Agon Maliqi. Foto: Facebook

Agon Maliqi: Pas fitores së VV-së në Podujevë, zgjedhjet e parakohshme shumë të mundshme

Analisti politik Agon Maliqi e ka quajtur si shenjë të forcimit të Vetëvendosjes fitoren e kandidatit të saj, Shpejtim Bulliqi, në Podujevë qysh në raundin e parë të votimeve.

Maliqi theksoi se LDK humbi bastionin e saj që e mbante më së forti për 20 vite dhe se kjo ka rritur mundësinë për zgjedhje të hershme nacionale.

“Kandidati i Vetëvendosjes fitoi në zgjedhjet e parakohshme për kryetar në Podujevë në rrethin e parë më 51%. LDK humbi bastionin e saj që e mbante fuqishëm për 20 vite. Kjo është një konfirmim i qartë se VV është rritur dhe qeveria qendrore nuk ka mbështetje popullore. Zgjedhjet e parakohshme nacionale tani duken shumë më të mundshme,” ka shkruar Maliqi në Twitter.

 

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka fituar zgjedhjet në këtë komunë në raundin e parë.

Sipas rezultateve që preliminare, Bulliqi ka fituar 51.6 përqind të votave.

Për Nexhmi Rudarin e LDK-së kanë votuar 36 përqind ndërsa rreth 13 përqind kanë votuar Naim Fetahun e PDK-së.

Zgjedhjet në Podujevë u mbajtën pas dorëheqjes së Agim Veliut nga posti i kryetarit të komunës në shkurt të këtij viti, pasi u emërua ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë Kurti.

Zgjedhjet e caktuara për muajin mars u shtynë për shkak të pandemisë.