Foto: Etnik Nrecaj

“Shtëpia e Zotit u bë shtëpi e aktorit”

Ekspozita e Sovran Nrecajt, “Teatri Ilegal”, na kthen në një kohë kur artistët, të heshtur nga regjimi i Millosheviqit, i kthyen shtëpitë, kishat dhe shkollat në skena, duke sjellë në jetë magjinë e rrëfimit përballë fatkeqësive.

Tri perde teatri, jo në të zezën e zakonshme, por me ngjyra të gjalla, rrethonin ekranet e vogla që shfaqnin tri pjesë të ndryshme të një dokumentari, në lagjen “Dardania” të Prishtinës. Tregimi për teatrin ilegal të Ferizajt u shpalos përmes rrëfimeve  të tre dëshmitarëve okularë, aktorë të Teatrit të Ferizajt.

Këta dokumentarë sjellin një histori që ndodhi në zemër të së kaluarës së trazuar të Kosovës, kur u shfaq një lëvizje klandestine, duke sfiduar një regjim shtypës dhe duke gjetur ngushëllim në vendet më të papritura – në botën e teatrit ilegal.

Foto: Etnik Nrecaj

Regjimi i Sllobodan Millosheviqit e vuri teatrin nën administrim të dhunshëm, duke dëbuar artistët shqiptarë dhe duke i nënshtruar ata nën kontrollin totalitar. Në mungesë të teatrove, qytetarët hapën dyert e shtëpive, kishave dhe shkollave të tyre për të praktikuar fjalët që duhej të thuheshin para publikut, por që u shtypën nga autoritetet.

Kjo ekspozitë e regjisorit të ri të filmit nga Ferizaj, Sovran Nrecaj, nuk është vetëm një udhëtim vizual, por një eksplorim i thellë i qëndrueshmërisë.

Secila prej tendave është vendosur për të shfaqur një histori gojore të teatrit ilegal dhe luftën e madhe për të kapërcyer regjimin shtypës. Pas një rrëfimi magjepsës, shfaqet një dedikim për aktorët që nuk jetojnë më: “Për Hafir Bislimin”, “Për Mistret Halilin”, “Për Ismail Ramën”.

Ndarja e qëllimshme e ekspozitës – dokumentari Teatri Ilegal nga Nrecaj në tri pjesë pasqyron natyrën trepalëshe të teatrit – tre tenda, tre aktorë, tre institucione dhe histori të panumërta.

Aktorët e paraqitur nga Teatri i Ferizajt – Nexhat Xhokli, Dashuri Rexhepi dhe Arben Marevci – mishërojnë shpirtin e sfidës. Secila prej tyre shpalos betejat e patreguara të vënies në skenë të shfaqjeve nëpër shtëpi, kisha dhe shkolla, larg syve kureshtarë të një regjimi që kërkonte të mbyste krijimtarinë. Tre aktorët treguan se si i menaxhuan provat, ngritën ide dhe tejkaluan pengesat që nga koha që zgjati deri në vitin 1998 kur shpërtheu lufta në Kosovë.

Kishat dhe shtëpitë e kthyera në teatër

Me mbylljen e teatrove në Kosovë nga regjimi shtypës jugosllav i viteve 1990, shtëpitë e lutjeve dhe shtëpitë private u shndërruan në teatro dhe shkolla.

“Shtëpia e Zotit u bë shtëpia e aktorëve. Lutjet u shndërruan në vargje”, ka thënë përmes ekranit nën tendën e dytë aktori Dashuri Rexhepi, duke kujtuar kohën kur bënin prova në kishën “Engjëlli i Paqes” në Ferizaj.

“Kërkimi i kësaj teme ishte i vështirë, pasi kjo periudhë nuk është e dokumentuar mirë. Nuk ka pothuajse asnjë arkivë. Gjeneratat e vjetra nuk e përmendin sa duhet dhe gjeneratat e reja nuk dinë për të”, tha Sovran Nrecaj për Prishtina Insight.

Foto: Etnik Nrecaj

“Ndonjëherë ne krijojmë perceptimin e gabuar se gjithçka [puna e teatrit] po fillon nga fillimi dhe nuk ka asnjë bazë në të kaluarën,” shtoi ai.

Në anën e kundërt të korridorit, ku shfaqen dokumentarët, gjen fotografi në mure që shpërfaqin shfaqjet e zhvilluara gjatë asaj kohe.

Një udhëtim i betejave klandestine

Ekspozita kapërcen elementet e saj vizuale për t’u bërë një udhëtim që pasqyron betejat klandestine të së shkuarës. Përmes fotove e fjalëve, shërben si një kujtesë prekëse se arti, veçanërisht teatri, nuk është i kufizuar në hapësira institucionale, por mund të lulëzojë kudo, edhe në rrethanat më sfiduese.

Në shikim të parë, nuk e dini se çfarë është nën perde: foto, muzikë, një person, një objekt, një teatër i vogël? Çdo histori flet për një betejë midis kulturës dhe shtypjes. Më e spikatura, dëshira për të vënë në skenë ngjarje që publiku duhet t’i shohë.

Foto: Etnik Nrecaj

Ndërsa shikuesit heqin perden, ata përballen me një shkrirje të së vjetrës me të renë, një përplasje simbolike të paqes kundër luftës dhe mundësinë kundër pamundësisë.

Ideja ishte të tregohej se teatri ishte përtej institucionit, se mund të bëhej kudo, vetëm duke përcjellë një të vërtetë që regjimi tenton ta fshehë.

“Tre” si tri të çara të aktivizmit artistik

“Dokumentari është ndarë qëllimisht në tri pjesë dhe është vendosur në tri tenda për të pasur një metaforë për atë periudhë sepse siç e dimë i përket asaj periudhe të sistemit paralel që fillon nga shtypja e autonomisë së Kosovës në vitin 1989 e deri në shpërthimin e luftës. ”, tha kuratorja e ekspozitës, Blerta Hoçia.

“Këto tenda paraqesin edhe hapësirat boshe që aktorët gjetën dhe i përdorën për të vazhduar aktivizmin e tyre”, shton Nrecaj.

Në tendën e parë, një dokumentar kushtuar aktorit të ndjerë Ismail Rama, fokusi ishte mbajtja e provave nëpër kisha, e cila kulmoi me premierën që ata arritën të performonin pas provave për më shumë se dy muaj, me premierë në kishën e fshatit Stubëll të Vitisë. e më pas edhe në kishat tjera në Kosovë.

Në tendën e dytë, kushtuar aktorit tjetër të ndjerë, Hafir Bislimit, Nexhat Xhokli tregoi se si e kishin përgatitur shfaqjen që ka syzhe vrasjen e vëllezërve Gërvalla për të luajtur në festivalin “Flaka e Janarit” në Gjilan, në vitin 1993. Dashuri Rexhepi tregon se si derisa ata ishin duke bërë prova në shtëpinë e Ramush Hazirit, ata u zbuluan nga Policia serbe dhe u dërguan për t’u marrë në pyetje në stacionin policor të qytetit.

Për shfaqjen Piramida të regjisorit dhe aktorit Ismail Rama në vitin 1994, ata u mbanë prova për muaj të tërë në shtëpi private. “Kemi bërë prova pa zhurmë”, thotë Dashuri Rexhepi. Ata arritën ta interpretojnë këtë shfaqje në teatrin e Preshevës, e cila solli një dritë shprese për aktorët.

Suprimimi i autonomisë së Kosovës në vitin 1989 i dha regjimit të Millosheviqit mundësinë për të përjashtuar të gjithë shqiptarët e Kosovës nga jeta dhe hapësirat publike. Mbijetesa e aktorëve ishte rezistenca që e bëri të pamundur mbylljen e tyre.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 24 tetor në Qendrën e Dokumentimit të Kosovës në Prishtinë.

Ky artikull fillimisht u publikua në Prishtina Insight.