Shteti përgatitet të shpenzojë rreth 600 mijë euro për vetura të 2019-ës

Rreth 600 mijë euro janë planifikuar të shpenzohen në vetura të reja për institucionet shtetërore.

Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) ka planifikuar t’i shpenzoj rreth 600 mijë euro për të blerë vetura të ndryshme.

Tenderi hapur nga AQP është i ndarë në 5 lote, ku secili lot ka kërkesa të veçanta për vetura të veçanta.

Më saktësisht, Agjencia Qendrore e Prokurimit ka planifikuar t’i shpenzojë 590 mijë euro për 21 vetura në total.

Në dosjen e tenderit, AQP ka treguar edhe numrin e veturave që është duke i kërkuar.

AQP është duke kërkuar 3 vetura të vogla, 5 vetura të mesme, 2 limuzina, 9 xhipa të mesëm dhe 2 xhipa luksoz, që ata kanë parashikuar se mund të kapin vlerën 590 mijë euro.

Janë gjithsej 12 institucione publike që do të pajisen me këto 21 vetura.

Më poshtë i gjeni kërkesat e institucioneve për veturat, të cilat Gazeta Jeta në Kosovë i ka siguruar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit.

  • Institucioni i Avokatit të Popullit do të pajiset me 3 vetura. 1 veturë do të jetë e vogël, ndërsa 2 të tjera të mesme.
  • Universiteti i Prishtinës do të pajiset me 2 vetura të tipit limuzina.
  • Ministria për Komunitete dhe Kthim do të pajiset me 1 xhip të mesëm.
  • Kuvendi Komunal i Skenderajt do të pajiset me 1 veturë të mesme dhe 2 xhipa të mesëm.
  • Agjencia e Menaxhimit Emergjent do të pajiset me 1 xhip të mesëm dhe 1 xhip luksoz.
  • Inspektorati Policor i Kosovës do të pajiset me 1 xhip luksoz.
  • Agjencia kadastrale e Kosovës do të pajiset me 3 xhipa të mesëm.
  • Qendra e Shëndetit Mendor dhe Shtëpia Integruese në Pejë do të pajiset me 1 xhip të mesëm.
  • Spitali i Përgjithshëm i Pejës me 1 veturë të vogël.
  • Kuvendi Komunal i Drenasit do të pajiset me 1 xhip të mesëm.
  • Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës do të pajiset me 1 veturë të vogë dhe 1 veturë të mesme.
  • Spitali Profesional i Shëndetit Mendor në Gjakovë të pajiset me 1 veturë të mesme.

Në një përgjigje më shkrim për Gazetën Jeta në Kosovë, Agjencia Qendrore e Prokurimit ka bërë me dije se Udhëzuesi për Prokurime Qendrore 2019, i obligon ata si institucion që t’i kryejnë procedurat për blerjen e veturave, ndërsa kërkesat i bëjnë institucionet e tjera.

“Udhëzuesi për Prokurime Qendrore 2019 obligon Agjencinë Qendrore të Prokurimit të kryej prokurimet për blerjen e veturave, këtë aktivitet të prokurimit Agjencia Qendrore e Prokurimi e kryen sipas kërkesave të institucioneve, pra sasinë e veturave që do të blejnë secili institucion i caktojnë vet institucionet dhe jo Agjencia Qendrore e Prokurimit”, thuhet në përgjigjen e AQP-së për Gazetën Jeta në Kosovë.

Për tri vetura të vogla shteti do të paguaj 40 mijë euro, apo mesatarisht 13 mijë e 333 euro për veturë.

Për vetura të mesme shteti do të paguaj në total 100 mijë euro, apo 20 mijë euro për një veturë.

Për Limuzina shteti do të paguaj 60 mijë euro, apo 30 mijë euro për veturë.

Për xhipa të mesëm, shteti do të paguaj 270 mijë euro apo 30 mijë euro për një xhip.

Ndërsa për xhipat luksoz, shteti do të paguaj 120 mijë euro për dy vetura, apo 60 mijë euro për copë.

Vetura të vogla40,000.00
Vetura të mesme100,000.00
Limuzina60,000.00
Xhipa të mesëm270,000.00
Xhipa luksoz120,000.00

 

Kërkesat “luksoze” të institucioneve

Institucionet e listuara më lartë që kanë kërkuar vetura të reja, kanë parashtruar kërkesa të veçanta për veturat që priten t’i kenë në dispozicion.

Në dosjen e tenderit, ku renditen specifikat e automjeteve të kërkuara, ata kanë listuar kërkesat.

3 veturat e vogla janë kërkuar të jenë të prodhuar në vitin 2019 dhe të mos kenë asnjë kilometër të kaluar. Janë kërkuar poashtu 5 ulëse e 4 dyer si dhe të jetë me benzinë. Radio e veturës ta ketë hapësirën për CD.

Të vitit 2019 dhe me zero kilometra të kaluara, janë kërkuar edhe veturat e mesme, ku janë planifikuar të blihen 5 të tilla.

Këto 5 vetura janë kërkuar të jenë automatike dhe të kenë poashtu 5 ulëse e 4 dyer. Poashtu është kërkuar që të jenë të pajisura me kompjuter udhëtimi.

Edhe për këto vetura është kërkuar që të jenë me karburant benzinë.

2 limuzinat që janë kërkuar të blihen për Universitetin e Prishtinës duhet të jenë poashtu të vitit 2019 dhe të papërdorura deri më tani.

Këto dy limuzina duhet të jenë të pajisura me kompjuter udhëtimi.

Në kërkesa për këto dy vetura, Universiteti i Prishtinës ka kërkuar që limuzinat të kenë fellne alumini, minimumi 16’’.

Vetura është kërkuar të jetë automatik dhe me karburant benzinë.

Ndërsa kërkeat për 9 xhipat e mesëm, që priten t’i kushtojnë shtetit 270 mijë euro, nuk dallojnë shumë me kërkeat e veturave tjera.

Institucionet që kanë kërkuar të pajisen me këto vetura kanë kërkuar që xhipat e mesëm të jenë me karburant benzinë por me ndërrues të shpejtësive manual.

“Kapaciteti i motorrit – min 1.5 deri  1.9 cm3, me sistem start and go”, thuhet në kërkesën për blerjen e xhipave të mesëm.

Këto xhipa janë kërkuar që kenë kompjuter udhëtimi si dhe të kenë xhama elektrik përpara dhe mbrapa në veturë.

Ndërsa dy xhipat e tjerë, që janë luksoz e që pritet të kushtojnë 120 mijë euro në total, apo 60 mijë euro për veturë, janë xhipa 4×4, poashtu me vit prodhimi 2019.

Fuqia e motorit është kërkuar të jetë 150 KW, ndërsa karburani duhet të jetë me diesel e fellnet e aluminit të tipi 18’’.

Këta dy xhipa janë kërkuar të kenë kamerë për vozitje mbrapa si dhe me xhama elektrik.

Për të llogaritur veturat në çmim, AQP në kërkesat e saj për të blerën veturën ka futur si kriter edhe shpenzimet në karburant që bëjnë veturat.

Tenderi ekonomikisht më i favorshëm pritet të fitoj, mirëpo llogaritje do të bëhet me koefiecient.

Koeficineti prej 75% do të jetë për çmimin e ofruar i veturës, ndërsa 25% do të llogaritet për shpenzimet mesatare në karburante që vetura i shpenzon në 100 km.

Muaj më parë KALLXO.com pati raportuar që Universiteti i Prishtinës pati hapur tender për të blerë një veturë, në specifikat e së cilës kërkonte edhe ulëse për bebe.

Rektorati i UP-së kërkon vetura me ulëse të bebeve

.