AUV tregon shkakun e helmimit të 30 qytetarëve në Mitrovicë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) ka publikuar rezultatet laboratorike të mostrave të marra nga ushqimet në një lokal i ushqimeve të shpejta në Mitrovicë, ku u helmuan dhjetëra persona.

Më 6 tetor 2023 pas orës 18:00, sipas AUV, dhjetëra kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi dyshohet se ishin helmuar pasi kishin konsumuar ushqim në një lokal të ushqimeve të shpejta.

Lamir Thaçi, zëdhënës i AUV ka thënë për KALLXO.com se pas analizat laboratorike (epidemiologjik dhe rezultateve mikrobiologjike) është konstatuar se ‘Salmonella Enteritidis’ është shkaktar i helmimit të qytetarëve në Mitrovicë.

“Majonezi dhe majonez me përshutë kanë rezultuar me Salmonella Enteritidis në rastin e helmimit në Mitrovicë”- ka thënë Thaçi.

Thaçi ka thënë se pas njoftimit, (më 6 tetor) inspektorët sanitarë të AUV-së në Mitrovicë kanë dalë në vend ngjarje bashkë me ekipin e QRSHP-ës dhe Policisë, kanë mostrat për analazia laboratorike.

“Në bazë të hulumtimit epidemiologjik dhe rezultateve mikrobiologjike vlerësohet Epidemi kolektive e shkaktuar nga Salmonella Enteritidis.  Salmonella Enteritidis u izolua në mostra të ushqimit (majonez dhe majonez me përshutë) dhe në mostra humane. Staphylococcus aureus u izolua në strishot e marra nga duart e personit që ka përgatitur dhe shërbyer ushqimin si dhe  nga kapësja e ushqimit”- kanë thënë zëdhënësi Thaçi për KALLXO.com.

Ai ka thënë se lidhur me këtë është iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj personit përgjegjës të biznesit individual ku u helmuan qytetarët.

“Është inicuar procedurë kundërvajtëse ndaj personit përgjegjës të biznesit individual (ka kryer kundërvajtje nga neni 16, paragrafi 1 nënpagrafi 1.1  që sanksionohen sipas nenit 40 paragrafi 1.3,  të Ligjit Nr. 08/120 për Ushqimin). Subjekti afarist vazhdon të jetë i mbyllur deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara në urdhëresat me proces inspektues”, kanë thënë nga AUV.

Më 6 tetor 2023, AUV mbylli një lokal të ushqimeve të shpejta në Mitrovicë pasi që mëse 30 veta u helmuan nga ushqimi që konsuamuan aty.