drejtori ekzekutiv ka kërkuar auditim të gjithë procesit të këtij projekti dhe jemi në pritje të raportit. Për momentin nga AUV nuk mund të ju flas dikush sepse është në proces auditues. Kurdo që ne do ta kemi raportin e plotë të auditimit dhe mbi çdo proces që do të zhvillohen në vijimësi për këtë projekt  vetë drejtori është zotuar që do të jetë transparent dhe sigurisht kjo nënkupton që do ta ndajmë edhe me ju” – thuhet në përgjigjen e Agjencisë së Ushqimit. 

Ndonëse u proklamua se fabrika e ndërtuar në Kosovë do të ishte e vetmja në rajon për trajtimin e këtyre mbetjeve, një fabrikë e llojit të tillë është ndërtuar në Lezhë të Shqipërisë.