Agjenci për Zbutje të Papunësisë

Projektligji për Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, të hënën është miratuar nga komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe si tillë duhet të kalojë edhe nëpër komisionet tjera parlamentare. Hyrja në fuqi e këtij ligji pritet të bëhet nga janari i vitit 2015.

Kryesuesja e grupit punues nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Time Kadriaj, tha se amandamentimi i projektligjit është bërë në konsultim edhe me përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“…I kemi harmonizua ato qëndrimet tona edhe faktikisht kemi lyp sqarime për gjanat që na nuk i kemi pas të qarta” tha Kadriaj.

Deputetja Kadriaj thotë se Projektligji për Agjencinë e Punësimit nuk paraqet duplifikim funksionesh me Departamentin e Punës dhe Punësimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
 
Ajo thotë se këto dy organizma do të kenë përgjegjësi të ndara.

“Ministria merret me politikëbërjen, ndërsa agjencioni merret me zbatimin e asaj politikëbërje të Ministrisë së Punës”, tha ajo.

Sipas saj, me Agjencinë për Punësim synohet të ketë më shumë analiza për sa i përket tregut të lirë të punës dhe gjetjes së vendeve të lira të punës.

“Do të gjejmë vende të lira të punës duke kontraktuar edhe sektorin privat dhe do të shohim edhe gjenerimin e vendeve të reja të punës, në mënyrë që sa më shumë t’i ofrohen punëkërkuesve vende të lira të punës”, tha ajo.

Të dhënat më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se shkalla e papunësisë për vitin pjesën e dytë të vitit 2012 është 30.9 për qind.

Për zbutjen e papunësisë në vend, ishte iniciuar nga Qeveria e Kosovës alternativa për dërgim të fuqisë punëtore për punë sezonale jashtë vendit.

Gazeta Jeta në Kosovë në gusht ka shkruar se Qeveria e Kosovës po bën “përpjekje maksimale”që të dërgojë kontingjentin e parë të punëtorëve në Katar, në fillim të vitit 2014, disa ditë pasi miratoi fillimin e negocimit për marrëveshjen për “rregullimin e fuqisë punëtore të qytetarëve të Kosovës” në shtetin arab.

Edhe pse lehtësimi i këtij lloj punësimi nga qeveria nuk vlerësohet si zgjidhje e qëndrueshme nga ana e saj për papunësinë, në këtë mënyrë Katari bëhet eksport legal i forcës punëtore.