
Nisin punimet për objektin e ri prej 2,5 milionë euro të Komunës së Shtimes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vendosur gurthemelin e ndërtesës së re të Komunës së Shtimes, të shtunën më 28.12.2024.
Përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, Kurti është shprehur se ky objekt do t’i përmbushë kërkesat e qytetarëve në Shtime.
Tutje, ai ka njoftuar se të pranishëm kanë qenë edhe një pjesë e kabinetit të tij si ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi si dhe kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu.
“Vendosëm gurthemelin e ndërtesës së re të Komunës së Shtimes. Ta gëzojmë! Aty, ishim bashkë me Kryetarin, Dr. Qemajl Aliun, ministrat Xhelal Sveçla e Elbert Krasniqin, kolegë nga Kuvendi e Komuna. Ky objekt modern do t’i përmbushë kërkesat e qyetarëve tanë në Shtime. Vazhdojmë me shumë punë të tjera të reja e të mira”- ka shkruar Kurti.
Po ashtu edhe Komuna e Shtimes kanë njoftuar se fillimi i ndërtimit të objektit të ri të Komunës së Shtimes pritet që të shënoj një hap të rëndësishëm për zhvillimin dhe për mirëqenien e kësaj komune.
“Objekti i ri, me një vlerë prej 2.5 milionë eurosh dhe një hapësirë prej 2500 m², do të krijojë kushte optimale për më shumë se 100 punonjës të administratës komunale dhe do të ofrojë shërbime më cilësore për qytetarët e Shtimes”- thuhet ndër të tjera në njoftimin e komunës, të lëshuar sot më 28.12.2024.
Sipas njopftimit të tyre,kryeministri ka deklaruar do të përfundojë brenda 18 muajve.
Ndërkaq, sipas kryetarit Qemajl Aliut, objekti aktual i komunës i ka tejkaluar standardet e sigurisë dhe se i njëjti nuk i përmbushë më nevojat bashkëkohore për punë dhe shërbime.
“Ky megaprojekt do të përfshijë gjithashtu vendosjen e një Obelisku, simbol të Masakrës së Reçakut, i rrethuar nga 45 drunj që përfaqësojnë martirët tanë. Emrat e të rënëve do të gdhenden si një kujtim i përhershëm i sakrificës së tyre”- citohet të ketë thënë Aliu.