Serbia e Millosheviqit “Planifikoi Përndjekjen e Kroatëve”

Të mërkurën, ditën e katërt të seancave për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ekipi ligjor i Zagrebit deklaroi se ish-kryetari i Serbisë Millosheviq, udhëheqësi paramilitar Zeljko Raznatoviq-Arkan, shefi i Partisë Radikale Serbe Vojislav Seshel dhe serbët e Kroacisë nën udhëheqjen e Goran Hadziq-it, ishin pjesë e një projekti të përbashkët vdekjeprurës që synonte krijimin e “Serbisë së Madhe”.

Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve për ish Jugosllavinë e ka vërtetuar rolin e Beogradit në spastrimin vrasës etnik në Kroaci, deklaroi Kier Starmer, anëtar i ekipit ligjor të Kroacisë.

“ Gjykata e Hagës ka gjetur se ka ekzistuar një ndërmarrje e përbashkët kriminale midis udhëheqjes serbe, synimi i së cilës ishte shkatërrimi i popullatës kroate me anë të vrasjeve dhe dëbimit të popullatës nga një e treta e territorit të Kroacisë”, tha Starmer.

Ekipi i Zagrebit solli argument se Armata Popullore e Jugosllavisë kishte koordinuar veprimet ushtarake në terren gjë që rezultoi me vrasje masive, tortura dhe shkelje serioze të të drejtave të njeriut.

“Në gusht të vitit 1991 ata patën sulmuar Erdut-in dhe Dalj-in, fshatra të Kroacisë, ku kishin masakruar popullatën kroate… Në fshatin Pakrac ata kishin vrarë 170 civilë, ndër ta edhe një fëmijë 10 vjeç,” i tha gjykatës Davorin Lapas, avokat nga Kroacia.

“ Në Siroka Kula, ata po i digjnin civilët të gjallë”, shtoi Lapas.

Sipas Lapas-it, pas luftës janë zbuluar 142 varreza masive ku 24 për qind e trupave të gjetur ishin të grave, kurse 39% ishin persona më të vjetër se 60 vjeç.

Udhëheqësja e ekipit kroat, profesoresha e së drejtës, Vesna Crniq-Grotiq, deklaroi se përveç vrasjeve masive, forcat serbe kryenin dhunime dhe tortura në masë të madhe si pjesë e planit kriminal.

“ Ka pasur dhunë ekstreme seksuale… Një grua në Vukovar ishte dhunuar disa herë nga gjashtë ushtarë. Më vonë edhe motra e saj ishte dhunuar”, tha Crniq-Grotic.

“Në Sotin, një nënë e re ishte dhunuar nga dy ushtarë, derisa vjehrra e saj dhe kunati ishin në shtëpi,” shtoi ajo.

Crniq-Grotiq përmendi disa burgje të Armatës Popullore të Jugosllavisë në Serbi dhe Kroaci ku torturoheshin dhe rriheshin kroatët e burgosur në luftë.

Kroacia e akuzon Serbinë për gjenocid dhe kërkon nga Beogradi t’i dënojë të gjithë kryesit e krimeve të luftës nga konflikti në vitin 1990, t’i kthejë pasuritë e vjedhura kulturore dhe të paguajë për dëmet që ka bërë gjatë luftës.

Në një kundërpadi që do të dëgjohet javën e ardhshme në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, edhe Serbia deklaron se Kroacia është fajtore për gjenocid kundër serbëve gjatë dhe pas luftës.

Të mërkurën, ekipi i Kroacisë argumentoi se prapa sulmeve të Armatës Popullore Jugosllave kundër qyteteve dhe fshatrave kroate ka pasur shembuj që tregonin se Serbia kishte për qëllim të ushtrojë gjenocid.

Edhe Zagrebi edhe Beogradi kanë shprehur besimin se do ta fitojnë rastin, por disa ekspertë kanë lënë të kuptohet se asnjëra palë nuk do të mund të vërtetojë gjenocidin dhe shfaqën brengën se procedura e gjykatës do t’i përkeqësojë marrëdhëniet midis këtyre dy fqinjëve.

Që prej themelimi i saj pas Luftës së Dytë Botërore, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka njohur vetëm një rast të gjenocidit – masakrën e Srebrenicës në Bosnjë të kryer në vitin 1995.

Shkrimi është botuar së pari në Balkan Transitional Justice