Ilustrim

Rreth 650 milionë euro investime të huaja në Kosovë për dhjetë muajt e vitit 2022

649.5 milionë euro, është vlera e investimeve të huaja në Kosovë, për dhjetë muajt e vitit që shkoi, viti 2022. E thënë ndryshe, çdo muaj në Kosovë erdhën mesatarisht rreth 65 milionë euro.

Investimet që erdhën nga jashtë në vend,  përgjatë kësaj periudhe janë më të larta mbi 206 milionë euro në krahasim me dhjetë muajt e vitit paraprak.

Nga muaji janar deri në muajin tetor të vitit 2021, vlera e investimeve të huaja në Kosovë, gjithnjë sipas të dhënave statistikore të institucionit kryesor bankar në vend, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ishin 443.1 milionë euro.

Vendet prej nga erdhën këto investime, sipas BQK-së, ishin kryesisht nga vendet e Europës, mirëpo investime pati edhe nga Shtete e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Sektor prijës ishin aktivitetet e patundshmërive me rreth 68 për qind apo 440 milionë euro, duke u pasuar në aktivitete të financave dhe sigurimit, të xehtarisë dhe gurorëve dhe të ndërtimtarisë.

Gjermania prijëse e investimeve të huaja në Kosovë

Përgjatë dhjetë muajve të vitit 2022,  investimet nga Gjermania prijën me 181.9 milionë euro që rezulton me një mesatare rreth 18.1 milionë euro çdo muaj.

E dyta renditet Zvicra  me gjithsej 153.8 milionë euro, pastaj shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) me 79.8 milionë euro, ndërsa për nga investimet e huaja direkte në Kosovë, Shqipëria renditet e katërta me 62.1 milionë euro dhe para Austrisë.Investimet të huaja pati edhe nga vendet tjera por me vlera më të ulëta

Patundshmëria përfituesi më i madh i investimeve

Për nga sektori i investimeve të huaja direkte në Kosovë, të dhënat e rendisin të parën, sektorin e patundshmërive me gjithsej 440 milionë euro apo shprehur në përqindje i bie se ky sektor përbën më shumë se gjysmën respektivisht rreth 68 për qind të investimeve të huaja në Kosovë për këtë periudhë.

Pastaj renditen aktivitete e financave dhe të sigurimit me mbi 47.2 milionë euro, ndërtimtaria 27.8 milionë euro dhe aktivitete e tjera me vlera më të ulëta.