Rektorati i UP-së kërkon vetura me ulëse të bebeve

Universiteti i Prishtinës ka hapur tender të blejë vetura, të cilat duhet të kenë përgatitje për ulëse të fëmijëve.

Në njoftimin për kontratë të publikuar më 28 qershor, përveç xhipit për rektorin, Universiteti ka planifikuar  t’i blejë edhe dy vetura limuzinë, një transporter (kombi me mbi tetë ulëse) dhe një Caddy, ku vlera totale e këtyre veturave arrin deri në 82 mijë e 500 euro.

Për të gjitha veturat, janë dhënë specifikacione të detajuara si për përmasat dhe performancat e veturës edhe për interierin dhe pajisjeve përcjellëse, ku për dy prej tyre është kërkuar që të kenë përgatitje  për ulëse të fëmijëve.

Në tenderin e iniciuar nga Universiteti janë shkurtuar afatet e dorëzimit të ofertave me arsyetimin se veturat që i kanë në shfrytëzim janë jashtë funksionit.

“Për shkak të nevojës urgjente, duke marrë parasysh se menaxhmenti i Universiteti te Prishtinës- ‘Hasan Prishtina’ veturat që i kanë në shfrytëzim janë jashtë funksionit si dhe duke pa të domosdoshme kërkesën e pjesës tjetër menaxheriale të Universitetit te Prishtinës jemi të obliguar që ne të iniciojmë Procedurë me afat të shkurtër”, thuhet njoftimin për kontratë të këtij tenderi.

Ofertat e operatorëve ekonomikë për këto kërkesa të UP-së kanë mundur të dërgohen deri më 8 korrik.

Për njërën nga këto vetura KALLXO.com raportoi më herët, ku Universiteti i Prishtinës po kërkon të blejë një xhip me procedura të përshpejtuara për nevoja të rektorit të Universitetit, Marjan Dema .

Në kriteret për blerjen e makinës është specifikuar që ajo duhet të jetë version i fabrikuar për duhanxhinjë.