Shtimja mbledh ekspertët e astronomisë në tokën që e dhuroi Milaim Rushiti

Falë iniciativës së Milaim Rushitit, në Kosovë për herë të parë  u ndërtua Observatori dhe Planetariumi Kombëtar, “dhoma virtuale” tek e cila shfaqen pamje të galaktikave. Për ndërtimin e kësaj qendre shkencore, Rushiti dhuroi 5 ari nga trualli që e trashëgoi nga babai i tij.

Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës është hapur zyrtarisht më 20.06.2024 për publikun, në fshatin Rashincë të komunës së Shtimes.

Ndërtimi i tij është mbështetur nga Mnistria e Arsimit dhe Komuna e Shtimes, në vlerë prej 310 mijë euro.

Kush është profesori nga Shtimja që fali tokën për Planetariumin e parë të Kosovës?

Profesori nga fshati Rashincë i Komunës së Shtimes, Milaim Rushiti tash e dymbëdhjetë vite është mësimdhënës i shkencave të natyrës. Ai që nga viti 2012 ligjëron astronomi dhe fizikë në Gjimnazin Shkencor “Kuvendi i Arbrit” në Ferizaj.

Rushiti është drejtor i klubit të Astronomisë së Kosovës “Astronomy Outreach of Kosovo” (AOK).

Ai është bashkëideator për ndërtimin dhe hapjen e Planetariumit të parë të Kosovës, ide e cila siç tregon ai, filloi në vitin 2017, por që për shkak të problemeve me buxhetin, kjo ide nuk u realizua për një kohë.

Ai kishte parë nevojën e realizmit të punës praktike në kuadër të lëndës së astronomisë në shkolla, andaj vite më parë, kishte filluar me aktivitete të lira në sheshe dhe shkolla, me vrojtime astronomike me teleskop të thjeshtë. Mirëpo duke pranuar donacione të ndryshme nga Amerika, Rushiti tregon se dëshira për të krijuar diçka më të madh që do t’i kontriubuonte fushës së shkencës në Kosovë, rritej. 

Ideja e Observatorit dhe Planetariumit filloi me përmasa të vogla, mirëpo pas disa viteve punë, fituan besimin e institucioneve, e tashmë edhe të partnerëve ndërkombëtarë. 

Për ndëtimin e Observaotorit duhej që të plotësoheshin dy kushte, observatori të ishte larg dritave të qytetit dhe të kishte një parcelë për t’a filluar ndërtimin.

Në vitin 2019 ai vendosi që të dhuroj 5 ari nga prona e tij në fshatin Rashincë të Shtimes që të realizohej ideja e cila tashmë ende ishte vetëm në letër.

“Jo që kam ba diçka të madhe, kam shprehë gatishmërinë që le të ndërtohet se nuk është problem me i dhanë  5 ari tokë”- thotë Rashiti.

Kushtet e vështira për të ligjëruar lëndën e astronomisë në shkolla, me të cilat është përballur profesori gjatë 12 viteve të karrierës së tij, e kanë shtyrë që të dhuroj diçka nga pasuria e tij për të zhvillimin e astronimisë në vend.

Rushiti përfundoi studimet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në Fakultetin e Shkencave Matematikore dhe Natyrore (FSHMN) në Degën e Fizikës Arsimore.