Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Foto: Xhemali Moku

Abuzimet në tender, shkon për gjykim çështja ndaj ish drejtuesve të Bashkisë së Bulqizës

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njoftoi sot se ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 8 ish drejtuesë dhe ish zyrtarë të Bashkisë së Bulqizës për abuzimet me një tender të vitit 2021 të zhvilluar nga kjo bashki.

Ata u arrestuan në mars të këtij viti së bashku me drejtuesit dhe administratorët e tre kompanive private, Rasim Daci, pronar i “England shpk”, Aqif Konesha i “OE 2AF Albania shpk”, dhe Kastriot Ibrahimaj, administrator i kompanisë “BE-IS shpk”. Përveç tyre u arrestua dhe mbikqërësi e drejtuesi teknik i punimeve.

Ish kryebashkiaku socialist Lefter Alla, i zgjedhur në qershor të vitit 2019, zëvendësja e tij Enkeleda Lleshi dhe 6 ish zyrtarët e tjerë, ish anëtarë të Njesisë së Prokurimit, dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, akuzohen për “Shkelje të barazisë në tendera” dhe “Shpërdorim të detyrës” në lidhje me procedurat e ndjekura për garën e shpallur për rinovimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve në zonën e njohur si “Lagja e vjetër” të qytetit të Bulqizës, me një vlerë rreth 3 milionë dollarë. Ndërsa drejtuesit e kompanive private dhe dy personat e tjerë tekinkë, akuzohen për “falsifikim të dokumentave”. Për Dacin rëndon dhe akuza e “Korrupsionit aktiv të personit që ushtron funksione publike”.

Fituesë të garës u shpallën kompanitë “England shpk”, dhe “BE-IS shpk”, ndërkohë që nga hetimet nga rezultuar se ato kanë shërbyer thejsht si fasadë, pasi punimet janë kryer në të vërtetë nga kompania e Koneshës, i cili, siç vë në dukje Prokuroria e Posaçme “rezulton lidhje e afërt e Kryetarit të Bashkisë Bulqizë”

Sipas hetimeve “kjo proçedurë prokurimi është inicuar dhe zhvilluar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimet Publike dhe aktet nënligjore pasi nga ish drejtuesit dhe ish zyrtarët e Bashkisë janë ndërmarrë veprime aktive te kundërligjshme, të cilat konsistojnë në ngritjen e një mekanizmi të posaçëm, për paracaktimin e fituesit”.

Po ashtu nga hetimi “u provua se nga subjekti i shpallur fitues në këtë procedurë prokurimi ishin kryer pagesa monetare në favor Erion Isakut, i cili kishte cilesinë e anëtarit te Komisionit te Prokurimit Publik në këtë procedure”.

Prokuroria e Posaçme, deklaron se “edhe gjatë fazës së zbatimit të kontrates janë evidentuar shkelje ligjore, pasi provohet tej dyshimit të arsyeshëm, mbështetur në prova, që Lefter Alla dhe Enkeleda Lleshi me mos-veprime, lidhur me punimet qe janë bërë de facto nga shoqëria e Aqif Koneshës, e cila nuk përmbush kushtet dhe kriteret për kryerjen e këtyre punimeve, kanë cënuar interesat e ligjshëm të shtetasve, pasi subjekti i cili ka kryer de facto punimet nuk gëzon licensat e nevojshme për kryerjen e punimeve specifike për ujesjellësin që është një objekt me rëndësi jetike për qytetarët, ndaj mungesa e liçencave profesionale nuk garanton standartin me të lartë shëndetësor të qytetarëve”.

Drejtuesit e kompanive private të përfshira, si dhe nga mbikqyrësi dhe drejtuesi teknik i punimeve, rezulton sipas hetimeve, se “kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, duke pasqyruar faktin e rremë se punimet jane kryer nga firma fituese. Po ashtu, dhe aktet që dokumentojnë kryerjen e punimeve/mbikqyrjen e punimeve janë përpiluar në kohë të ndryshme nga data që pasqyrojnë realisht në dokumentet e zbatimit”, shpjegohet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme./VOA