Ilustrim

Tenderi 5 milionësh i AQP-së për bileta të aeroplanit, OShP konstaton shkelje ligjore

Në tenderin mbi 5 milionë euro, për shërbimet e transportit ajror, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), gjeti shkelje të Ligjit për Prokurim Publik nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) dhe çmime jo të rregullta. Për tenderin në fjalë, OShP vendosi të rivlerësohet.

Si palë e pa kënaqur, lidhur me rekomandimin për kontratë nga AQP për operatorin ekonomik “Altavia Travel” Sh.P.K., ankuesi “Malësia Reisen” Sh.P.K., iu drejtua gjykatës së tenderëve, OShP-së.

Pas ankesës, OShP kishte autorizuar ekspertin shqyrtues, i cili pas shqyrtimit të lëndes ishte i mendimit që të vazhdohej tutje me aktivitetin e prokurimit pasi vetëm pretendimi që lidhet me transparencën është i bazuar, ndërsa pretendimet tjera të operatorit ekonomik të pakënaqur i vlerësoi si jo të bazuara.

“Eksperti shqyrtues në raportin e tij kishte dhënë mendimin se AK duhet të vazhdoj me aktivitet të  prokurimit pas që vetëm pretendimi ankimor për mos qasje në çmimin ofertues mund të konsiderohet si pretendimi i pjesshëm, por që nuk ndikon në rezultatin”, thuhet në vendim.

AQP ishte pajtuar me mendimin e ekspertit sa i përket vazhdimit të aktivitet, ndërsa nuk është pajtuar me pretendimet për mos qasje në çmimin e ofertuesit të rekomanduar për kontratë, pasi sipas tyre, çmimi ishte publik nëpërmes procesverbalit të hapjes.

Me mendimin e ekspertit shqyrtues nuk ishte pajtuar  operatori ekonomik ankues, “Malesia Resien” Sh.P.K.

Në seancën e datë 23 mars 2021, Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte dhënë vendimin e vetë për pretendimet e ngritura.

Lidhur me pretendimet e operatorit ekonomik ankues “Malesia Resien”, se autoriteti kontratkues, AQP, nuk kishte ofruar të gjithë dokumentacionin dhe përgjigjen me sqarime se si është arsyetuar çmimi i ofertës së rekomanduar për kontratë me arsyetimin se i ka deklaruar sekrete afariste.

Paneli Shqyrtues thotë se AQP veproi në kundërshtim me nenin 10 të LPP-së.

“Paneli Shqyrtues lidhur me këtë pretendim ankimor sqaron se në këtë rast, AK ka vepruar në kundërshtim me nenin 10 të LPP-së, në mungesë të informacioneve, ashtu siç është e paraparë me nenin 10 te mjetet e transparencës. Paneli shqyrtues e konsideron se kjo shkelje mund t’i paraprijë shkeljeve të tjera eventuale të cilat kanë të bëjnë sikurse me pretendimet e OE ankues se AK ka shkelë nenin 1, 7, 59 dhe 60”, thuhet në vendim.

Për pretendimin tjetër të ankuesit, lidhur me çmimin e shërbimit prej 0.06 cent për biletë në raport me çmimet më të larta të konkurruesve tjerë nga 4.20, 4.30 dhe 15 euro për biletë, paneli konsideron se ka mospërputhje të madhe.

“Paneli Shqyrtues konsideron se këto çmime në shërbim të operatorëve ekonomik kanë një mospërputhje të madhe gjë që paraqet çmime jo të rregullta. Andaj, Paneli Shqyrtues konsideron se ankesa është pjesërisht e bazuar sepse shkelja e nenit 10 i ka parapri  shkeljeve eventuale të cilat mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar”, thotë Paneli Shqyrtues.

Paneli shqyrtues, vjen në përfundim se autoriteti kontraktues me rastin e kërkesës në qasje për dokumente të ankuesit ka vepruar në kundërshtim me nenin 10 të LPP-së, dhe në mungesë të informatave – shkelja e nenit 10 i ka paraprirë shkeljeve të tjera në ankesë.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP): Vendim 173/21
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP): Vendim 173/21

Kallxo.com ka shkruar edhe më parë lidhur me këtë tender 5 milionësh për biletat e udhëtimit me aeroplan.

Tenderi 5 milionësh për aviobileta shkon në OSHP