Jeta në Drenicë nuk është sikur në barcoleta

Drenicasit vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira në mes të papunësisë, varfërisë dhe migrimit dy dekada pas luftës që la pasoja të mëdha në këtë rajon.

“Ju në Drenicë e keni asfaltin n’derë të shpisë” – janë reagimet e shpeshta që merr nga njerëz sapo iu tregon vendlindjen. Në anën tjetër, harrohet fakti  që rajoni i Drenicës vetëm 50 kilometra nga kryeqendra e Kosovës, është nga rajonet më të dëmtuara nga lufta dy dekada më parë, luftë kjo që ka lënë dëme edhe në infrastrukturë përveç humbjeve të mëdha njerzore. Në Skenderaj dhe Drenas si dy qendrat e Drenicës sipas regjistrimit të popullsisë  në vitin 2011, llogaritet jetojnë pak rreth 110,000.00 banorë.

Kryefjala e barcoletave qëndron te ‘asfalti’. E që gjithë kjo ka rrjedhur me faktin që Partia Demokratike e Kosovës, PDK, parti kjo që ka gjenezën nga ky rajon, ka udhëhequr Kosovën më së shumti në bashkëqeverisje të ndryshme prej vitit 2007. Që atëherë, asfaltimi i rrugëve e ndërtimi i autostradave kanë qenë fokusi i çdo qeverie dhe ndër investimet më të mëdha kapitale në Kosovë që kalon shifrën e 2 miliarë eurove.

Prej 2 mijë e 70 km rrugë sa ka tërë Kosova, vetëm 90 km apo 4.6 % rrugë kanë mbetur pa u asfaltuar sipastë dhënave të Agjencisë së e Statistikave të Kosovës(ASK). 

Por, edhepse qeveritë e institucionet qëndrore janë udhëhequr nga njerëz që vijnë nga Skenderaj e Drenasi që janë në zemër të Drenicës, mungesa e infrastrukturës elementare për jetë vazhdojnë ta përcjellin këtë zonë. Madje, jo të gjitha rrugët janë asfaltuar, siç rëndom ekziston miti.

Photo: Xheneta Murtezaj.

Faik Caraku nga fshati Dobroshevc i Drenasit tregon vështirësitë për të qarkulluar në një rrugë plot baltë.  “Rrugët për gjatë lagjes sonë janë gjithë kohën me baltë për shkak se janë pa të asfaltume edhe vështirë pe kemi me qarkullu edhe me vetura. Kur të bien shi mbushen puseta me ujë edhe sidomos gjatë dimrit e kemi problem së nuk ki as qysh me kalu rrugën”, tregon Caraku. 

Dhe, mungesat në infrastrukturë shkon përtej rrugëve të paasfaltuar  sikurse mungesa e ujit të pijshëm në fshatrat e qytetit të Skenderajt.

Buroja është njëherësh fshati i lindjes së ish udhëheqësit të qeverisë së Kosovës prej 2007-14, tashmë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Bashkëfshatarët e presidentit ankohen për mungesën kushteve për jetesë siç janë uji dhe rrjeti i dobët i energjisë elektrike.

 “Veç qita asfalt qe e kem, se kurrgja tjetër nuk kemi, edhe pse thojnë fshati i presidentit, mendojnë që këtu ska probleme tjera”, thotë Shaqir Duraku, banor i fshatit Burojë teksa tregon për problemet që përballen banorët e lagjeve Duraku, Begani, Jusolli dhe një pjesë e asaj Kaçkini të këtij fshati.

Duraku për BIRN thotë së përballen me mungesën e ujit të pijshëm, shtyllat elektrike të vjetruara dhe telat që qëndrojnë të varur në pemë.

“Rryma është qaq e dobët sa duhet me ba përforcime se ka raste që në mbrëmje nuk banë as televizori, e po duhet me ja ble reduktorin. As ujë s’po kem,e me cisterna e me bunar po duhet [me u furnizu]”, tha ai për BIRN.

Shaqir Duraku. FOTO Xheneta Murtezaj.

Por si një pjesë e Burojes janë edhe 10 fshatra të tjera të cilat ende nuk po furnizohen me ujë, anipse, shteti i Zvicrrës kishte investuar për këto fshatra me projektin e ujësjellësit që kap vlerën prej 1 milion e 230 mijë euro, në muajin mars të këtij viti.

Ndërkohë, njëjtë të përballur me mungesën e ujit janë edhe fshatrat e tjera të Drenasit të cilat janë: Shtuticë, Vërboc, Tërstenik I dhe II, Gllobar, Baicë, Likoshan, Gllanasellë, Godanc, Dobroshec, Çikatovë e Vjetër, Krajkovë, Shtrubullovë, Zabel i Ulët, Korroticë e Ulët, Poklek, Vasilevë,  Nekoc, Kizharekë, Nekoc, Fushticë e Ulët dhe Korroticë e Lartë.

Mungesa e kushteve elementare është sinonim i vështirësive të tjera që e percjellin rajonin e Drenicës dhe që e kanë lënë të pazhvilluar dhe në varfëri me nivel të lartë.

Varfëria e lartë 

Sipas Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare për vitin 2017 të realizuar nga Banka Botërore dhe Agjensia e Statistikave të Kosovës, është vlerësuar se 17.6 përqind e popullsisë në Kosovë jetojnë në varfëri absolute, me më pak se 1.82 euro për një person të rritur.

Kjo gjendje reflekton edhe në  rajonin e Drenicës duke tejkaluar shifrat në  nivel vendi kur krahason Drenasin me qytete tjera.

Drenasi i populluar me rreth 59 mijë banorë, del të jetë mjaft i varfër në krahasim me qytetet e mëdha që kanë numër të madh të banorëve.

Vetëm në muajin gusht të 2019, janë 1 mijë e 94 familje që kanë marrë ndihmë sociale, tregojnë të dhënat e raportit mujor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të siguruara nga BIRN. Po në të njëjtën periudhe kohore, në Pejë, që ka mbi 94,000 banorë, janë 1 mijë e 18 familje që marrin ndihmë sociale.

Xhevdet Sahiti nga fshati Kopiliq i Ultë i Skenderajt është njëri nga të përfshirit në skemën sociale. Ai rrëfen për BIRN kushtet e vështira të jetesës me të cilat përballet familja e tij.

Sahiti thotë së jeton vetëm me ndihmë sociale dhe që janë të pamjaftueshme për familjen e tij 4 anëtarëshe. “Unë me grun e 2 çikat jetojmë me ni social 107 euro. Veç çka me nimojnë tjertë edhe për Bajram. Shtëpinë ma kanë ndërtu ndihmat para 8-9 vjetëve sa mos me na rrok pika. Unë jam edhe përveti sëmurë, me kokrra. Katastrof i kem kushtet”, tregon ai. 

Xhevdet Sahiti. FOTO- Xheneta Murtezaj.

Sahiti është në mesin 5.3 për qind e popullsisë kosovare që jetojnë në kufirin e varfërisë së skajshme, me më pak se 1.30 euro në ditë, sipas raportit të Bankës Botërore.

E në anën tjetër, të dhënat e MPMS për muajin gusht të këtij viti tregojnë së sikurse familja e Xhevdet Sahitit janë edhe 805 familje në tërësi që marrin jetojnë me asistencë sociale në Komunën tjetër të Drenicës, Skenderajn. 

Ikja e Drenicasëve

Me një mungesë të tillë perspektive, kushteve elementare për jetesë dhe varfërisë, Drenicasit nuk bëjnë përjashtim nga 10 përqind e popullsisë së Kosovës që e kanë braktisur vendin në 5 vitet e fundit, me mbi 170,000 kosovarë që kanë migruar kryesisht në Evropën perëndimore.

Sipas Komunës së Drenasit, janë mbi 3,000 persona që janë të regjistruar si të papunë.

E para dy muajsh edhe Mehmet Gucati nga Drenasi dorëzoi dokumentet për vizë në në ambasadën e Gjermanisë, në kërkim të një jetë më të mirë. 

Ai ka punuar në ndërtimtari, por kushtet e këqija të punës e kanë detyruar të kërkojë jetë më të mirë në Gjermani.  Gjatë vitit 2018, vetëm ambasada Gjermane ka lëshuar mbi 13,000 viza për punëtorët dhe studentët kosovarë.

BIRN i ka shkruar Agjensionit të Statistikave të Kosovës për të marrë të dhëna mbi papunësinë në Skenderaj dhe Drenas por nuk ka marrë përgjigje.

Në mes të mungesës së kushteve elementare për jetë, dhe varfërisë, Gucati është nga shembujt e shumtë të cilëve fakti që vijnë nga i njejti vend nga klasa qeveritare por që migrimin e sheh si të vetmen mundësi për të jetuar një jetë me më shumë dinjitet.

“Nuk ka punësim, s’ka kurrgjë hiç në Kosovë, gjithçka po shkon keq. Deri qetash s’ kam dasht as unë me shku po tash e kam pa që s’ka kurgja këtu e që dy muaj e kam dorëzu vizën për në Gjermani, së këtu s’ka as siguri në punë, as mjete. Kam punu edhe këtu po kurrgjë fitim nuk met”, u vlerëson ai.