Fetullah Gulen | Foto: Flickr
Fethullah Gulen, aleati i kthyer në armik të Erdoganit
Predikuesi i vetëshpallur në ekzil krijoi një organizatë me ndikim botëror përpara se t’i dilte kundër presidentit Erdogan – i cili prej atëherë ndërmori një fushatë të pareshtur represive kundër përkrahësve të tij.
Fethullah Gulen, lideri i Lëvizjes botërore Gulen, ka vdekur të dielën e 20.10.2024, në moshën 82-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po jetonte prej vitit 1999 kur kishte vetëshpallur se po jetonte në ekzil.
Ueb-faqja zyrtare e Lëvizjes Gulen, Herkul, bëri të ditur vdekjen e tij, të cilën e konfirmuan edhe anëtarët e familjes.
“Hoxha jonë (Fethullah Gulen) na la më 20 tetor 2024 në orën 21:20 (sipas kohës lokale) në spital, ku po trajtohej që një kohë”, thuhej në njoftimin e ueb-faqes Herkul.
Në deklaratën e shkruar shtohej se ai “e kishte dedikuar çdo çast të jetës në shërbim të fesë së islamit dhe njerëzimit”.
Nipi i tij, Ebuselem Gulen, ka konfirmuar vdekjen e tij. “Fethullah Gulen ka vdekur”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në platformën X.
Dikur njëri prej personave me më së shumti ndikim në Turqisë falë lidhjeve të tij me presidentin Recep Tayyip Erodgan, Guleni i kishte prirë një lëvizjeje transnacionale, përfshirë Ballkanin, por në Turqi do të etiketohej si prijës i një organizate terroriste shumë kohë para vdekjes së tij.
Erdogani do ta akuzonte Gulenin dhe lëvizjen e tij se kishte orkestruar grusht-shtetin e dështuar kundër Qeverisë së tij në korrikun e vitit 2016, megjithëse predikuesi i njohur ngulmonte në të tijën se nuk kishte kurrfarë lidhjeje me të.
“Burimet tona të inteligjencës konfirmojnë gjithashtu vdekjen e liderit të FETO-s”, ka deklaruar ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, në një konferencë për media të hënën.
“FETO”, shkurtesë për “Organizatën Terroriste Fethullahiste”, është emri që Ankaraja zyrtare ia la lëvizjes së Gulenit pas përpjekjes për puç.
Fidani ka thënë se beteja kundër “gylenistëve” do të vazhdojë pavarësisht vdekjes së prijësit së tyre.
“Kombi dhe shteti ynë do të vazhdojë të luftojë kundër kësaj organizate, sikur se bën edhe të gjitha llojeve të organizatave terroriste”, ka thënë Fidan. Ai u ka bërë thirrje gylenistëve që të largohen nga organizata.
Nga predikues në lider
Guleni u lind më 1941 në krahinën Erzurum në Turqinë lindore. Shkollimi i tij fetar ishte ndikuar kryesisht prej Said Nursit, themelues i Lëvizjes Nur në Turqi.
Ai e kaloi shumicën e kohës si predikues dhe imam në Turqi, duke punuar si Edirne, Kirklareli dhe Izmir.
Ai do të vinte themelet e lëvizjes së tij në Kestanepazari në krahinë e Izmirit, duke hapur një konvikt studentësh në vitet shtatëdhjetë. Prej një konvikti të vogël studentësh, do të zgjerohej në themelimin e një lëvizjeje të gjerë, duke një numër të madh shkollash, konviktesh dhe institucionesh të tjera.
Mbështetësit e tij dyshohet se nisën të merrnin pozita vendimtare në ushtrinë, drejtësinë, policinë dhe burokracinë turke.
Në vitet 1990, aktivitetet e Gulenit nisën të bëheshin përherë e më publike, tani duke themeluar edhe organizata të shoqërisë civile, biznese, banka, shkolla dhe shtëpia mediatike.
Me përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe rënien e regjimeve komuniste, lëvizja e tij, atëherë e mbështetur nga qeveri të ndryshme turke, hapi shkolla dhe organizata të tjera në Ballkan, Azi Qendrore dhe Kaukaz.
Pas memorandumit ushtarak turk të vitit 1997, Guleni shkoi në Shtetet e Bashkuara më 1999 dhe më kurrë njëherë nuk u kthye në Turqi.
Prej aleatit në armik të Erdoganit
Kur presidenti Recep Tayyip Erodgan mori pushtetin më 2002, ai nuk kishte mjaftushëm fuqi njerëzore brenda sistemit shtetëror. Në këtë pikë, nisi një periudhë bashkëpunimi me mbështetësit e Gulenit, që tashmë kishin vërshuar institucionet shtetërore, duke fituar ndikim të pashembullt.
Erdogani dhe Guleni vazhduan të ishin aelatë deri më 2013, gjatë së cilës kohë mijëra mbështetës të Gulenit kishin marrë pozita në ushtri, polici, drejtësi dhe burokraci.
Shkollat dhe institucionet e tjera nisën të shiheshin gjithandej globit dhe në Ballkan në veçanti, me mbështetjen e Ankarasë.
Në këmbim të përkrahjes, të ashtuquajturit gylenistë promovonin Turqinë dhe punonin në fakt si ambasadorë të Erdoganit në Ballkan dhe në rajonet tjera.
Por prej vitit 2011 e tutje, e dukshme do të bëhej krisja ndërmjet Lëvizjes Gulen dhe Erdoganit.
Zyrtarët policorë dhe të drejtësisë nga radhët e Lëvizjes Gulen nisën të hapnin shumë raste hetimi për korrupsion ndaj familjes së Erdoganit dhe emrave të tjerë të lartë të partisë në pushtet të Erdoganit, Partia për Zhvillim dhe Drejtësisë, AKP.
Erdogani pastaj nisi t’ia kthente me të fortë kësaj organizate,m duke iu referuar si “shtet paralel” dhe “Organizata Terroriste Fethullahiste”, ose shkurt si FETO.
Erdogani pastaj do ta akuzonte Gulenin dhe lëvizjen e tij si orkestrues të grusht-shtetit të dështuar kundër Qeverisë në korrikun e vitit 2016, megjithëse Guleni gjithnjë ngulmonte se nuk kishte fare gisht në të.
Ama kjo nuk e frenoi Erdoganin që të vazhdonte fushatën represive kundër gylenistëve të dyshuar.
Pas vitit 2016, më shumë se 150 mijë persona do të largoheshin nga vendet e tyre publike të punës, përfshirë zyrtarë në ushtri, polici, mësimdhënës dhe mjekë. Më shumë se 500 mijë të tjerë do të hetoheshin, duke u burgosur ose arrestuar si rezultat i hetimeve Rrjetit Gulen.
Mijëra institucione – universitete, shkolla, banka, kompani mediash, OJQ dhe firma private – në pronëso ose të drejtuara prej mbështetësve të dyshuar të Gulenit janë sekuestruar në Turqi prej vitit 2016.
Opozita dhe grupet e të drejtave të njeriut akuzojnë Erdoganin se përdori grusht-shtetin e dështuar për të shënjestruar të gjithë kritikët dhe për të konsoliduar sundimin e tij.
Megjithatë, Guleni dhe lëvizja e tij janë kritikuar gjithashtu prej shumëkujt se nuk kishin shpjeguar rolin e tyre, nëse kishin ndonjë, në puçin e dështuar. Guleni dhe emra të tjerë të njohur në lëvizje mbyllën sytë kundrejt kritikave dhe asnjëherë gylenistë i njohur nuk u shkarkua ose mënjanua nga lëvizja.
Presioni në rritje ndaj shteteve të Ballkanit
Ballkani, me popullsinë e tij të madhe myslimane dhe si ish-krahinë osmane, kishte zënë vend special për Gulenin dhe lëvizjen e tij.
Shkolla, spitale, gazeta, OJQ dhe organizata të tjera do të hapeshin në Ballkan me fokus të veçantë te boshnjakët dhe shqiptarët myslimanë.
Fëmijët e elitave të Ballkanit, përfshirë politikanë, zyrtarë shtetërorë dhe diplomatë dërgonin fëmijët e tyre në shkollat e Gulenit me qëllim që të edukoheshin me shkollim të cilësisë së lartë. Dhjetëra mija nxënës dhe studentë janë diplomuar në këto akademi.
Megjithatë, në linjë me fushatën shtypëse në Turqi, Qeveria turke tani do t’i shtynte fort vendet ballkanike që t’ia dorëzonin gylenistët e dyshuar dhe t’i mbyllnin këto institucione.
Shumica e qeverive u rezistuan thirrjeve, por agjencia e inteligjencës e Turqisë, MIT, kreu disa operacione kundërthënëse në Ballkan.
MIT-i ktheu më shumë se 100 gylenistë të dyshuar në Turqi, shpesh duke përdorur operacione të maskuara që tensionuan marrëdhëniet me disa vende, si Kosova, Shqipëria dhe Moldavia.
Si rezultat i një operacion të ngjashëm, Driton Gashi, ish-drejtor Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, AKI, ishte dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim pasi një gjykatë e Prishtinës do ta shpallte fajtor për ndihmë riatdhesimit kundërthënës të gjashtë gylenistëve të dyshuar turq në marsin e vitit 2018.
Organizata ndërkombëtare për monitorimin e të drejtave të njeriut, “Human Rights Watch”, shkruante në një raport të sajin se Turqia ishte një vende prej prijëse të përfshira në “represion transnacional” – duke shënjestruar kritikët e Qeverisë jashtë vendit.
Artikulli fillimisht është publikuar në Balkan Insight.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com