Ilustrim

Siguria fizike e strehimoreve të viktimave të dhunës në Kosovës që po pamundësohet nga buxheti

Thirrjeve të shumta për parandalim të rasteve të dhunës në familje e në baza gjinore duket se ende nuk iu ka ardhur fundi, e kjo dëshmohet lehtë kur shihet që me dhjetëra raste të tilla ndodhin çdo ditë brenda 24 orëve, ku viktimat detyrohen që t’i raportojnë në Policinë e Kosovës dhunuesit. Vetëm në vitin 2022 janë gjithsej 2 mijë e 757 raste të dhunës në familje, totali i viktimave kapë numrin 2 mijë e 793. Sipas Policisë, nga ky numër total, 515 viktima janë të gjinisë mashkullore, përderisa pjesa tjetër janë të gjinisë femërore.

Disa nga viktimat, për shkak të pamundësisë për të vazhduar bashkëjetesën me dhunuesit, jetën e tyre e zhvendosin në qendrat strehimore.

Prishtina, Prizreni, Peja, Gjilani, Ferizaj, Gjakova, Mitrovica e Novobërda janë tetë qytete të Kosovës ku funksionojnë qendra të tilla që vazhdimisht pranojnë viktima e përkujdesen për to.

Strehimi i viktimave bëhet në çdo kohë, e koha e jetesës së tyre në qendra të tilla është e pacaktuar, ku gjithçka shkon në bazë të nevojës së viktimës e në bazë të kapaciteteve të vet strehimoreve.

Në Kosovë, sistemi është i rregulluar në atë mënyrë që qeveria kontrakton strehimore joqeveritare për të ofruar shërbime ndaj viktimave të tilla.

Aktualisht, shumica e strehimoreve u shërbejnë grave dhe fëmijëve që kanë vuajtur nga dhuna në familje dhe trafikimi. Drejtueset e këtyre qendrave kanë trguar për KALLXO.com se fatmirësisht deri më tani nuk kanë patur raste të cilat nuk kanë mundur t`i menaxhojnë dhe se në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës kanë evituar situatat më të rënda të cenimit të sigurisë së viktimave dhe të vet stafit.

Strehimoret në fjalë, përpos që ia japin një vend për të jetuar viktimave, ato edhe i ndihmojnë viktimat në procesin e rekuperimit nga dhuna në familje dhe riintegrimit e fuqizimit për të vazhduar jetesën në mënyrë sa më të pavarur në shoqëri.

Në këtë qendra, synohet që viktimat të ndjehen më të sigurta, përderisa siguria e tyre ndodhë që shpesh edhe të cenohet.

KALLXO.com ka kontaktuar me secilën nga këto qendra, e përgjigje nuk ka arritur të marr vetëm nga strehimorja në Novobërdë.

Përderisa përgjigjet e qendrave kanë treguar se siguria brenda mureve të këtyre strehimoreve mbahet përmes kamerave, qenve, kujdestareve të natës e gjithçka tjetër përpos një roje, punësimi i së cilës pozitë pamundësohet nga fondet e ulëta që kanë strehimoret.

Ilustrim

Kush dhe çka i siguron strehimoret në Kosovë?

“Kemi kamera të sigurisë”, “Kemi kujdestare gjatë natës”, “I kemi dy qenë në oborrin e objektit”, “Policia na qëndron afër”, “I gënjejmë keqtrajtuesit se jemi shtëpi private”, “Këtu jemi vetëm administrata”… por “Nuk kemi roje”.

Këto janë përgjigjet që u dhanë nga strehimoret e rajoneve të Kosovës kur flitet për sigurinë fizike që kanë ato.

Asnjëra nga shtatë strehimoret që janë përgjigjur për KALLXO.com nuk kanë dhënë përgjigje pozitive kur janë pyetur nëse objekti i tyre monitorohet nga ndonjë roje që ia ofron sigurinë viktimave, por edhe vet stafit të punëtorëve.

Përderisa, disa prej strehimoreve thonë se prezenca e një roje do i bënte të ndiheshin më të sigurta edhe viktimat, por edhe vet stafin, por që buxheti i pamjaftueshëm po jua pamundëson  që të punësojnë një punëtor të tillë.

E disa të tjera për shkaqe të ndryshme e vlerësojnë se prezenca e një roje ndoshta edhe nuk do ishte e nevojshme, nën arsyetimin që viktimat e dhunës të ndihen rehat dhe të mos ndjehen ‘si në burg’.

 

“Roja është i domosdoshëm”

Njëra prej këtyre strehimoreve për çdo vit pranon rreth 100 viktima të dhunës në familje, përderisa vitin e kaluar kishte strehuar më shumë se 80 viktima të cilat morën shërbime nga nëntë punëtoret e kësaj qendreje.

Këto nëntë punëtore, që vetëm një nga ta është burrë e që mbanë pozitën e financierit, janë të gjithë të licencuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Kapaciteti i qendrës për strehim të viktimave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore sipas drejtueses së kësaj qendreje është deri në 18 persona në të njëjtën kohë, plus dy shtretër për bebe që strehohen së bashku me prindin e tyre.

Kjo qendra strehimore, nuk ka roje, por prezenca e një personi të tillë nga ana e drejtueses së qendrës shihet e domosdoshme.

“Është e domosdoshme prania e një roje për shkak të forcimit të sigurisë për rastet të cilat i trajtojmë”- ka thënë për KALLXO.com drejtuesja e kësaj qendreje.

Ajo ka treguar se nuk kanë bërë më parë kërkesë për pranin e një roje pasi sipas saj buxheti nuk është mjaftueshëm për ta paguar.

“Jo, nuk kemi bërë kërkesë për shkak se nuk kemi mjete të mjaftueshme për të paguar edhe rojën sepse ne jemi në pronë private me qira, dhe kjo ndikon në uljen e shpenzimeve për linjat tjera buxhetore”- është shprehur ajo.

Ajo tregon se për krahasim me strehimoret e tjera që janë në prona publike, çështja e qerasë që paguajnë ka pamundësuar që të planifikojnë një linjë buxhetore për roje.

Nga kjo qendër strehimore kanë treguar për KALLXO.com se qendra ka kamera të sigurisë, e madje se janë duke u intervenuar që të shtohen edhe të tjera, pasi kriter i funksionimit të tyre është që të ketë kamera të sigurisë.

Drejtuesja e kësaj qendre është shprehur e kënaqur me bashkëpunimin që kanë me Policinë e Kosovës, për të cilët ka thënë se shohin shpesh prezencën e tyre në pjesën ku gjendet strehimorja e tyre.

Ajo ka thënë se bashkëpunimi me zyrtarët policor është i jashtëzakonshëm, duke thënë se këta të fundit bëjnë patrullime në baza ditore dhe janë të qasshëm sa herë që ka pasur kërkesë për praninë e tyre afër apo në qendër.

Ajo tregon se nuk e kanë parë asnjëherë të nevojshme që të kërkojnë monitorim më të shpeshtë të ekipeve policore afër qendrës, pasi sipas saj Policia vet ka marr një iniciativë të tillë duke u bazuar në kornizat e tyre ligjore.

Ajo ka treguar se nivelin e sigurisë brenda qendrës e sheh si mesatar, e kjo pasi kanë mungesë të një roje, ndonëse ajo tregon se nuk kanë pasur ndonjë rast i cili ka qenë me rrezikshmëri të madhe, por thotë se janë të informuar se raste të tilla mund t’iu shfaqen gjatë punës së tyre.

Mirëpo, ajo shprehet pozitive në këtë çështje pasi tregon se trajnimet e stafit kanë bërë që niveli i sigurisë fizike të jetë më i lart pasi është mësuar se si të menaxhohen situatat kur cenohet siguria, deri në intervenimin e Policisë apo të cilitdo akter tjetër.

“Vlen të ceket se intervenimi në raste të tilla është i nivelit të lartë, për shkak se të gjithë akterët u përgjigjen kërkesave tona brenda një kohe shumë të shkurtër dhe kjo gjë rezulton që niveli i sigurisë fizike të bëhet i kënaqshëm”- ka thënë tutje ajo.

Ajo tregon se siguria fizike e viktimave e edhe e punëtorëve nganjëherë cenohet edhe nga vet të strehuarit, pasi kanë raste të ndryshme që përfshijnë edhe persona që kanë probleme me shëndetin mendor.

“Zakonisht kur na cenohet siguria nga rastet të cilat i trajtojmë në qendër, së pari mundohemi vet ta menaxhojmë situatën por në rastet më të rënda kontaktojmë me Policinë dhe intervenimi është tejet i shpejtë”- ka thënë ajo.

Ajo tregon se sfidë tjetër e tyre është edhe mungesa e një veture zyrtare e qendrës, kjo bën që transportimi i viktimave të dhunës në baza gjinore e në familje të bëhet nga vetë zyrtaret.

Drejtoresha tregon se kanë kërkuar ndihmë nga ana e Komunës e edhe nga donatorë të tjerë për sigurimin e një veture, por që nuk kanë marr ende ndonjë përgjigje.

 

“Keqtrajtuesve u themi se jemi shtëpi private”

Rastet kur iu cenohet siguria stafi i një qendreje tjetër strehimore tregojnë se detyrohen t’i kalojnë me ‘gënjeshtra’. Kjo pasi, pranë kësaj qendreje nuk ka roje. Edhe kjo strehimore kanë treguar se nuk kanë buxhet për të paguar dikë në pozitën e rojtarit.

Drejtuesja e kësaj qendreje ka treguar për KALLXO.com se si i ‘gënjejnë’ personat që tentojnë t`ua cenojnë sigurinë në strehimore, duke i thënë se janë ‘shtëpi private’.

“Bisedojmë me keqtrajtuesin – të dyshuarin, disa binden që këtu s’ka strehimore është shtëpi private, nëse qëndron prapë shumë shpejt vjen Policia me thirrjen tonë telefonike”- tregon ajo për KALLXO.com.

Ajo shton se e shohin të nevojshme prezencën e rojës, por që shpresa e tyre është që këtë vit Komuna ku vepron kjo strehimore të ndërtojnë një objekt të ri dhe më pas të kompletohet edhe stafi.

“E shohim të nevojshme për roje, mirëpo këtë vit Komuna ………….. mendojnë të ndërtojnë një strehimore të re dhe ka me u kompletu stafi”- thotë ajo.

Tutje ajo tregon se fondet që ndahen për qendrën që ajo menaxhon nuk janë të mjaftueshme për të punësuar një person që do kryente punën e rojës.

Ajo ndahet e kënaqur me punën që kryen Policia e Kosovës dhe tregon se janë të shpeshta monitorimet që ata bëjnë, e madje drejtoresha tregon se intervenimi i Policisë në rastet kur është i nevojshëm është shumë i shpejtë.

Kjo qendër strehimore këtë vit ka strehuar 15 persona, përderisa kapaciteti i kësaj qendreje është 18 deri në 20 viktima. Drejtuesja e kësaj qendre tregon se stafi i tyre përbëhet nga tre punëtorë burra dhe nëntë të tjera janë gra.

 

“I kemi dy qen”

Për të shtuar sigurinë, qendra tjetër strehimore e kontaktuar nga KALLXO.com kanë treguar se brenda oborrit mbajnë dy qen.

Drejtoresha e kësaj qendre tregon se nuk ka roje të sigurisë. Ajo ka treguar se objekti që ka kapacitet për 16 viktima të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore është i monitoruar nga kamerat.

“Nuk kemi roje në qendër, por kamera në tërë oborrin. Dy qen gjatë natës”- tregon ajo.

Kjo qendër aktualisht sipas drejtueses së saj numëron 14 punëtorë dhe vetëm dy nga këta punëtorë janë burra.

Sipas saj në këtë strehimore vetëm gjatë vitit 2022 janë strehuar rreth 120 gra dhe fëmijë.

Ajo tregon se në rastet kur iu cenohet siguria brenda qendrës, kanë bashkëpunim të mirë me Policinë e Kosovës. Ajo tregon se sa herë që e shohin të nevojshme një bashkëpunim të tillë, i thërrasin zyrtarët policor.

 

“Cenuesve të sigurisë i themi se jemi vetëm administrata”

Një tjetër rrëfim për sigurinë kanë nga një qendër tjetër strehimore e viktimave të dhunës në familje.

Për t`i larguar dhe evituar rrezikun nga të dyshuarit zyrtarë të kësaj qendreje keqtrajtuesve u thonë se nuk ka viktima në objekt dhe se janë vetëm stafi që punojnë aty.

Cenimi i sigurisë fizike në disa raste i ka bërë zyrtarët e kësaj qendre të ‘mos e thonë të vërtetën’, duke iu thënë cenuesve se nuk janë strehimore.

“Objekti i strehimores e ka projektimin që nuk ta jep përshtypjen që është strehimore, dhe ne shpeshherë ju themi që në këtë objekt është vetëm administrata” – shprehet drejtuesja e kësaj qendreje.

Ajo tregon se as qendra e tyre nuk ka roje, madje ajo thotë se prezenca e rojës do të shtonte sigurinë për stafin dhe për viktimat, ndonëse në anën tjetër thotë se roja do e zgjonte kureshtjen nga kalimtaret për të kuptuar se çfarë bëhet në objektin e tyre.

“Buxheti që ndahet për strehimore, mezi po i mbulon shpenzimet direket për viktima dhe ne nuk kemi buxhetuar një kosto që do të dedikohej për roje, pasi që veç i kemi kamerat e sigurisë”- tregoj ajo duke shtuar se kanë bashkëpunim shumë të mirë me Policinë.

Ajo tregon se ka pasur raste kur kanë pranuar të strehuara me nivel shumë të lartë të rrezikut dhe në raste të tillë Policia e ka monitoruar 24 orë objektin, mirëpo sipas drejtoreshës ky monitorim ka qenë me urdhër të gjykatës.

Kjo strehimore ka 8 punëtorë të rregullt dhe ekspertë të kontraktuar sipas projekteve, ku shtatë janë gra edhe një burrë.

Ajo tregon se gjatë muajit janar kanë strehuar 16 viktima, përderisa thotë se numri i të strehuarve ndryshon dita e ditës.

Zyrtarja e kësaj strehimore tregon se përgjatë vitit 2022 kanë strehuar viktima nga gjithsej 171 raste, ndërsa kapaciteti i kësaj strehimore është deri në 20 viktima në të njëjtën kohë.

 

“Nuk kemi roje se jemi OJQ”

Edhe qendra tjetër strehimore për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore e kontaktuar nga KALLXO.com kanë treguar se nuk ka roje të sigurisë.

Drejtuesja e kësaj strehimoreje, ka thënë se nuk e kanë prezencën e një punëtori të tillë pasi janë organizatë jo qeveritare. Sipas saj, monitorimi i sigurisë fizike pranë kësaj qendreje gjatë natës bëhet nga një kujdestare.

Ajo tregon se në rastet kur iu bëhet cenim i sigurisë qendrës që ajo drejton thërrasin Policinë, e për të cilët thotë se janë partneri kyç në referimin e rasteve.

“Roje nuk kemi ngase jemi OJQ. Kemi kujdestare të natës. Policinë e Kosovës e kemi partner kyç në referimin e rasteve”- shprehet ajo.

Ajo tregon se kapaciteti i strehimores është 12 deri në 15 viktima maksimumi dhe për momentin në këtë qendër janë tetë punëtorë.

Ilustrim

“I kemi dy policë civil”

Siguria fizike e strehimores tjetër, përpos kamerave e grilave që i kanë pranë objektit, monitorohet edhe nga dy policë civil që vazhdimisht gjenden në afërsi të qendrës.

Situata e sigurisë, sipas drejtuese së strehimores në fjalë tregon se është përmirësuar gradualisht ndër vite. Ajo tregon se më herët kanë pasur probleme që zanafillë kanë pasur edhe punëtorët e Qendrës për Punë Sociale, të cilët dhunuesve ia kanë treguar lokacionin e viktimave.

“Ka ndodhë më herët, kemi pas problem me QPS-së, se këqyre na Kosova jemi vend i vogël e rridhte informata se ku është gruaja edhe u qojke burri, dhunuesi na vinte në derë. I thoshim kush të ka tregu ty që e ki gruan këtu, na thoshte jo filan punëtori. Kjo ka ndodhë shumë më herët se tash gradualisht ja ka nis me u përmirësu situata”- tregon ajo.

Tutje ajo thotë se bashkëpunëtorët kryesor në punën e tyre dhe në ofrimin e sigurisë ndaj të strehuarve e edhe ndaj stafit të strehimores janë Policia e Kosovës.

“Në momentin që e kemi një problem në derë, policia na vinë për dy minuta tek dera”.

“Roje nuk kemi, nuk e kemi parë të nevojshme prezencën e rojës e ndoshta arsyeja është se gratë vinë tek ne edhe në aktivitete ditore, ka raste kur gratë vinë edhe pa e ditë familjarët e tyre. E me qenë një roje aty të dera, se ata ndërrohen vazhdimisht, punëtorët kanë me i pa gratë që hynë e dalin nga këtu. Ne e kemi edhe kriterin e konfidencialitetit”- thotë ajo.

Tutje ajo tregon se si ka pasur raste kur zyrtarët policor kanë qëndruar me ditë në qendër, për shkak të rasteve që kanë qenë me rrezikshmëri të lartë.

“Kur e marrim rastin me i strehu viktimat na tregohet edhe shkalla e rrezikshmërisë, nëse është rreziku i lartë, Policia kanë ndodh kanë qëndru gjatë tërë natës këtu në strehimore kanë kujdestaruar së bashku me kujdestarin. Ka ndodhë dy tri netë kanë qëndru këtu deri sa është kap dhunuesi”- thotë ajo.

Tutje ajo shpjegon se objekti i qendrës së tyre është në renovim dhe se janë shtuar edhe më shumë masat e sigurisë duke e vendosur edhe një interfon tek dera e qendrës.

Ajo tregon se nga ana e stafit nuk minimizohet fakti që në të ardhmen mund të ndodhë që dikush të vije në afërsi apo në objekt dhe ta cenoj sigurinë e tyre apo të personave të strehuar, por thotë se janë me shpresë që nuk do të kenë situata të tilla.

“Ne nuk mundemi me paragjyku, mundet me ardh dikush me na cenu sigurinë po shpresojmë që nuk kemi kësi raste, e që munden me e ‘fluturisë’ edhe sigurimin tek dera”- shprehet ajo.

“Kurrë nuk mundemi me thanë që nuk mundet me ndodhë, nuk e largojmë mundësinë që çka mundet me ndodhë nesër”.

Në këtë strehimore punojnë tetë zyrtarë të tjera, vetëm një nga ta është burrë dhe ka pozitën e financierit.

Ajo thotë se janë shumë pak të kënaqur me buxhet, por thotë se është viti i parë që nuk kanë mbetur pa rroga dhe pa para për shpenzime të qendrës në muajt e parë të vitit.

“Këtë vit qeveria na ka nda deri në prill para për shpenzime, tash po shpresojmë që pas prillit me u rrit fondet. Po duhet edhe komunat me u angazhu me u mbërri 100 për qind buxheti”- thotë ajo.

Tutje shton se vitin e kaluar kanë pas rënie në buxhet, por shpreson që këtë vit të kenë më shumë fonde të ndara.

Foto: Ilustrim

“I themi që ia thërrasim policinë edhe largohen”

‘Kërcënimi’ që do ia thërrasin Policinë nëse cenuesit e sigurisë nuk largohen nga objekti i qendrës strehimore është një nga masat që marrin stafi i qendrës tjetër të kontaktuar nga KALLXO.com.

Nga kjo qendër për KALLXO.com kanë thënë se roje nuk kanë, por i kanë kamerat e sigurisë e po ashtu edhe oborri i objektit është i rrethuar.

Me grila deri në vitin e kaluar kanë qenë edhe dritaret e objektit të strehimores, por që janë larguar pasi sipas drejtueses së kësaj qendreje nuk dëshirojnë që t’ia lënë përshtypjen personave të strehuar se janë në burg.

“Jo nuk kemi roje. Është si shtëpi private duket, nuk ka dallim prej shtëpive të tjera që i kemi për rreth se jemi në një lagje ku ka shtëpi të tjera që banojnë qytetarët”- thuhet në përgjigjen e strehimores.

“Është i rrethuar oborri. Kemi kamera të sigurisë, e kemi derën me interfon me pas kush është e tek është, me pas parasysh a me e hap derën ose jo. Kati i parë edhe kati përdhesë i kemi pas dritaret me grila, po i kemi hekë edhe ato veç në zyrën tonë  i kemi lanë shkaku i dokumenteve, se nuk po dojnë me u dokë si burg”- thuhet tutje.

Mungesën e rojës në këtë strehimore e arsyetojnë me faktin se duan që gratë dhe fëmijët që strehohen në këtë qendër të kenë ndjesinë e një objekti sa më familjarë, ndonëse pajtohen se do ishte më ideale në aspektin e sigurisë fizike që të jetë prezenca e rojës.

Në përgjigje tregohet se gjatë natës në këtë strehimore ka kujdestari me ndërrime, e se policia në vazhdimësi e monitoron situatën.

“Në rast se ndodhë se na cenohet siguria menjëherë e telefonojmë policinë edhe vijnë, i kemi policët që shumë shpesh sillen afër strehimores edhe e monitorojnë situatën”- thuhet në përgjigjet e strehimores.

Tutje është treguar se nuk kanë pasur kërkesë ndaj policisë që të kenë monitorime më të shpeshta, por që të njëjtit thuhet se janë të vetëdijshëm me ndjeshmërinë e rasteve që trajtohen në qendër.

Në këtë të fundit, gjatë 2022 janë strehuar gjithsej 171 nëna me fëmijë, përderisa kapaciteti i strehimores është për 25 persona në të njëjtën kohë dhe stafi i saj ka gjithsej 14 punëtore.

Ilustrim

Puna e shtetit për strehimoret

Shumica nga strehimoret në fjalë janë OJQ që përpos një pjesë të buxhetit që e marrin nga shteti, e që ky buxhet nuk shihet i mjaftueshëm nga vet strehimoret, bashkëpunojnë edhe me organizata tjera që i ndihmojnë në ngritjen e fondeve e në mbulimin e shpenzimeve.

Përderisa nga buxheti që është ndarë nga Qeveria e Kosovës për vitin 2023, 1 milion e 500 euro nga Ministria e Drejtësisë janë ndarë për shërbimet bazike për strehimoret.

Një shifër e njëjtë, pra 1.5 milionë euro në bazë të buxhetit është vlerësuar që të ndahen edhe për vitin 2024 dhe 2025.

Nga buxheti i Kosovës për vitin aktual janë ndarë para edhe për pjesën e financimit të investimeve kapitale komunale ku parashihet që nga shkurti i 2023-ës deri në shtator të 2025-ës të bëhet ndërtimi i strehimores SHEMF për mbrojtjen e fëmijëve dhe nënave.

Totali i shumës së ndarë për këtë strehimore është 845 mijë euro përgjatë këtyre tri viteve, ndërsa nga buxheti i këtij viti janë ndarë 200 mijë euro.

Funksionimi i strehimoreve, sipas nenit 12 të Ligjit për shërbime sociale dhe familjare, nuk mund të bëhet pa leje nga Ministria kompetente, që në këtë rast është ajo e Financave, Punës dhe Transfereve, në të cilën hyn dhe departamenti i Mirëqenies Sociale.

“Asnjë komunë ose organizatë joqeveritare nuk mund të themelojë një objekt rezidencial për njerëzit në nevojë pa lejen e Ministrisë”- thuhet në pikën 12.3 të këtij neni.

Ky ligj tregon se përgjegjësia e gjithmbarshme për themelimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve rezidenciale, strehimoreve të mbrojtura dhe strehimoreve emergjente për njerëzit në nevojë në Kosovë, bie mbi departamentin e Mirëqenies Sociale.

Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë në fushëveprimin e saj e ka edhe monitorimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare dhe Planin e Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave dhe Vajzave.

Kjo Strategji Kombëtare, është ndërinstitucionale dhe ndërsektoriale, me objektiva të qarta, përgjegjësi dhe detyra për secilin institucion duke përfshi edhe pushtetin lokal.

Një strategji e tillë është e planifikuar edhe për vitet 2022-2026, në të cilën flitet edhe për çështjen e strehimoreve në vend.

Sipas këtij dokumenti, përgjegjësia për shpërndarjen e fondeve për strehimoret në kohën e duhur, si dhe licencimin e ofruesve të shërbimeve sociale, monitorimin e cilësisë së shërbimeve të tyre dhe performancën e oficerëve të shërbimit social bie mbi departamentin e mirëqenies sociale.

Sipas kësaj strategjie ndër vite ka pasur rritje të financimit të shtetit për strehimoret, madje thuhet se që ka përmirësime të ndjeshme që nga viti 2017.

“Sidoqoftë, financimi i mjaftueshëm, i qëndrueshëm, i mirë planifikuar dhe i mbrojtur ligjërisht mbetet çështje për strehimoret, veçanërisht drejt aftësimit të tyre për të siguruar plane rehabilitimi gjithëpërfshirëse, të përqendruara në viktima dhe riintegrim dhe shërbimet shoqëruese”- thuhet tutje.

Në anën tjetër, në çështjen e viktimave të dhunës në familje, sipas strategjisë, duhet të punohet edhe nga komunat, saktësisht nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Këto drejtori si bartëse të pushtetit lokal janë të mandatuara që të bëjnë menaxhimin e shërbimeve sociale në komunë.

Në nivel komunal, Këshilli Komunal për Mbrojtjen e Viktimave të Dhunës në Familje thuhet se rezulton i ngritur në 20 komuna për vitin 2021.

Një numër i tillë ka qenë edhe në vitin 2020, ndërkohë që për vitin 2019 ky këshill rezultonte në vetëm 12 komuna.

“Komunat në kuadër të drejtorive për shëndetësi dhe mirëqenie sociale zhvillojnë programe mbështetëse për viktima në kuadër të shërbimeve sociale duke përfshirë mbështetjen financiare për strehimoret për viktimat e dhunës”- thuhet tutje në strategji.

Policia, ofruesi i parë të sigurisë

Rastet e dhunës në familje dhe të dhunës në baza gjinore fillimisht janë në duart e Policisë së Kosovës, zyrtarët e së cilës janë të parët që ballafaqohen me dhunuesit dhe me viktimat e përfshira në rast.

Sipas një përgjigje të Policisë për KALLXO.com, këto raste në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policor që kanë kryer trajnime shtesë, por gjithashtu trajtohen edhe në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë.

Lidhur me parandalimin e rasteve të tilla, ndër vite Policia ka thënë se janë realizuar edhe fushata vetëdijesuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar e pa u trajtuar nga organet kompetente.

Madje, sipas Policisë qasja e hetuesve karshi rasteve të dhunës në familje që është parandalimi për dhunën në njërën anë si dhe trajtimi i rasteve më seriozitet, ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh.

(Shënim: Për arsye të mos cenimit të sigurisë së stafit të qendrave strehimore dhe të vet viktimave që janë të strehuara në këto qendra, Redaksia e KALLXO.com ka vendosur që të mos i bëjë publikë emrat e personave dhe të qendrave që janë të përfshira në këtë hulumtim)

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.