Kush është Avio Orav, shefi i ri i Zyrës së BE në Kosovë?
Shefi i ri i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav ka marrë detyrën më 01.09.2024 për një periudhë fillestare prej dy vitesh. Këtë mandat paraprakisht e ka pasur Tomas Szunyog, i cili ka qenë si ambasador i BE-së në Kosovë nga viti 2020.
Ambasadori i ri ka përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi më herët ka shërbyer si shef i delegacionit të bllokut evropian në Maqedoninë e Veriut nga viti 2012 deri më 2016 dhe në Mal të Zi, nga viti 2016 deri më 2020.
Nga Këshilli Europian kanë thënë se Orav do të luajë një rol udhëheqës në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe multietnike e cila bashkëpunon me rajonin.
Sipas KiE, ai gjithashtu do të mbështesë perspektivën evropiane të Kosovës, duke lehtësuar progresin në prioritetet politike, ekonomike dhe të BE-së.
Bazuar në postimet e tij në rrjetin social X, diplomati estonez është një kritik i madh i Rusisë dhe mbështetës i vazhdueshëm i Ukrainës. Ai gjithashtu ka mbështetur vendimin e Këshillit të BE-së për të filluar negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë.
Orav, njëjtë si presidenti estonez, Alar Karis, ka dënuar “sulmet masive nga Gaza që goditën Izraelin” në tetorin e vitit që shkoi.
Karriera diplomatike e Orav
Karriera tridekadëshe diplomatike e Orav filloi në vitin 1990, pas diplomimit në Universitetin Tartu, Fakulteti i Fizikës dhe Kimisë. Gjatë viteve, ai ka ndërmarrë programe të ndryshme edukimi dhe trajnimi, duke përfshirë Shkollën Estoneze të Diplomacisë dhe Kursin e Politikave të Çarmatimit dhe Sigurisë në Qendrën Marshall.
Bazuar në CV-në e tij të publikuar nga Parlamenti Europian, Orav ka shërbyer në pozita të ndryshme diplomatike të rangut të lartë.
Pra se të caktohet si ambasador i BE-së në Kosovë, Orav nga viti 2020 deri në 2024-tën ka qenë Përfaqësuesi i Përhershëm i Estonisë në Unionin Europian.
Ai po ashtu, ka qenë Shef i Delegacionit të BE-së në Mal të Zi nga viti 2016 deri në vitin 2020, ku thuhet se ka luajtur rol vendimtar në avancimin e marrëdhënieve BE-Mali i Zi. Para kësaj, ai ka shërbyer si ambasador dhe shef i delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga viti 2012 deri në vitin 2016.
Përpara posteve që i ka mbajtur në Bullgari dhe Rumani, Orav ka shërbyer si ambasador në Poloni- nga viti 2000 deri më 2005. Qëndrimi i tij në Poloni u shënua nga përpjekjet për të rritur dialogun politik dhe bashkëpunimin ekonomik midis Estonisë dhe Polonisë.
Pas detyrës së tij në Bullgari, ai mori rolin e ambasadorit në Rumani, me qendër gjithashtu në Poloni, nga viti 2001 deri në 2005.
Përpara mandateve të tij si ambasador, Orav mbajti disa poste kyçe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Estonisë. Nga viti 1999 deri në vitin 2000, shërbeu si Drejtor i Divizionit për Politikat e Sigurisë dhe Organizatat Ndërkombëtare. Në këtë cilësi, ai kontribuoi në angazhimin e Estonisë në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Përvoja e diplomatit përfshin gjithashtu edhe shërbimin si ambasador në Liban (me vendbanim në Turqi), ambasador në Azerbajxhan (me qëndrim në Turqi) dhe ambasador në Turqi. Gjithashtu, ai ka mbajtur postin e Drejtorit Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Estonisë, ku thuhet se ka luajtur një rol kyç në formësimin e politikës së jashtme të Estonisë.
Në fillet e tij, nga viti 1998 deri në vitin 1999, Orav shërbeu si Sekretar i Parë për NATO-n dhe Bashkimin Evropian Perëndimor (WEU) në Departamentin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Estonisë.
Nga viti 1995 deri në vitin 1998, ai ka shërbyer si Sekretar i Parë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Estonisë pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Vjenë. Roli i tij ka përfshirë përfaqësimin e interesave të Estonisë brenda OSBE-së dhe kontributin në përpjekjet e organizatës në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve.
Përpara pozitës të tij në Vjenë, Orav ka shërbyer si Sekretar i Dytë për OSBE-në në Departamentin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Estonisë, nga viti 1992 deri në 1995.