Zgjedhjet Shtyjnë Provimin e Maturës

Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare ka shtyrë për një javë më vonë mbajtjen e provimit shtetëror të maturës. 

Provimi është paraparë të mbahej me 7 qershor, por për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve u vendos të shtyhej, pasi shkollat ku mbahet provimi duhej të përgatiteshin për zgjedhje. 

Rreth 43 mijë maturantë në mbarë Kosovën do të hyjnë në provimin e maturës më 14 qershor, në ditën e parë, dhe me 28 qershor- në ditën e dytë të provimit. Ndërsa publikimi i rezultateve të provimit do të bëhet me 7 korrik.

Para se të vendosej për datën e zgjedhjeve, qe vendosur që dita e parë e provimit të mbahet më 7 qershor, dita e dytë më 21 qershor, ndërsa rezultatet të publikoheshin më 30 qershor. 

Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës ka konfirmuar shtyrjen.

“Ndërkohë, Presidentja e shtetit i ka shpallur zgjedhjet parlamentare për 08.06.2014, prandaj mbajtja e provimit të maturës ka qenë e pamundur në datat e parapara më herët dhe u vendos që provimi të organizohet në këto data”, thuhet në komunikatën e KQSHM.

Por, shtyrja e provimit të maturës nuk do të ndikojë afatet e regjistrimit të studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Sipas Ardian Golës, zëdhënës i UP-së, datat e zhvendosura për provim të maturës nuk ndikojnë aspak në organizimin e provimit për regjistrim në Universitetin e Prishtinës. 

“Nuk ka fare ndikim shtyrja e provimit të maturës në aspektin e shtyrjes edhe të provimit në UP për studentët e rinj. Gjithçka do të bëhet në kohën e paraparë”, tha Ardian Gola për gazetën Jeta në Kosovë. 

Numri i maturantëve që do t’iu nënshtrohen këtë vit provimit të maturës është më i madh se viteve të tjera për shkak të grumbullimit të dy gjeneratave si pasojë e heqjes së klasës së 13-të.