Ilustrim

Tenderi 5 milionësh për aviobileta shkon në OSHP

Tenderi i Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP) për aviobileta pritet të vendoset nga gjykata e tenderëve pas ankesave se kompania e rekomanduar për kontratë ka dorëzuar oferta me çmim jo-normalisht të ulëta.

AQP-a e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Altavia Travels “Sh.P.K, me çmim të ofertës prej 5,000,750 euro, ndërsa çmimin më i lartë i ofertuar për këtë tender ishte 5,187,500 euro.

Në bazë të procesverbalit të hapjes, kompania e “Altavia Travels “Sh.P.K, ka ofertuar 51,750 euro më lirë se sa kompania e dytë me çmimin më të ulët njëherësh kompani ankuese, “Malësia Reisen” Sh.P.K.

Me vendimin e AQP-së, nuk ishte pajtuar, kompania konkurrues “Malësia Reisen”, Sh.P.K,  e cila kishte kërkuar nga AQP që ta bëj rishqyrtimin e këtij tenderi. Këtë kërkesë AQP e kishte refuzuar si të pa pabazuar.

Në kërkesën e kompanisë ankuese drejtuar AQP-së, thuhet se është kërkuar qasje në dokumentacionit të operatorit ekonomik të rekomanduar për kontratë, ndërsa nga AQP është ofruar vetëm një pjesë të tyre nën arsyetimin  e sekreteve afariste të kompanisë së rekomanduar për kontratë.

Kompania  dyshon se operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë mund ta përmbush kontratën me çmimin e ofruar, ku në mes tjerash përmendin se nuk dihen relacionet e udhëtimeve, udhëtime në relacionet më të shtrenjta, pastaj përmenden  shpenzimet për pagat e punëtorëve, pagesën për sigurimin e tenderit dhe sigurimin e ekzekutimit.

AQP i ka hedhur poshtë pretendimet e kompanisë ankuese, duke e lë në fuqi vendimin për rekomandim të kompanisë “Altavia Travels Sh.P.K”.

Por, kompania “Malësia Reisen Sh.P.K” është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) duke insistuar që kompania e rekomanduar për kontratë ka ofertuar me çmime jo-normalisht të ulëta dhe se nuk mund të përmbush kontratën.

“Duke marrë parasysh se nuk dihen relacionet e udhëtimeve, sepse në disa raste mund të ketë udhëtime në shumë relacione, ku biletat kushtojnë shumë më shtrenjtë”, thuhet në ankesë. “Ne nuk e dijmë se si Autoriteti Kontraktues është bindur që Operatori Ekonomik i rekomanduar për kontratë mund të realizojë këtë kontratë, ku Tarifën e Shërbimit e ka 0.06 euro për biletë, ndërsa në total e ka 750 euro. Është absurde të pranohet çfarëdo arsyetimi i OE në lidhje me këto çmime të shërbimeve, ku dihet që vetëm sigurimi i tenderit është rreth ose mbi 1 mijë euro”.

Tutje, “Malësia Reisen” Sh.P.K thotë se në kontratat e më hershme me AQP-në ka ofertuar me çmimet e përafërta me kompaninë që tani është rekomanduar dhe ka pasur vështirësi për të përmbushur kontratën.

“Duke e pasur parasysh këtë fakt, ne kemi ndryshuar tani çmimin ofertues dhe kemi ofertuar me çmim prej 4.20 euro, ndërsa në total del 52 mijë e 500 euro. Vetëm kompania e rekomanduar për kontratë ka ofertuar me çmim shumë të ulët të shërbimeve prej 0.06 euro për biletë, ndërsa ne kemi ofertuar me 4.20 euro, kurse “Eurokoha” ka ofertuar me 15 euro për biletë”, thuhet tutje në ankesën e “Malësia Reisen”, Sh.P.K.

KALLXO.com ka kontaktuar njërin prej pronarëve të kompanisë “Altavia Travel” Sh.P.K,  Ibrahim Krivaqa, mirëpo i njëjti ka sugjeruar që të kontaktohet përfaqësuesja e kompanisë, Naime Abdulla-Beqiri, pasi sipas tij, nuk ishte i informuar në lidhje me rastin.

Në një përgjigje me shkrim, përfaqësuesja e kompanisë, Naime Abdulla, ka thënë se pretendimet e ‘Malësia Reisen’ nuk qëndrojnë, pasi sipas saj, çmimi i ofertuar nuk është jo-normalisht i ulët.

“Për tu konsideruar një tender i tillë duhet të plotësohen tri kushte. Çmimi i ofertuar të jetë më shume 30% më i ulët se çmimi mesatar i tenderëve të përgjegjshëm; Çmimi i ofertuar është më shumë se 10% më i ulët se çmimi ose kostot e tenderit të dytë më të ulët; dhe janë dorëzuar të paktën 3 tenderë”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Sipas saj, oferta e tyre është vetëm 1.46% më e ulët se mesatarja e tenderëve dhe vetëm 1.03% më e ulët se tenderi i dytë me çmimin më të ulët.

Tutje, Abdulla ka thënë se me çmimin e ofertuar kontratën do të mund ta zbatojnë në tërësi, pasi sipas saj, kanë mundësi të mira teknike e profesionale për zbatimin e saj. Madje, ajo ka thënë se kompania do ta ketë edhe një fitim solid nga kjo kontratë marrë parasysh përvojën që ka dhe fakti që nuk kanë nevojë për investime shtesë.

“Edhe më herët kemi pas tender nga AQP, në periudhën prej vitit 2016 – 2018. Kjo kontratë u realizuar me sukses dhe asnjëherë nuk kemi pasur asnjë problem gjatë realizimit të saj”.

Kjo kontratë parashihet të zgjatë 36 muaj, ndërsa është parashikuar që vlera e kontratës të jetë deri në 5,100,000 euro. Përmes këtij aktiviteti i prokurimit, AQP planifikon të furnizohet me gjithsej 12,500 bileta, ndërsa tenderi është i hapur me kriter të dhënies së kontratës, çmimi më i ulët. Tenderi aktualisht është i pezulluar dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit pritet të marrë një vendim pas përfundimit të ekspertizës nga eksperti shqyrtues i prokurimit.

Në të kaluarën, Auditori i Përgjithshëm kishte gjet që kontratat për shpenzimet e biletave të udhëtimit ishin përtej shpenzimeve të planifikuara. Një rast të tillë Auditori i kishte evidentuar tek Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), e cila kishte përdorë kontratën e AQP-së.

“Shfrytëzimi i kontratës së AQP-së ka filluar pa përfunduar afati i kontratës individuale të MZHE-së me OE. Për më tepër në kontratën e AQP-së çmimi i shërbimit për njësi ishte 1.27€, që ishte më i lartë në krahasim më kontratën paraprake prej 0.00000000001cent5 për njësi.”, thuhet në të gjeturën e raporti të ZKA-së.

Artikulli është plotësuar me datë 17 mars në ora 18:17, me një përgjigje shtesë të kompanisë “Altavia Travel” Sh.P.K