Trupi i Poetit Podrimja Kthehet të Enjten

Ministria e Jashtme, përmes Ambasadës së Kosovës në Paris, ka aranzhuar transportimin e trupit të poetit Podrimja në atdhe.

Ai pritet të arrijë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, të enjten në ora 8:55, nga Gjeneva, bën të ditur MPJ nëpërmes një komunikate shtypi. 

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK) ka njoftuar se varrimi i akademikut Podrimja do të bëhet të enjten, në orën 14:30, në varrezat e Prishtinës.

Homazhet në nderim të jetës dhe veprës së akademik Podrimjes mbahen në mjediset e Akademisë, prej orës 12 deri në 14, bëri të ditur AShAK, nëpërmes një komunikate shtypi.

Edhe Ambasada e Kosovës në Francë gjatë të premtes në Paris, do të mbajë një akademi përkujtimore për nder të jetës dhe veprës së poetit Podrimja, ku pritet të marrin pjesë trupi diplomatik i akredituar në Paris, përfaqësues të institucioneve franceze, poetë, shkrimtarë e intelektualë francezë si dhe qytetarë të tjerë.

Poeti më i mirënjohur kosovar, veprat e të cilat janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, u gjet i vdekur në një vendpiknik në rrethinë të Lodève, në jug të Francës. Ai ndodhej atje si përfaqësues i Shqipërisë në Festivalin e Poezisë “La Voix de la Mediterranée” (Zëri i Mesdheut). 

Autoritetet franceze kanë kryer obduksionin e trupit të pajetë të poetit. Por, raporti i autopsisë nuk pritet të mbërrijë në Kosovë para dy javësh, për shkak të procedurave ligjore që duhen zbatuar.

Ndërkohë, sipas raportimeve të medieve, autopsia ka treguar se mbi të nuk është ushtruar dhunë dhe as nuk ka bërë vetëvrasje. Ndërkohë gazeta Express shkruan sot se ka supozime se akademik Podrimja ka humbur orientimin në pyll dhe ka vdekur si pasojë e dehidratimit.