FOTO ILUSTRIM PROKURIMI

Në 2021-ën AQP lidhi tri kontrata në vlerë 9.5 milionë euro për tenderët e nisur në 2020-ën

Ndonëse në mungesë të vendimit qeveritar, AQP nuk inicioi asnjë tender për listën e artikujve për përdorim të përbashkët, në anën tjetër kontraktoi tri kontrata të centralizuara me vlerë milionëshe, dhe 82 kontrata të tjera për agjencitë e pavarura për të cilat AQP kryen procedurat tenderuese.

Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) e cila ka mandat të veprojë si autoritet kontraktues në emër të gjitha OB-ve [Organizata Buxhetore], sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm, nuk ka iniciuar asnjë aktivitet të prokurimit gjatë vitit 2021 për shkak se ka munguar vendimi i Qeverisë së Kosovës për listën e artikujve për përdorim të përbashkët.

Megjithatë, tutje thuhet se AQP-ja ka lidhur tri kontrata të centralizuara në vlerë prej 9,5 milionë euro për aktivitetet e prokurimit që ishin iniciuar në vitin 2020.

Në anën tjetër, me vlerë mbi 1.6 milionë euro apo mbi 6.6 për qind më shumë se në vitin 2020, AQP lidhi 82 kontrata për agjencitë e pavarura që kanë me më pak se 50 punësuar.

“Përveç kësaj, AQP-ja ka zhvilluar 82 aktivitete të prokurimit (për 16 IP) dhe ka lidhur po aq kontrata për OB-të që nuk e kanë funksionin e prokurimit të inkorporuar brenda organizatës së tyre (agjencitë e pavarura me më pak se 50 të punësuar). Vlera e këtyre kontratave është mbi 1,6 milionë euro ose 6,6% më lartë se në vitin paraprak”- thuhet në raport.

Kjo u bë e ditur nga raporti i Auditorit të Përgjithshëm për raportin vjetor financiar të Qeverisë për Buxhetin e Republikës së Kosovës.