Lumi “Sitnica”, në Lipjan || Foto: kallxo.com

Publikohen rezultatet cilësisë së lumit 'Drenica' dhe 'Sitnica'

Organizata joqeveritare PEN ka publikuar rezultatet e cilësisë së lumit Sitnica dhe Drenica, krahas një kampanje që janë duke realizuar për vetëdijesimin e qytetarëve për pasojat e ujit të ndotur në ekosistem.

Sipas organizatës PEN, në bazë të direktivës evropiane për ujëra sipërfaqësore, lumi Drenica i takon statusit – i ndotur).

“Përderisa në burim të lumit cilësia e ujit është e statusit të mirë, kjo cilësi bie drastikisht përgjatë shtratit të lumit – duke u ndotur kryesisht nga ujërat e zeza”, bëhet e ditur nga organizata PEN.

Edhe lumi Sitnica, në bazë të direktivës evropiane për ujëra sipërfaqësorë, i takon statusit – i ndotur.

Nga PEN thonë se në këtë lum kanë marrë vetëm një mostër, duke marrë parasysh që ky lum nuk ka burim por është formuar nga rrjedha të lumenjve të tjerë.

Ata kanë njoftuar se kanë marrë shtatë mostra të ujit në katër lumenj të Kosovës: Sitnicë – 1 mostër; Llap – 2 mostra; Lepenc – 2 mostra; Drenica – 2 mostra.

Këto mostra janë marrë në këtë formë në mënyrë që të bëhet krahasimi i rezultateve të nivelit të ndotjes përgjatë shtrirjes së lumit.

“Mostrat e marra në teren janë realizuar në bashkëpunim me Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës. Më pas, ekspertët e fushës kanë analizuar më thellësisht përbërjet fizike dhe kimike të ujit”, thuhet në komunikatë.

Në tabela janë vendosur parametrat kimikë dhe fizikë. Vlerat me ngjyrë portokalli dhe të kuqe tregojnë për vlerat e larta të ndotjes tek parametrat e ndryshëm – e kuqja tregon ndotje më të lartë. Këto të dhëna janë përpunuar nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.