Rrëfimi i Trishtë X

Kur në pranverën e vitit 1998 Agim Zogaj kishte gjetur një pushkë dhe i ishte bashkëngjitur UÇK’së, vështirë se do të kishte imagjinuar se një ditë do të hynte në luftë me saktësisht bashkëluftëtarët e tij të atëhershëm.

Ai mbante edhe një ditar, por prapë vështirë ta ketë bërë këtë i shtyrë nga pasioni i një shkrimtari që dëshiron të bëjë emër duke përshkruar ngjarje të gjalla nga mosbesimi në imagjinatë.

Zogaj ka qenë vetëm një luftëtar i thjeshtë. Një që komandantin e tij të brigadës, Fatmir Limajn, e ka çmuar deri në idolizim.

I besueshëm ishte Zogaj dhe prandaj qe emëruar rojtar i burgut të improvizuar të Kleçkës.

Atje i pa të gjitha.

Rojtari i burgut mbajti një bllok shënimesh në mënyrë sekrete ku shkroi hollësi të të burgosurve: emrat, të dhënat personale, arsyet e burgimit, datat e pranimit, lirimit ose ekzekutimit. Shënimet i plotësoi me kujtesën e tij.

Kur plagët e luftës u qetësuan me kalimin e kohës, këto shënime morën jetë e u shndërruan ngadalë në një rrëfim. Autori i saj u bë i njohur si Dëshmitari X.

Rrëfimi i tij fillon me përshkrimin e vrasjes së Nebojsa Djuricic’it dhe Veljko Markovic’it, dy oficerëve policorë serbë, të cilët u mbajtën në burg në Kleçkë për një periudhe të gjatë kohe dhe të cilët i ekzekutoi vet me urdhër të, siç thotë, Fatmir Limajt rreth datës 4 ose 5 prill 1999.

Dëshmitari i tregoi EULEX’it për vendin e ekzekutimit – varrimit të dy trupave, të cilët më pastaj u gjenden pikërisht në vendin e përshkruar nga ai. Identitetet e tyre u vërtetuan nga një analizë e ADN’së, që u përputh me përshkrimin e dëshmitarit X. Autopsia e kryer tregon shkakun e vdekjes së këtyre dy viktimave (plagë nga të shtëna të shumëfishta me armë), gjithnjë në përputhje me tregimin X.

Dëshmitë treguan se si X kishte kryer vrasjen edhe të një serbi me një kosë, për çka tregoi dy vendndodhje të mundshme të ekzekutimit dhe varrimit të tij. Në vijim, një zhvarrosje çoi në zbulimin e një varri masiv që përmbante pesë trupa. Në të njëjtin varr, u gjend po ashtu një teh prerës. Autopsia e dy mbetjeve njerëzore, tregoi si shkak të vdekjes “prerje në qafë nga një instrument i mprehtë”.

Dëshmia e siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë shpërfaqë se si dëshmitari bashkëpunues X, kishte treguar se i njëjti varr masiv përmbante trupat e katër të burgosurve tjerë serbë të cilët ishin ekzekutuar më të shtëna kallashnikovësh. X shënoi edhe emrat dhe datat e lindjes së katër personave tashmë trupa të pajetë. Të katër trupat u gjendën në vendndodhjen e treguar dhe identitetet e tyre u konfirmuan përmes analizave të ADN’së. Autopsia tregon se tre prej tyre ishin vrarë nga të shtëna armësh në kokë.

Ish-roja e burgut i siguroi hetuesve edhe dokumente zyrtare me origjinë nga UÇK’ja si gjykimet e gjykatës ushtarake, vendimet disiplinore, listat e të burgosurve, kërkesat me shkrim, datat e burgosjes dhe lirimit të një sërë të burgosurish të ndaluar në burgun e Kleçkës.

Në një shënim të fundit të veçantë, X’i tregoi çështjet që ai kishte me Fatmir Limajn dhe njerëzit e tij pas lufte. Ai thotë se Limaj e detyroi atë të pranohej në një spital psikiatrik në mënyrë që të përgënjeshtronte një deklaratë inkriminuese që dëshmitari X kishte bërë në KFOR kundër tij.

Një bastisje që u krye në pronën e Limajt në prill të 2010’ës, në kontekstin e një hetimi tjetër të veçantë, çoi në zbulimin e dosjeve mjekësore të dëshmitarit X në dhomën e gjumit të Limajt.

Përveç dëshmive të dëshmitarit bashkëpunues X, aktakuza është e bazuar në dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë, si dëshmitarit Y, dëshmitari anonim I, Dëshmitari A, dëshmitari anonim H, të cilat në bazë të aktakuzës janë përputhur me dëshmitë e X’it.

Ditarët e X’it ishin mbajtur sekret edhe pas luftës në shtëpinë e tij. Përveç prej një njeriu tjetër – dëshmitarit Y, të cilit dëshmitari X i kishte treguar dhe kishte kërkuar nga ai që t’ia dorëzonte këta ditarë organeve gjyqësore në rast se do t’i ndodhte diçka. Gjithashtu dëshmitari Y, kishte konfirmuar të gjitha këto para prokurorit, ndërsa blloqet e shënimeve i kishte ruajtur brenda dyshekut të krevatit dhe disa jastëkëve.

Sipas aktakuzës, marrëdhëniet e dëshmitarit X me Limajn dhe grupin e tij, kishin ndryshuar pas luftës, pas hetimeve të Tribunalit të Hagës për ngjarjet e luftës në burgjet e Llapushnikut kundër Fatmir Limajt, Isak Musliut dhe Haradin Balajt.

Pas arrestimit të Limajt për në Hagë, njerëzit e tij shoqëruan X’in në Shqipëri, thuhet në aktakuzë, me instruksionet që të mos kthehej kurrë. Mirëpo, X’i përkundër kësaj u kthye në Kosovë duke mbajtur të fshehtë vendqëndrimin e tij dhe duke iu ikur kontakteve me grupin e Limajt.

Ndaj dëshmitarit bashkëpunues X, kishte pasur atentate. Në qershor të vitit 2009 u qëllua dhe u plagos në shtëpinë e tij në Prizren. Gjithashtu i njëjti në korrik të vitit 2007 në veturën e tij kishte gjetur një granatë. Pas këtij rasti X’i ia dha një deklaratë gjithëpërfshirëse policisë së Kosovës rreth marrëdhënieve të tij me Fatmir Limajn, grupin e tij dhe të gjitha kërcënimet që ai kishte marrë.

Përpara prokurorit, X kishte dëshmuar se vëllai i Fatmir Limajt, Demiri, e kishte kërcënuar atë dhe familjen e tij me jetë, se nëse deklaron diçka në lidhje me luftën “do të hedh në erë ty dhe familjen tënde”. Kërcënime të tilla kishte marrë edhe nga njerëzit e tjerë të Limajt.

Në muajin gusht, këtë vit, Limajt dhe nëntë bashkëluftëtarëve iu konfirmua aktakuza. Gati krejt ajo është mbështetur në deklaratat e dëshmitarit X të cilat nga prokuroria konsiderohen si të besueshme dhe mjaft detajisht të përshkruara.

Sipas aktakuzës, Fatmir Limaj së bashku me të akuzuarit e tjerë në bashkëkryerje kanë “dhunuar integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të papërcaktuar të civilëve serbë dhe shqiptarë dhe të burgosurve ushtarakë serbë, të paraburgosur në qendrën e paraburgimit në fshatin Kleçkë komuna e Lipjanit. Këta civilë serbë dhe shqiptarë dhe të burgosur ushtarak serbë, sipas aktakuzës janë mbajtur në kushte çnjerëzore (që përfshin mbajtjen e të burgosurve në zinxhir, ndërtesë të pa përshtatshme, ftohtësi ekstreme, mungesë sanitimi, mungesë ushqimi dhe rrahje të shpeshta”. Akuzat për kryerjen e këtyre veprave përfshijnë periudhën nga janari 1999 deri në mesin e qershorit 1999.