Çeku Kërkon Qasje në Shkollën e NATO-s për Ushtrinë e Kosovës

Me këtë rast ministri i FSK-së, Agim Çeku ka kërkuar nga zëvendëskomandanti suprem, që ushtria e vendit tonë të ketë qasje në shkollat e NATO-s dhe të marrë pjesë në misione paqeruajtëse të kësaj aleance.

“Presim që NATO-ja ta ndihmojë Republikën e Kosovës në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të mbrojtjes, në vendosjen e raporteve formale të partneritetit (anëtarësimi në Partneritet për Paqe-PFP). Gjithashtu kërkoj  qasje në shkolla të NATO-s, ushtrime, si dhe Kosova të marrë pjesë në misione paqeruajtëse të NATO-s”, ka thënë Çeku, sipas një njoftimi të Zyrës për Informim të FSK-së.

Sipas këtij njoftimi, ministri Çeku gjatë këtij takimi ka siguruar zëvendëskomandantin e  NATO-s për Evropë  se Kosova po ec drejt marrjes së përgjegjësive për sigurinë e vet, ndërsa kërkoi mbështetje nga kjo forcë ushtarake.

“Në emër të MFSK-së e falënderoj gjeneralin Bradshaw për mbështetjen që NATO-ja i ka dhënë FSK-së si dhe kërkoi nga ai që kjo mbështetje të vazhdojë dhe të rritet edhe më tutje, e sidomos tani që po hyjmë në një fazë të re të zhvillimit”, ka thënë Çeku.

Në njoftimin e FSK-së thuhet se gjenerali i NATO-s, Adrian Bradshaw ka thënë se NATO-ja e çmon aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO si dhe për gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në misione paqësore.

“Kam parë përparime shumë të mëdha në ngritjen e kapaciteteve të sigurisë  dhe për këtë ndjehem i lumtur për arsye se NATO-ja është e angazhuar këtu për një dekadë e gjysmë”, tha Bradshaw.

Në fund gjenerali i NATO-s, Bradshaw tha se FSK-ja do të ecë përpara në ngritjen e kapaciteteve të saj dhe se bashkëpunimi dhe mbështetja nga ana e NATO-s nuk të mungojë.

Në pritje sot, ministri i FSK-së u shoqërua nga zëvendëskomandanti i FSK-së gjeneral major Rrahman Rama dhe sekretari i përgjithshëm i MFSK-së, Shkëlzen Sylaj.

Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës për nder të gjeneralit të NATO-s organizoi ceremoni zyrtare, dhe e veçanta e kësaj ishte se Njësia Ceremoniale e FSK-së,  për herë të parë sot, ka mbajt të veshur uniformën e re tradicionale.