Lokali ku dyshohet se u helmuan qytetarët në Malishevë. Foto: AUV

AUV asgjëson mbi 60 kg produkte mishi në lokalin ku dyshohet se u helmuan qytetarët në Malishevë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar 64 kilogramë produkte mishi në lokalin ku dyshohet se u helmuan dhjetëra qytetarë në Malishevë.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka thënë se nga informatat që kanë, numri i pacientëve të helmuar është përafërsisht 100.

Ai ka thënë se në këtë lokal janë marrë 5 mostra të produkteve ushqimore dhe 26 strisho nga hapësirat e punës mjetet e punës dhe duart e personelit.

“Të gjitha mostrat janë nisur për laboratorin e IKSHP Prishtinë ku edhe do të testohen në disa parametra. Pas përfundimit të mostrimit produktet të cilat nuk kanë poseduar dokumentacion janë asgjësuar sasia totale 64 kg kryesisht mish produkte mishi”- ka thënë ai.

Thaçi tha se sot kanë vazhduar procedurat në mbledhjen e fakteve në bashkëpunim më Prokurorinë.

“Janë duke u kryer anketat epidemiologjike dhe në vazhdimësi merren mostra të koprokulturës dhe vjelljeve për analiza në institut. Me qëllim të identifikimit të shkaktarit që ka çuar deri të helmimi. Nga informatat e fundit janë përafërsisht 100 pacientë të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF Malishevë dhe Spitalin Rajonal në Prizren dhe QKUK”- tha ai.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka reaguar lidhur me helmimin e disa qytetarëve në Malishevë.

Ai ka thënë se mbrëmë ka vizituar të hospitalizuarit në Klinikën Infektive në QKUK.

Sipas tij, gjendja e të gjithë të hospitalizuarave pas marrjes së trajtimit mjekësor është e qetë dhe stabile.

Ndërsa, ka shtuar se Inspektoratet dhe organet ligjzbatuese janë në terren dhe kanë marrë të gjitha të dhënat lidhur me rastin dhe burimin e shkakun e helmimit.

Drejtori i Shëndetësisë në Malishevë jep detaje pas helimimit të dhjetëra qytetarëve në një lokal