BE “Ndjek Nga Afër” Zhvillimet Rreth Barrikadës

Bashkimi Evropian është duke ndjekur nga afër zhvillimet e ditëve të fundit në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Barrikada e vendosur mbi urë në korrik të vitit 2011 është larguar në orët e hershme të së mërkurës, por pasditja e njëjtë e gjeti urën me një pengesë tjetër për kalimin e qytetarëve të Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, tha për gazetën jeta në Kosovë, se BE pret nga të dyja palët e përfshira në dialog, Prishtina dhe Beogradi, që t’i respektojnë zotimet e marra nga ky proces.

“Ne e ndjekim këtë çështje nga afër dhe presim nga të dyja palët që t’i respektojnë zotimet e tyre për normalizim të marrëdhënieve dhe zbatim të të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE”, tha për gazetën Jeta në Kosovë, Maja Kocijançiq.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili dje përgëzoi qytetarët serbë të Mitrovicës së Veriut për “largimin vullnetar” të barrikadës, sot shprehu zhgënjimin e tij për rivendosjen e saj. Madje Thaçi, këtë veprim e cilësoi si “të turpshëm”.

“Fatkeqësisht, u deshën vetëm pak orë që unë dhe qytetarët e Kosovës të zhgënjehemi përsëri me aktin e turpshëm të rivendosjes së barrikadës mbi urën e lumit Ibër”, tha kryeministri Thaçi në një deklaratë për media.

“Kjo lojë e turpshme dhe e rrezikshme, por mbi të gjitha antiligjore, është e papranueshme për vlerat e shoqërisë dhe shtetit tonë demokratik”, tha ai. 

Thaçi u ka bërë thirrje udhëheqësve lokalë të komunitetit serb në veri që “të tregohen të arsyeshëm dhe ta heqin këtë barrikadë”. 

“Turpi që paraqet kjo barrikadë nuk mund të fshihet nga lulet e vendosura në vend të gabuar. Ai turp largohet vetëm kur të largohet barrikada dhe ura të jetë e lirë për qarkullimi”, thuhet në deklaratën e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.