Ilustrim

Arsyet pse Gjykata e Tenderëve nuk do të shqyrtojë 800 ankesa të bizneseve

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) apo siç njihet ndryshe Gjykata e Tenderëve, ka vendosur që të gjitha ankesat e deri datës 8 qershor 2022, të operatorëve ekonomik që kanë marrë pjesë nëpër tenderët e institucioneve publike, nuk do të shqyrtohen fare.

E numri i këtyre ankesave që nga data 1 prill 2021 e deri në qershor 2022 ka arritur në 800.

Arsyeja e grumbullimit të këtyre ankesave është sepse Bordi i OSHP-së ka qenë i pa funksionalizuar që nga 1 prilli 2021 deri më 23 qershor 2022, pasi që atij të kaluarit i kishte përfunduar mandati, ndërsa të riun Kuvendi i Kosovës e kishte vonuar për miratim.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), ka thënë se të gjitha vendimet që do lëshohen në lidhje me ankesat, do të jenë të pashqyrtuara dhe për secilën ankesë do të ketë një vendim me bazë të njëjtë ligjore.

Sipas OSHP-së, arsyeja e mos shqyrtimit të ankesave, është sepse iu ka kaluar të gjithave afati ligjor për shqyrtim.

“Anëtarët e Bordit të OSHP-së pas analize të të gjithë situatës në tërësi dhe diskutimeve të shumta, përparësive për shqyrtim dhe mos shqyrtim të ankesave që janë pranuar gjatë kohës sa Bordi ka qenë jo funksional, në mbledhjen e mbajtur me datën 12 korrik 2022, me shumicë votash konstatuan se ankesat e parashtruara nuk mund të shqyrtohen për faktin se kanë kaluar afatet ligjore për shqyrtim dhe të njëjtat janë jashtë afatit për shqyrtim”- ka thënë OSHP-ja.

Sipas OSHP-së, afati për një vendim përfundimtar për një ankesë është 34 ditë dhe OSHP-ja mund të përcaktojë ndonjë çështje si të ndërlikuar dhe të shtyjë afatin për jo më shumë se 20 ditë.

Dhe duke u bazuar në kalimin e afatit ligjor dhe pamundësisë për të nxjerrë një vendim përfundimtar, OSHP-ja ka vlerësuar se shqyrtimi i këtyre ankesave do të ishte në kundërshtim me ligjin.

“Meqë ka kaluar një kohë relativisht e gjatë, rrjedhimisht kemi edhe kontrata te nënshkruara nga autoritetet kontraktuese, pastaj disa autoritete kontraktuese këto aktivitete te prokurimit të cilat janë objekt i ankesës nuk i kanë në planin buxhetor të këtij viti andaj është e pamundur të bëhet edhe zotimi i mjeteve që është kusht për  nënshkrim të kontratave publike” – thotë OSHP-ja.

Por, edhe një arsye tjetër që e ka shtyrë OSHP-në të marrë këtë vendim, është edhe rritja e çmimeve dhe sipas tyre, mund të mos ketë interes nga operatorët që të nënshkruajnë kontratat.

Kuvendi i Kosovës me 23 qershor 2022 ka zgjedhur bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, pas 15 muajve që ky institucion nuk ishte funksional. Atij të kaluarit i kishte përfunduar mandati me 1 prill 2021.

Në bordin e OSHP-së janë zgjedhur edhe Nita Bejta dhe Agon Ramadani, dy prej kandidatëve që Qeveria ia kishte propozuar Kuvendit përkundër faktit që nuk kishin aplikuar fare në konkursin për bordin e OSHP-së.

Përveç tyre, në bordin e OSHP-së janë emëruar edhe Kimete Gashi dhe Vedat Poterqoi .Vjosa Mexhuani Gradinaj është zgjedhur kryetare e bordit të OSHP-së.

Më 12 korrik 2022, Bordi i OSHP-së ka vendosur që të gjitha ankesat e operatorëve ekonomik, që janë deponuar në OSHP deri më 8 qershor, të mos shqyrtohen.

Pas më shumë se një viti, Kuvendi zgjodhi bordin e OSHP-së