Qyteti i Prizrenit

‘Në tren për Përzeren’ si atraksion turistik

Qytetit i vjetër i Prizrenit, i cili ndodhët në jug të vendit, përveç bukurisë natyrore e cila përçohet përmes rrjedhjes së lumëbardhit, brenda vetës ka objekte fetare, trashëgimi të vjetër arkitektonike e zejtari tradicionale, që e bën cak të vizitorëve nga jashtë e brenda vendit. Të dhënat e fundit statistikore zyrtare, rajonin e Prizrenit e rendisin të tretin në raport me rajonet tjera të Kosovës për nga numri i vizitorëve.

Ndryshe, për herë të parë pas më shumë se pesë vite, Komuna Prizrenit vendosi të hap thirrje publike për projektin për trenin turistik.

Komuna hapi thirrje për trenin turistik

Në mesin e muajit korrik të këtij viti, pas një kërkese të parashtruar nga Drejtoria për Shërbime Publike, Komuna e Prizrenit merr vendim për lejimin e realizimit të projektit për “Treni si atraksion turistik në Komunë e Prizrenit”.

Sipas këtij vendimi, kontrata caktohej të jetë një vjeçare me mundësi vazhdimi, ndërkohë drejtoritë përkatëse u obliguan për zbatimin e vendimit.

Në përmbyllje të muajit korrik, përkatësisht me datë 30 korrik 2021, Komuna e Prizrenit hapi thirrjen publike për këtë projekt.

Nëpërmjet kësaj thirrje, kompanitë e interesuara kishin mundësi të ofertonin me datë 16 gusht 2021.

Një javë më vonë, komuna nxori vendimin ku miraton propozimin e Drejtorisë për Shërbime Publike për emërimin e anëtarëve të komisionit. Komisioni përbehej prej një kryesuesi dhe dy anëtarëve.

Për të mësuar më tepër, KALLXO.com, ka kërkuar qasje në informata nga Komuna e Prizrenit. Për dallim nga ajo që thuhet në vendimin e datës 15 korrik 2021, komuna thotë ka dhënë pëlqim e jo kontratë.

“Komuna nuk ka kontratë me operatorin për shërbime të trenit turistik, ka pëlqim sipas tarifës ngarkohet me tarifën, zona -i- të rregullores nr. 001/011 nr.46063,dt. 28.03.2019, taksat dhe tarifat komunale në Prizren”, thuhet në përgjigjen për KALLXO.com.

Sipas pëlqimit të komunës, që ka siguruar KALLXO.com, operatori ekonomik duhet të paguaj 150 euro në muaj për 5 vend parkingje apo 30 euro për një të tillë.

Kohëzgjatja e këtij pëlqimi sipas Komunës është tre muaj dhe operon sipas shpalljes ftesë për ofertë në faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit.

Ndërsa lidhur me çmimin e biletës dhe formën e inkasimit të parasë nga pagesat e qytetarëve që e shfrytëzojnë trenin, nga komuna thonë se nuk është në kompetencën e tyre.

Burimi: Komuna e Prizrenit, Pixabay.com, ilustrim: Rrahman Ramaj, KALLXO.com
Burimi: Komuna e Prizrenit, Pixabay.com, ilustrim: Rrahman Ramaj, KALLXO.com

Rritja çmimeve, a ndikoi çmimin e biletës?

Burim Sallauka, pronar i kompanisë “Koha- B- grup” Sh.p.k. e cila ka në pronësi “Trenin Turistik” ka thënë për KALLXO.com se për operim në janë pajisur me leje, e cila është valide deri në fund të këtij viti.

“Fillimisht kemi aplikuar për leje në procedurë të rregull në Drejtorinë e Shërbimeve Publike. Pas skadimit të lejes kemi aplikuar sërish dhe asnjëherë nuk kemi vepruar pa marr këtë pëlqim”, ka thënë Sallauka.

Herën e fundit, Kompania “Koha…”, sipas tij, kishte përfituar vazhdimin e lejes së operimit në bazë të thirrjes së Komuna e Prizrenit.

“Treni ka filluar punën që nga 12 qershori 2016. Ka vazhduar të punojë deri në shtator 2019 kur i është skaduar leja, pastaj deri sa janë ndjekur procedurat e ri-dhënies së lejes u krijua situate pandemike me COVID-19 me që rast e kemi ndërprerë punën edhe në mënyrë vullnetare, ndërsa ka filluar punë në fund të shtatorit 2021, pasi jemi pajisur me pëlqimin”, ka thënë Sallauka.

Ai ka thënë se pavarësisht rritjes së çmimeve, çmimi i biletës për shfrytëzimin e një shëtitjeje mbetej i njëjtë.

“Çmimi i biletës ka qenë i njëjtë gjithnjë prej 1.5 euro për shëtitje unazore në Prizren. Normalisht për grupacione dhe organizime të ndryshme bëjmë çmime më racionale. Lejen aktuale e kemi deri në fund të këtij viti me mundësi vazhdimi”, ka thënë ai.

“Treni Turisti” në Prizren operon qe 5 vjet, përjashto këtu periudhën e rëndë të pandemisë. Treni ka tërhequr shumë turist që e vizitojnë qytetin e Prizrenit.

“Gjatë funksionimit asnjëherë nuk kemi pasur problem ose pakënaqësi si nga institucionet publike, si nga bizneset private apo edhe vet qytetaret e Prizrenit, kjo normalisht si pasoj e përgjegjshmërisë tonë për të funksionuar pa e penguar rrjedhën e jetës në qytet. Ajo që kemi bërë me Trenin Turistik është shembull i kontributit qytetar në rritjen e turizmit në vend”, tha Burim Sallauka.

Sa vizitorë priti regjioni i Prizrenit nga shpallja e pavarësisë e këndej?

Të dhënat e fundit për vitin 2021, për tre muajt korrik deri shtator, bëjnë të ditur se regjioni i Prizrenit priti 25,114 vizitorë. Ku më shumë se gjysma e tyre apo 61.8 për qind ishin vizitorë nga jashtë shprehur në numra i bie 15,517 vizitorë, ndërsa pjesa tjetër 9,597 apo 38.2 për qind janë vizitorë vendorë.

Ky numër është mbi tri herë më i madh në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020, kur edhe u përhap pandemia e COVID-19 në Kosovë dhe masave të ndërmarra. Në çerekun e tretë të vitit 2020 numri i vizitorëve vendor e të jashtëm ishte 6,804.

Ndryshe nga vitit i kaluar, në krahasim me çerekun e njëjtë të vitit 2019, evidentohet një rritje për rreth 10 mijë vizitorë më tepër sa ishin 15,139 vizitorë të jashtëm e vendor.

Që nga shpallja e pavarësisë e këndej, numri i vizitorëve nga jashtë dhe ata vendorë ka shënuar rritje të vazhdueshme. Numri më i madh regjistrohet në vitin e para pandemisë prej 55,107 vizitorë.

Në vitin 2020, për shkak të virusit COVID-19, numri i vizitorëve në këtë regjion u përgjysmua.

Burimi: Agjencia e Statistikave te Kosoves (ASK), GRAFIKA: Rrahman Ramaj, KALLXO.com
Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), GRAFIKA: Rrahman Ramaj, KALLXO.com