Ilustrim, Foto: Kallxo.com

LDK bëhet me 8 nënkryetarë

Përveç Agim Velit, Lutfi Hazirit dhe Vjosa Osmanit, LDK-së i janë shtuar edhe pesë nënkryetarë të tjerë.

KALLXO.com mëson se nënkryetarët e rinj të LDK-së, të cilët janë zgjedhur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, janë Ismet Beqiri, Gazmend Muhaxheri, Imri Ahmeti, Haki Rugova dhe Anton Quni.

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së ka filluar në orën 13.

Në këtë mbledhje është votuar unanimisht marrëveshja për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, para se të fillonte kjo mbledhje ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të vendoset edhe për emrat që do të jenë ministra të LDK-së në qeverinë e ardhshme.

Sot është nënshkruar marrëveshja për koalicionin qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, gati 4 muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme, më 6 tetor 2019.

Sipas marrëveshjes së arritur, Qeveria e re do t’i ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

Glauk Konjufca, i cili është zgjedhur më 26 dhjetor kryetar i Kuvendit, do të largohet nga kjo pozitë për të kaluar në ekzekutiv, kurse ulësja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës do t’i kalojë LDK-së.

Po ashtu, çështja e presidentit nuk është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar, por për këtë do të merren vesh Mustafa e Kurti kur të vijë koha dhe t’i përfundojë mandati presidentit aktual.