Sami Hamiti Lirohet nga Paraburgimi

Lirimin e Sami Hamiti e konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë, mbrojtësi i tij, Tomë Gashi.  “Hamiti është liruar sot nga paraburgimi. Ai ndodhet në shtëpi”, tha Gashi. 

Hamiti dhe dy të tjerët ndodheshin në paraburgim që nga 13 shtatori. Ata dyshohen për zhvatje dhe për vepra të tjera të lidhura me korrupsion.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në një seancë të martën,  nuk e kishte marrë parasysh vendimin e Gjykatës Supreme, e cila e kishte cilësuar paraburgimin e Sami Hamitit si “absurd dhe të paligjshëm”. Gjykatësi Vehbi Kashtanjeva kishte vendosur që kryesuesi i Asamblesë së Prishtinës të mbetet në paraburgim deri më 12 tetor.

Pas kërkesës që kishte bërë mbrojtja për mbrojtjen e ligjshmërisë, Gjykata Supreme e Kosovës, javën e kaluar e kishte cilësuar paraburgimin e Sami Hamitit si “absurd dhe të paligjshëm”.

Supremja e kishte kthyer lëndën në Gjykatën e Qarkut për ndryshimin eventual të vendimit.

Por, gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, pasi ka dëgjuar prokurorin dhe mbrojtjen, ka nxjerrë vendim me të cilin Hamiti dhe dy të tjerëve iu caktohet paraburgimi nga data 9 deri më 12 tetor.

Avokati mbrojtës i Hamitit, Tomë Gashi, kishte thënë të martën se “ky është edhe një vendim skandaloz i gjykatës”.

Sami Hamiti, zyrtar i LDK-së, dhe dy biznesmenët Ademi e Rama, u arrestuan më 12 shtator nga policia e EULEX-it. Mediat kanë raportuar se një qytetar i Prishtinës (D. A.) ka denoncuar në EULEX nëpërmes një incizimi se Muharrem Rama dhe Agim Ademi i kanë kërkuar atij tri shtëpi dhe një veturë BMW. Ata kanë folur në emër të Sami Hamitit, dhe sipas denoncuesit, nëse ai do t’i jepte këto “dhurata” Komuna e Prishtinës do ta rregullonte planin urbanistik të Lagjes Sofalia sipas kërkesave të tij.