Ilustrim

Kërkohet paraburgim për dy zyrtarët e AQP-së, të dyshuar për marrje ryshfeti

Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar paraburgim ndaj dy zyrtarëve të Agjencisë Qendrore të Prokurimit të cilët janë arrestuar dje për marrje ryshfeti.

Prokurorët nga Departamenti i Krimeve të Rënda dhe Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion kanë paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personave me inicialet M.R., dhe E.R., në drejtim të veprave penale “Marrja e ryshfetit” dhe “Ndihmë në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit”.

Lidhur me çështjen penale të marrjes së ryshfetit, prokurori i rastit ka ndërmarrë një mori veprimesh hetimore, duke lëshuar urdhëresë par zbatimin e masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, si dhe në bazë të simulimit të veprës penale, i cili është kryer me dhënien e mjeteve monetare personit me inicialet M.R., (drejtor në AQP), ka rezultuar deri te arrestimi i tij në flagrancë.

E po ashtu, me aktvendim të prokurorit të kësaj çështje është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh edhe personi me inicialet E.R., për shkak se i njëjti dyshohet t’i ketë ndihmuar të lartcekurit në kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”.

Policia e Kosovës dje ka arrestuar tre persona, dy prej tyre zyrtarë të Agjencisë Qendrore të Prokurimit, nën dyshimin për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas Policisë, një person nga një kompani private ka informuar se nga një zyrtar i AQP-së, i është kërkuar ryshfet që kompania të fitojë tenderin.

Policia e ka kapur në flagrancë të dyshuarin, i cili kishte marrë 8 mijë euro para të gatshme.