Policia e Kosovës: Asgjësohen rreth 2 mijë kilogramë mish
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë gjetur dhe asgjësuar 2,000 kilogramë mish me afat të skaduar në disa kompani në rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës.
Sipas një komunikate, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia Rajonale Prishtinë, ka pranuar informacion mbi dyshimin që disa nga prodhuesit e produkteve të mishit, janë duke abuzuar me produktet me afat të skaduar, duke filluar nga shitja e tyre me çmim më të lirë, e deri tek ripërpunimi i tyre dhe ofrimi për konsum.
“Më datën 20.10.2023 në konsultim me Prokurorinë Themelore, është realizuar Plani Operativ në bashkëpunim me Inspektoratin e AUV-it me ç’ rast janë kontrolluar disa kompani, në tri lokacione të ndryshme (Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë), ku është bërë kontrollimi i gjithmbarshëm i mallrave/produkteve dhe dokumentacionit përcjellës”- thuhet në njoftim.
Në njoftim theksohet se në lokacionet e inspektuara janë gjetur rreth 2 mijë kilogramë mish dhe produkte të mishit me afat të skaduar, ku një pjesë është asgjësuar ndërsa një pjese i janë marrë mostrat për dërgim në laborator.
Pas kontrollimit të lokacioneve, në komunikatë bëhet e ditur se është përpiluar procesverbal mbi ecurinë e operacionit, ndërsa është iniciuar rasti – prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë, me ç’rast nga njësitet e DHKEK-së janë duke vazhduar veprimet operativo-hetimore.
KALLXO.com ka raportuar pak më parë se rasti është duke u trajtuar dhe hetuar në drejtim të veprës penale – vënia në qarkullim e produkteve të dëmshme ushqimore.
“Pasi që është kontaktuar Prokurori i shtetit, i njëjti e ka ndaluar për 48 orë personin përgjegjës të kompanisë. Njëkohësisht është hapur edhe ndaj personit juridik rasti” – kanë thënë nga Prokuroria e Pejës për KALLXO.com.
Sipas AUV, në këtë aksion nga tri grupe të ndara me ekipe janë inspektuar dy lokacione në regjionin e Mitrovicës, dy të tjera në regjionin e Prishtinës dhe një lokacion në regjionin e Pejës.
Në regjionin e Pejës bëhet fjalë për kompaninë ”Buquku”, në të cilën janë asgjësuar 1,550 kg mish dhe produkte mishi.
“Në regjionin e Pejës është kontrolluar fabrika e përpunimit të mishit “Buquku”, në të cilin ekipi i kontrollit ka gjetur një sasi prej 1,550 kg mish dhe produkte mishi, të cilat janë futur në ngrirje të thellë dhe kanë qenë të vendosura në qese plastike në të cilat nuk ka pasur kurrfarë deklaracioni mbi origjinën dhe datën e skandecës. Ato menjëherë janë konfiskuar dhe asgjësuar në deponinë e mbeturinave” – ka bërë të ditur Thaçi për KALLXO.com.
Mirëpo, në hapësirat e linjës së përpunimit të kësaj fabrike, sipas Thaçit, nuk është vërejtur ndonjë parregullsi.
Ndërsa, në regjionin e Mitrovicës janë inspektuar dy mishtore të kompanisë ‘’Apetit’’, njëra në komunën e Vushtrrisë dhe tjetra në komunën e Mitrovicës, dhe është asgjësuar një sasi e mishit.
“Inspektorati veterinar gjatë inspektimit ka gjetur dhe asgjësuar një sasi të vogël të mishit dhe produkteve të mishit në sasi prej 69 kg, si dhe aty është gjetur një sasi prej 10 kg biber dhe shtesa ushqimore (sojë) të cilat kanë qenë pa dokumentacion” – ka njoftuar Thaçi.
Më tej, Thaçi ka treguar se në regjionin e Prishtinës, ku është kontrolluar depoja e ruajtjes së produkteve ushqimore e “Kosmonte Foods “, në këtë rast AUV nuk ka gjetur apo evidentuar ndonjë shkelje.
Por, e njëjta nuk ka ndodhur në restorantin “Kosmonte”.
“Ndërsa në restorantin “Kosmonte” është asgjësuar një sasi e mishit dhe produkteve të mishit prej 7 kg të cilat nuk kanë poseduar deklaracion” – ka shtuar Thaçi.
Sipas AUV, ndaj këtyre bizneseve ku janë evidentuar shkelje ligjore do të ndërmerren masa bazuar në legjislacionin në fuqi.
AUV asgjëson 1,550 kg mish të kompanisë “Buquku”, ndalohet për 48 orë përgjegjësi i saj
Shënim: Artikulli është edituar, duke u shtuar deklarimi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës