Foto: Facebook / Prishtina International Airport - Adem Jashari

Dështon tenderi mbi 1.6 milionësh për bileta

Tenderi për t`u furnizuar me aviobileta, për të cilin u ndanë mbi 1.6 milionë euro, u anulua.  Mungesa e ofertave të përgjegjshme, qe arsyeja e anulimit të këtij aktiviteti prokurues.

Për më tepër, ky tender nuk ishte planifikuar për sivjet, mirëpo ndërprerja e kontratës aktuale thuhet se detyroi AQP të nis procedurë tenderuese.

Më datën 30 qershor 2022, Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), nëpërmjet platformës elektronike për prokurim publik “e-prokurimi”, hapi tenderi për blerjen e shërbimeve të aviobiletave.

Këtë aktivitet të prokurimit, AQP e  inicioi me kërkesë dhe për nevoja të autoriteteve kontraktuese të nivelit qendror dhe lokal.

Qëllimi i kontratës publike kornizë sipas AQP-së ishte që të përcaktohen kushtet që rregullojnë furnizimin me aviobileta nga operatori ekonomik.

Për t`u furnizuar me aviobileta, vlera e kontratës së parashikuar ishte 1,620,000 euro.

Lloji i procedurës së përdorur në këtë tender, ishte i hapur me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Ky aktivitet i prokurimit sipas AQP-së, nuk ishte planifikuar për sivjet.

Ky aktivitet nuk ishte planifikuar të zhvillohej këtë vit, por për shkak të kërkesës për ndërprerje së kontratës aktuale, ne u detyruam ta iniciojmë këtë aktivitet me një afat më të shkurtër”, thuhet në njoftim.

Sipas kërkesave, u parapanë të blihen 4 mijë copë bileta me çmim të planifikuar 400 euro për një të tillë pa përfshirë tarifën e shërbimit (service charge) e ofruar nga operatori ekonomik.

Për këtë tender ka ofertuar vetëm një kompani. Kompania “MC Travel” Sh.P.K, ka ofertuar me çmim 1,600,280 euro, mirëpo oferta e kompanisë në fjalë u vlerësua nga AQP ofertë e pa përgjegjshme.

Në mungesë të ofertave të përgjegjshme AQP merr vendim të anuloj këtë aktivitet të prokurimit.

Aktiviteti anulohet në mungesë të ofertave të përgjegjshme“, thuhet në njoftimin për anulim të këtij tenderi.