Foto: Facebook / Prishtina International Airport - Adem Jashari

Dyshime në çmimet që rrezikojnë përmbushjen e kontratës 5 milionëshe për aviobileta

Kontrata mbi 5 milionë euro për shërbimet e transportit ajror, e cila hyri në fuqi me një dhjetor të vitit që shkoi, u shoqërua me kërkesa për rishqyrtim e ankesa në ‘gjykatën e tenderëve’, me pretendime për çmime jo normalisht të ulëta të cilat u konfirmuan si pjesërisht të bazuar nga ekspertiza, ngrenë dyshime për mundësinë e përmbushjes së kontratës.

Deri në vitin 2016, institucionet që kanë pasur nevojë për transport ajror e kanë bërë atë përmes kontratave individuale.

Prej vitit 2016, institucionet e nivelit qendror fillimisht, e më pas edhe ato të nivelit lokal, janë përfshirë në kontratën e centralizuar për shërbimet e transportit ajror. Përgjegjëse për këtë aktivitet të prokurimit të centralizuar dhe lidhjen e kontratave, është Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP).

Deri në nëntor të vitit 2020, AQP-ja ka nënshkruar dy kontrata të tilla, për shërbime të transportit ajror.

Vetëm te kontrata e parë për bileta u shpenzuan rreth 1.1 milion euro. Ku këto mjete do të mund të kurseheshin nëse në udhëtimet zyrtare nuk do të zgjedhnin bileta luksoze, por bileta më të lira ekonomike, ndërsa kontrata e dytë deri në dhjetor të vitit 2021.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), vlera e kontratës së parë ishte 4 milionë e 773 mijë e 200 euro, ndërsa kishte afat për zbatim 36 muaj, nga viti 2016 deri më 2019, ndërsa kontrata e dytë kishte vlerën e 5 milionë euro dhe afatin e zbatimit e kishte për 14 muaj.

Dy kontrata të centralizuara, për vitet 2016-2019 nga Agjencia Qendrore e Prokurimit për udhëtimet e zyrtarëve publik jashtë vendit, i kushtuan buxhetit të Kosovës 9.6 milionë euro.

Kontrata e tretë për aviobileta

Pas njoftimit paraprak të datës 29 qershor 2020, AQP hapi thirrjen për kontratë për shërbimet e transportit ajror. Tenderi ka të bëjë me furnizimin me bileta aeroplani për nevojat e stafit të Autoriteve Kontraktuese në udhëtime zyrtare, ndërsa sipas AQP-së, relacionet nuk mund të definoheshin paraprakisht.

Kohëzgjatja e kontratës parashikohej për një periudhë prej 36 muajve, dhe për nënshkrimin e saj, AQP kishte zotuar 5,100,000 euro. Më këto mjete buxhetore, pritet të blihen 12,500 bileta.

Procedurë e hapur, ishte lloji i procedurës së përdorur për këtë aktivitet të prokurimit, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Sipas AQP, u panuan katër tenderë nga operatorët ekonomik. Tenderi i përgjegjshëm me cmimi më të lartë të ofertuar ishte 5,187,500 euro ndërsai tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët ishte 5,000,750 euro i kompanisë “Altavia Travel” Sh.P.K. Me kompaninë në fjalë, të rekomanduar për kontratë, AQP më pas nënshkroi edhe kontratë.

Për të mësuar më tepër rreth këtij aktivitet të prokurimit, KALLXO.com ka dërguar pyetje në AQP dhe sipas tyre edhe ky tender është trajtuar sikur tenderët e tjerë.

“Çdo procedurë e prokurimit e iniciuar nga AQP publikohet në e-prokurim, edhe procedura e prokurimit për shërbimet e transporti ajror nuk bënë dallim dhe i gjithë aktiviteti është në platformën elektronike të prokurimit publik. Kontrata e nënshkruar është publikuar si çdo kontrate tjetër e AQP-së“, thuhet në përgjigjen e AQP-së.

Tutje nga AQP thonë se të gjitha informatat lidhur me vlerën, afatet, mënyrën e procesimit të biletave, pagesat dhe të gjitha informatat tjera i gjeni në kontratë, ndërsa shfrytëzues të kontratës janë institucionet e nivelit lokal dhe nivelit qendror.

Sipas AQP, rekomandimet e auditorit janë zbatuar në kontratën aktuale.

“Rekomandimet e auditorit megjithëse i kemi pranuar pas vlerësimit të ofertave për kontratën aktuale ato janë zbatuar”, tregon AQP.

Auditori kishte rekomanduar AQP-së, të bëjnë një planifikim më të mirë të aktivitetit të prokurimit (bazuar në analizë e kontratave aktuale dhe paraprake) në mënyrë që të parashikojë më saktë çmimin e tarifës së shërbimit për biletë.

Në planin e veprimit të AQP-së thuhet se janë bërë këto analiza.

“Kemi bërë analiza të tilla duke ulur dukshëm vlerën e parashikuar të kontratës për tarifën e shërbimit ndërsa vlera prej 400 euro nuk është vlera që ka ndikim por edhe kjo vlerë do të analizohet për procedurat e ardhshme”, thotë AQP.

Për rekomandimin lidhur me nevojat për bileta sipas klasës së udhëtimit nga AQP thonë së është përfshirë në kontratë tek shërbimet e veçanta.

“ Ky rekomandim, mbulohet nga rekomandimi i auditorit për Qeverinë e Kosovës dhe në kontratën e ardhshme  është shtuar tek kushtet e veçanta: Çdo vendim apo miratim/ndryshim i UA nga Qeveria e Kosovës gjatë koëhëzgjatjes ës kontratës që adreson çështjen e klasave të lejuara të udhëtimit me transport ajror për zyrtarët publik duhet të respektohen nga të gjitha palët që e shfrytëzojnë këtë kontratë”, tregon AQP.

Lidhur me atë, që AQP në dosje të tenderi të përfshijë vetëm kërkesa të nevojshme dhe të arsyshem në mënyrë që të shmanget ngritja e çmimit të shërbimit, nga AQP thonë se kanë hequr kërkesa për puëntorë ndërkohë që priten të vlerësohen edhe të tjera në të ardhmen.

Ndërsa përdorimi e procedurës me mini-tender si mundësi për më shumë konkurrencë dhe shpenzime më të ulëta, nga AQP po shihet si problemtike.

“E drejta për ankesa edhe në minitender është problem për realizimin e kësaj kontrate në këtë lloj të procedurëss, ndryshime ligjore në LPP mund të mundësojnë përdorimin e kësaj procedure në të ardhmen, gjithashtu duke pasur parasysh që cmimet e biletave janë momentale përdorimi i kësaj procedurë do të jetë problem po gjithësesi AQP do e shtrojë si temë diskutimi”, thuhet nga AQP.

Me kontratën e nënshkruar, palët janë marrë vesh që vlera e parashikuar e saj prej 5,000,750 për blerjen e 12,500 biletave. Në kuadër të kësaj vlere të kontratës është përfshirë çmimi për tarifën e shërbimit prej 0.06 cent apo gjithsej 750 euro për totalin indikativ të biletave.

Kontrata ka hyrë në fuqi më datën 1 dhjetor 2021 dhe zgjatë deri më 30 nëntor 2024, ka një kohëzgjatje prej 36 muajve.

Dyshime për çmime jo normalisht të ulëta

Para se kontrata të nënshkruhej me fituesin e tenderi, në adresën e AQP-së, muaj më parë ishte parashtruar kërkesë nga kompania “Malësia Reisen” Sh.P.K për rishqyrtim të vendimit. 

Pas refuzimit të kërkesës për rishqyrtim nga ana e AQP-së, të datës 17.06.2021, kompania, pas një jave ankohet në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), se AQP nuk i kishte dhënë qasje në të gjitha dokumenteve të sqarimeve nga OE i rekomanduar për kontratë me justifikimin e sekreteve afariste.

Në ankesën 491/21 të datës 25 qershor 2021, kompania përmend edhe vendimin e panelit shqyrtues  173/21 të datës  24 mars 2021, të  vlerësimit të parë ku kishte konstatuar se AQP kishte shkelë neni 110 të LPP-së pas nuk kishte lejuar qasje në dokumentët e operatorit ekonomik të rekomanduar për kontratë.

Gjithashtu OShP kishte konstatuar mospërputhje të madhe në çmime nga operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë në raport me ofertuesit tjerë.

Në mes tjerash, operatori ekonomik ankues tregon se përse nuk mundë të përmbushet kjo kontratë.

“Ne kemi pasur kontratë me AQP dhe cmimet e përafërtë si ky OE i rekomanduar për kontratë, dhe kemi hasur në shumë vështirësi për të përmbushur kontratën, prandaj duke pasur parasysh këtë fakt kemi ndryshuar tani çmimin ofertues dhe kemi ofertuar me çmim prej 4.20 €, ndërsa në total derl 52,500.00”, thuhet në mes tjerash në ankesë.

Tutje në ankuesi  sqaron se vetëm operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë ka ofertuar me 0.06 centë për biletë, ndërsa ofertuesit tjerë me çmime 4.30 euro dhe 15 euro për biletë.

Operatori ekonomik ankues, kërkon nga OShP që të aprovoj si të bazuar ankesën, dhe ta anuloj vendimin për dhënie të kontratës dhe tenderi të kthehet në rivlerësim, ku njëkohësisht kishte kërkuar që ekspertiza të mos bëhej nga i njëjti ekspert i ankesës paraprake.

Në raportin e ekspertizës të datës 6 korrik 2021, eksperti shqyrtues sqaron se përkundër faktit se paneli shqyrtues në arsyetim të vendimit të lartë shënuar kishte potencuar se çmimet për shërbim të operatorëve ekonomik kanë një mospërputhje të madhe gjë që paraqet çmime jo të rregullta. Bazuar në dispozitivin e nenit 61, të LPP-së, si dhe rregullat për çmime jo normalisht të ulëta (legjislacioni sekondar), njifen vetëm çmimet jo normalishtë të ulëta dhe kur një tender apo pozicion i tenderit duhet të jetë abnormalisht i ulët, AK-të duhet të kërkojnë me shkrim nga operatori ekonomik i cili ka dorëzuar tenderin.

Tutje, eksperti shqyrtues këtë pretendim ankimor e kualifikon si pjesërisht të bazuar.

“… megjithatë AK-AQP, ofertën financiare të operatorit ekonomik të ri-rekomanduar për dhënie të kontratës e ka trajtuar si të mirëqenë. Për më tepër AK-AQP, ka marr rikonfirmim nga operatori ekonomik i rekomanduar për dhënie të kontratës, ku edhe ka vazhduar vlefshmërinë dhe siguria e ofertës, rrjedhimisht janë aplikuar masat e sigurisë siç është aplikimi i sigurimit të ekzekutimit të kontratës, prandaj këtë pretendim ankimor e kualifikojmë si pjesërish të bazuar”, thuhet në raportin e ekspertit shqyrtues.

Eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e operatorit ekonomik ankues “Malësia Resien” Sh.P.K të aprovohet si pjesërisht e bazuar dhe vendimi për dhënie të kontratës të mbetet në fuqi.

Për ankesën e cila është shqyrtuar nga eksperti shqyrtues, nuk mund të merret ndonjë vendim si rezultat i mos funksionalizimit të bordit të OShP-së., gjithashtu sipas faqes zyrtare të OShP-së, ka skaduar afati ligjor.

Në rastin parë, OShP kishte konstatuar shkelje ligjore

Në tenderin milionësh, për shërbimet e transportit ajror, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), gjeti shkelje të Ligjit për Prokurim Publik nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) dhe çmime jo të rregullta. Për tenderin në fjalë, OShP kishte vendos të rivlerësohej.

Si palë e pa kënaqur, lidhur me rekomandimin për kontratë nga AQP për operatorin ekonomik “Altavia Travel” Sh.P.K., ankuesi “Malësia Reisen” Sh.P.K., iu drejtua gjykatës së tenderëve, OShP-së.

Pas ankesës, OShP kishte autorizuar ekspertin shqyrtues, i cili pas shqyrtimit të lëndës ishte i mendimit që të vazhdohej tutje me aktivitetin e prokurimit pasi vetëm pretendimi që lidhet me transparencën është i bazuar, ndërsa pretendimet tjera të operatorit ekonomik të pakënaqur i vlerësoi si jo të bazuara.

“Eksperti shqyrtues në raportin e tij kishte dhënë mendimin se AK duhet të vazhdoj me aktivitet të  prokurimit pasi që vetëm pretendimi ankimor për mos qasje në çmimin ofertues mund të konsiderohet si pretendimi i pjesshëm, por që nuk ndikon në rezultatin”, thuhet në vendim.

AQP ishte pajtuar me mendimin e ekspertit sa i përket vazhdimit të aktivitet, ndërsa nuk është pajtuar me pretendimet për mos qasje në çmimin e ofertuesit të rekomanduar për kontratë, pasi sipas tyre, çmimi ishte publik nëpërmes procesverbalit të hapjes.

Me mendimin e ekspertit shqyrtues nuk ishte pajtuar  operatori ekonomik ankues, “Malësia Resien” Sh.P.K.

Në seancën e datë 23 mars 2021, Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte dhënë vendimin e vetë për pretendimet e ngritura.

Lidhur me pretendimet e operatorit ekonomik ankues “Malësia Resien”, se autoriteti kontratkues, AQP, nuk kishte ofruar të gjithë dokumentacionin dhe përgjigjen me sqarime se si është arsyetuar çmimi i ofertës së rekomanduar për kontratë me arsyetimin se i ka deklaruar sekrete afariste.

Paneli Shqyrtues thotë se AQP veproi në kundërshtim me nenin 10 të LPP-së.

“Paneli Shqyrtues lidhur me këtë pretendim ankimor sqaron se në këtë rast, AK ka vepruar në kundërshtim me nenin 10 të LPP-së, në mungesë të informacioneve, ashtu siç është e paraparë me nenin 10 te mjetet e transparencës. Paneli shqyrtues e konsideron se kjo shkelje mund t’i paraprijë shkeljeve të tjera eventuale të cilat kanë të bëjnë sikurse me pretendimet e OE ankues se AK ka shkelë nenin 1, 7, 59 dhe 60”, thuhet në vendim.

Për pretendimin tjetër të ankuesit, lidhur me çmimin e shërbimit prej 0.06 cent për biletë në raport me çmimet më të larta të konkurruesve tjerë nga 4.20, 4.30 dhe 15 euro për biletë, paneli konsideron se ka mospërputhje të madhe.

“Paneli Shqyrtues konsideron se këto çmime në shërbim të operatorëve ekonomik kanë një mospërputhje të madhe gjë që paraqet çmime jo të rregullta. Andaj, Paneli Shqyrtues konsideron se ankesa është pjesërisht e bazuar sepse shkelja e nenit 10 i ka parapri  shkeljeve eventuale të cilat mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar”, thotë Paneli Shqyrtues.

Paneli shqyrtues, vjen në përfundim se autoriteti kontraktues me rastin e kërkesës në qasje për dokumente të ankuesit ka vepruar në kundërshtim me nenin 10 të LPP-së, dhe në mungesë të informatave – shkelja e nenit 10 i ka paraprirë shkeljeve të tjera në ankesë.

Kompania fitues, kishte mohuar se çmimi i ofertës është jo normalisht i ulët

AQP-a e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë “Altavia Travels “Sh.P.K, me çmim të ofertës prej 5,000,750 euro, ndërsa çmimin më i lartë i ofertuar për këtë tender ishte 5,187,500 euro.

Në bazë të procesverbalit të hapjes, kompania e “Altavia Travels “Sh.P.K, ka ofertuar 51,750 euro më lirë se sa kompania e dytë me çmimin më të ulët njëherësh kompani ankuese, “Malësia Reisen” Sh.P.K.

Me vendimin e AQP-së, nuk ishte pajtuar, kompania konkurrues “Malësia Reisen”, Sh.P.K,  e cila kishte kërkuar nga AQP që ta bëj rishqyrtimin e këtij tenderi. Këtë kërkesë AQP e kishte refuzuar si të pa pabazuar.

KALLXO.com kishte kontaktuar njërin prej pronarëve të kompanisë “Altavia Travel” Sh.P.K., Ibrahim Krivaqa, mirëpo i njëjti kishte sugjeruar që të kontaktohet përfaqësuesja e kompanisë, Naime Abdulla- Beqiri, pasi sipas tij, nuk ishte i informuar në lidhje me rastin.

Në një përgjigje me shkrim, përfaqësuesja e kompanisë, Naime Abdulla- Beqiri, ka thënë se pretendimet e ‘Malësia Reisen’ nuk qëndrojnë, pasi sipas saj, çmimi i ofertuar nuk është jo-normalisht i ulët.

“Për t`u konsideruar një tender i tillë duhet të plotësohen tri kushte. Çmimi i ofertuar të jetë më shume 30% më i ulët se çmimi mesatar i tenderëve të përgjegjshëm; Çmimi i ofertuar është më shumë se 10% më i ulët se çmimi ose kostot e tenderit të dytë më të ulët; dhe janë dorëzuar të paktën 3 tenderë”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Sipas saj, oferta e tyre është vetëm 1.46% më e ulët se mesatarja e tenderëve dhe vetëm 1.03% më e ulët se tenderi i dytë me çmimin më të ulët.

Tutje, Abdulla – Beqiri ka thënë se me çmimin e ofertuar kontratën do të mund ta zbatojnë në tërësi, pasi sipas saj, kanë mundësi të mira teknike e profesionale për zbatimin e saj. Madje, ajo ka thënë se kompania do ta ketë edhe një fitim solid nga kjo kontratë marrë parasysh përvojën që ka dhe fakti që nuk kanë nevojë për investime shtesë.

“Edhe më herët kemi pas tender nga AQP, në periudhën prej vitit 2016 – 2018. Kjo kontratë u realizuar me sukses dhe asnjëherë nuk kemi pasur asnjë problem gjatë realizimit të saj”.

Në të kaluarën, Auditori i Përgjithshëm kishte gjet që kontratat për shpenzimet e biletave të udhëtimit ishin përtej shpenzimeve të planifikuara. Një rast të tillë Auditori i kishte evidentuar tek Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), e cila kishte përdorë kontratën e AQP-së.

“Shfrytëzimi i kontratës së AQP-së ka filluar pa përfunduar afati i kontratës individuale të MZHE-së me OE. Për më tepër në kontratën e AQP-së çmimi i shërbimit për njësi ishte 1.27€, që ishte më i lartë në krahasim më kontratën paraprake prej 0.00000000001cent5 për njësi.”, thuhet në të gjeturën e raporti të ZKA-së.