iPad - Foto: Wikimedia.org

3 mijë euro për dy iPAD, ndau Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil

Për plotësimin e nevojave të veta, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, ka ndarë 3 mijë euro për blerjen e dy iPAD-ve.

“Furnizim me (2) I-PAD për nevojat e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin civil të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Agjencia Qendrore e Prokurimit, ka iniciuar thirrjen për kontratë për ta realizuar furnizimin për këtë Këshill.

Për këtë tender, AQP, përdori procedurën e koutimit të çmimit me kriter të dhënies së kontratës, çmimi më i ulët.

Ndryshe, në muajin tetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës kishte votuar përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të pavarur mbikëqyrës për shërbyes civil. Anëtarët e përzgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, kanë mandat shtatë vjeçar pa mundësi të rizgjedhjes.

Lidhur me blerjen e iPAD-ve, në raportin e monitorimit të prokurimit publik të vitit 2014, nga BIRN me titull “Arka e Favoreve”, përmendet se si Kuvendi i Kosovës kishte blerë mbi 140 iPAD, me procedurë të negociuar, duke e shmangur procedurën e hapur dhe konkurrencën e lirë. Për një të tillë, Kuvendi i Kosovës kishte paguar 620 euro.

Ndërsa një vit më vonë, Instituti GAP, doli me një analizë lidhur me blerjen e laptopëve, tabletëve e iPAD-ve nga Kuvendi i Kosovës  të cilat ishin realizuar me arsyetimin për  t’u ndihmuar deputetëve në punën e tyre si dhe kursimin e shpenzimeve të letrës dhe printimit.

Sipas instituti GAP, blerja e këtyre pajisjeve nuk ka pasur kurrfarë ndikimi në kursimin e shpenzimeve në të cilat ishin thirrur.

“Mirëpo, sipas të dhënave të siguruara nga Instituti GAP, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, del se futja në përdorim e laptopëve, nuk ka pasur ndikim në shpenzimet për letër, aparate fotokopjimi dhe printimi, ngjyrë për fotokopje dhe printer”, thuhet në analizën e GAP.