Shqiptarët e Malit të Zi Shqyrtojnë Koalicionin me Gjukanoviqin

Deputeti shqiptar, i parlamentit malazez Genci Nimanbegu, tha se koalicioni i partive shqiptare “FORCA”, i cili hyri në parlament pas zgjedhjeve të tetorit 2012, së shpejti do të rishikojë marrëveshjen me Partinë Demokratike të Socialistëve, DPS dhe përbërësve të tjerë të qeverisë.

“Ne kemi nënshkruar një marrëveshje pesë muaj më parë, por ende nuk ka përmirësime cilësore në bashkëpunim”, i tha ai të hënën gazetës së përditshme “Dnevne Novine”, në Podgoricë.

Marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar nga shtatë formacionet politike në nëntor të vitit 2012, siguroi formimin e qeverisë së tanishme, pasi Koalicioni për Malin e Zi Evropian i udhëhequr nga DPS nuk arriti të fitojë shumicën absolute të mandateve parlamentare.

Partitë e minoriteteve etnike u bashkuan për të lobuar bashkërisht për respektimin më të mirë të drejtave të minoriteteve dhe përmirësimin e standardeve të jetesës.

Më 12 maj, Partia Liberale, që kandidoi në zgjedhjet parlamentare së bashku me DPS-në brenda Koalicionit Evropian, pezulloi pjesëmarrjen në këtë koalicion.

Në një letër drejtuar Milo Djukanoviqit, kryeministër i Malit të Zi dhe kryetar i DPS-së, kreu i Partisë Liberale, Andrija Popoviq tha se koalicioni kishte mashtruar votuesit e partisë së tij.