Shtëpia Tradicionale e Familjes Qerkezi, Gjakovë. Foto: Afrim Ejupi/BIRN

Muzetë e vegjël të krimeve të luftës vënë në pah urgjencën për një Muze Kombëtar të Luftës

Në të katër qoshet e Kosovës gjenden muze të vegjël, përmes të cilëve dokumentohen pasojat tragjike të luftës së fundit. Përplot me fotografi, fakte dhe histori prekëse të tragjedive familjare, muzetë vënë në pah nevojën për ngritjen e një Muzeu Kombëtar të Luftës, në mënyrë që të ruhet dhe të ekspozohet e gjithë historia në një vend.

Kosova mban qindra statuja përkujtimore për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo nuk ka asnjë vend ku mund ta gjesh historinë e plotë të luftës së viteve 1998 – 1999.

Përderisa muzetë e vegjël janë ngritur për t’i ekspozuar humbjet rrëqethëse të familjeve dhe komuniteteve, ekziston një nevojë serioze për ngritjen e një Muzeu Kombëtar të Krimeve të Luftës, në mënyrë që të mbërthehet narrativa e plotë për atë që ndodhi gjatë luftës në Kosovë.

Disa nga muzetë që shërfaqin pasojat e luftës në Kosovë. Prishtina Insight ka përzgjedhur katër muze të vegjëla të luftës që gjithkush duhet t’i vizitojë. Hartëzimi: Prishtina Insight.

Në vitin 2018, BIRN pati raportuar se Prishtina po planifikonte ta hapte një muze të krimeve të luftës përmes së cilës do të shfaqte përvoja nga të gjitha komunitetet e ndryshme në Kosovë. Muzeu pritej të përfshinte dëshmi të përdhunimit, zhdukjeve, dëbimeve dhe shkatërrimit të pronës.

Megjithatë, pesë vjet më vonë, një muze i tillë nuk ekziston në Prishtinë dhe askund tjetër në Kosovë. Ministria e Kulturës gjithashtu nuk mban një listë të muzeve tjera me fokus luftën. Megjithatë, në mungesë të një muzeu qendror të vetëm për krimet e luftës, janë disa muze që ia vlen të vizitohen në mënyrë që ta kuptojmë ndikimin që pati lufta në popullatë.

Muzeu i Familjes Berisha në Suharekë. Foto: Afrim Ejupi/BIRN

Përderisa Kompleksi Memorial Adem Jashari është  muzeu më i njohur, Prishtina Insight i ka vizituar disa nga muzetë e tjerë të vegjël nëpër Kosovë. Fatkeqësisht, sado që përpiqen t’i ekspozojnë pasojat e luftës, këta muze nuk marrin ndihmë të mjaftueshme financiare për të punësuar personel me kohë të plotë ose për të ofruar përkthime në anglisht për vizitorët e huaj.

Muzeu Shëndetësor në Kompleksin Memorial në Penuhë, Podujevë

Muzeu Shëndetësor në Kompleksin Memorial në Penuhë, Podujevë. Foto: Denis Sllovinja/BIRN

Adresa: Mustafë Shala, Penuhë, Podujevë, 11000

Orari: 10:00 -17:00

Muret e Muzeut të Shëndetësisë në Podujevë janë mbushur me fotografi të operacioneve që po kryheshin mbi ushtarët dhe civilët gjatë luftës. Ka më shumë fokus në plagët e gjakosura sesa në fytyrat e njerëzve. Ky muze ruan pamje grafike që janë të rënda për vizitorët. Sado që janë pamje të tmerrshme, sidoqoftë është tejet me rëndësi të dëshmohen tmerret e luftës.

Muzeu i Shëndetësisë në Podujevë përkujton spitalin Ushtarak në Podujevë që i shërbente Zonës Operative të Llapit. Më shumë se 700 operacione shëndetësore u kryen mbi ushtarë dhe civilë midis 15 shtatorit 1998 dhe 30 prillit 1999. Ky muze, i hapur në maj 2022, është i vogël. Muzeu përmban vetëm dy dhoma dhe jashtë gjenden varrezat e dëshmorëve për 154 ushtarë të Zonës Operative të Llapit. Deri më tani janë varrosur vetëm 114.

Muzeu Shëndetësor në Kompleksin Memorial në Penuhë, Podujevë. Foto: Denis Sllovinja/BIRN

Dhoma e parë në muze është një rikonstruksion i një dhome kirurgjikale nga Spitali Ushtarak në Potok, një fshat në Podujevë, dhe përmban mjetet e vërteta kirurgjikale të përdorura. Ndërkohë që spitali operonte kryesisht me ushtarë, aty po trajtoheshin edhe civilë të plagosur. Një foto trazuese shfaq një fëmijë të cilit i është shkëputur dora gjatë granatimeve nga forcat serbe.

Muzeu Shëndetësor në Kompleksin Memorial në Penuhë, Podujevë. Foto: Denis Sllovinja/BIRN

Në dhomën e dytë, një koleksion fotosh sjell në jetë sistemin e ‘spitalit të shtëpisë’. Disa nga shtëpitë në të gjithë Zonën Operative të Llapit funksiononin si qendra trajtimi, ku do të shëroheshin ushtarët e lënduar. Ky rrjet jozyrtar i shtëpive vepronte në fshehtësi për mbrojtjen e tyre. Fotot e tjera japin pamje të plagëve brutale të pësuara të ushtarëve  dhe civilëve, si dhe mjekët që kujdeseshin për ta.

Të gjitha këto fotografi dhe mjete kirurgjikale janë mbledhur nga mjeku Skender Murati, i cili ka kryer operacione në spitalin Ushtarak në Podujevë. Ai i dhuroi muzeut materiale dhe fotografi autentike në mënyrë që ato të mund të ndaheshin pastaj me publikun.

Faton Pllana, udhërrëfyes për Muzeun Shëndetësor dhe Kompleksin Ushtarak në Podujevë. Foto: Denis Sllovinja/BIRN

Ndonëse ka plane për zgjerimin e mëtejshëm të muzeut për të përfshirë armë dhe uniforma që u përkasin ushtarëve të rënë, krejt kjo do të varet nga financimi nga institucionet publike dhe donacionet nga anëtarët e familjeve të ushtarëve.

Aktualisht, rreth 100 njerëz e vizitojnë muzeun çdo muaj. Megjithëse informacioni është i shkruar vetëm në gjuhën shqipe, muzeu e ka të punësuar një udhërrëfyes me kohë të plotë, që flet anglisht për t’ua shpjeguar ekspozitat vizitorëve ndërkombëtarë. Faton Pllana, udhërrëfyes për Muzeun Shëndetësor dhe Kompleksin Ushtarak në Podujevë, u bën thirrje më shumë njerëzve që ta vizitojnë këtë muze “në mënyrë që t’i shohin vuajtjet dhe sakrificat që erdhën bashkë me lirinë dhe pavarësinë tonë”.

Muzeu Shëndetësor në Kompleksin Memorial në Penuhë, Podujevë. Foto: Denis Sllovinja/BIRN

Fatoni beson se “këta muze të vegjël mund ta mbushin boshllëkun derisa të themelohet një muze kombëtar”, mirëpo “një muze që e përfshin të gjithë luftën do të tërhiqte më shumë njerëz, përfshirë të huaj dhe delegacione”. Një muze për operacionet e spitalit në Llap nxjerr në pah një histori të rëndësishme ndonëse jep një pasqyrë jo të plotë të luftës.

Shtëpia Tradicionale e Familjes Qerkezi

Shtëpia Tradicionale e Familjes Qerkezi, Gjakovë. Foto: Afrim Ejupi/BIRN

Adresa: 7 Martirët Qerkezi XK, Gjakovë 50000

Orari: Thirr paraprakisht, +383 49 141 083 

Më 27 mars 1999, burri dhe 4 djemtë e Ferdonije Qerkezit u rrëmbyen nga policia serbe në vitin 1999. Eshtrat e 2 djemve të saj janë gjetur dhe varrosur, por burri i saj dhe 2 djemtë e tjerë janë ende të zhdukur.

Sot Ferdonije Qerkezi jeton e vetme në të njëjtën shtëpi ku familja e saj u mor në vitin 1999. Ferdonija e ka shndërruar katin e dytë të shtëpisë së saj në një muze në kujtim të bashkëshortit dhe djemve të saj. Plastika e pastër i mbulon shtretërit, rrobat dhe sendet e familjes. Fotot e familjes, dikur të lumtur, sot gjenden të varura nëpër mure. Ka një ndjesi sikur ata janë zhdukur vetëm dje dhe ende pritet të kthehen.

Shtëpia Tradicionale e Familjes Qerkezi, Gjakovë. Foto: Afrim Ejupi/BIRN

Shtëpia duket e rëndë me vuajtjet e Ferdonije Qerkezit.

Kur Prishtina Insight e vizitoi Ferdonijen, kishin kaluar disa ditë nga përvjetori i rrëmbimit të më të dashurve të saj. Atëkohë, Ferdonija u shfaq e rraskapitur dhe e pikëlluar, por na lejoi të eksplorojmë muzeun e saj. Me ton të heshtur, ndërkohë që i vështronte fotografitë përreth, ajo na tregoi se i kishte mbetur “shumë pak energji”.

Shtëpia Tradicionale e Familjes Qerkezi, Gjakovë. Foto: Afrim Ejupi/BIRN

Ndjenja e pikëllimit dhe humbjes është tejet rraskapitëse, pothuajse e padurueshme. Ferdonije dhe shtëpia-muze e saj, shihen si simbol i qindra familjeve kosovare të cilët presin t’i gjejnë anëtarët e tyrë të familjës dhe kthimin e eshtrave të tyre.

Shtëpia Tradicionale e Familjes Qerkezi, Gjakovë. Foto: Afrim Ejupi/BIRN

Ndonëse Ferdonije Qerkezi flet vetëm shqip, gjërat e familjes, fotografitë dhe shkrimet për historinë e familjes së saj janë në shqip dhe anglisht. Ky muze është i nevojshëm për t’u vizituar për të kuptuar sesi jeta pësoi një ndryshim të përgjithmonshëm nga ngjarjet e luftës dhe dhimbjet e familjeve të cilët ende presin informacione për të dashurit e tyre të zhdukur.

Muzeu në Memorialin e Dëshmorëve në Morinë

Muzeu në Memorialin e Dëshmorëve në Morinë.Foto: Afrim Ejupi/BIRN

Adresa: Eliot Engel 50000 Morinë, Gjakovë

Orari: Thirr paraprakisht, + 383 48 149 944

Një nga objektet e ekspozuara në Muzeun në Memorialin e Dëshmorëve në Morinë është një minahedhës që dikur i përkiste dëshmorit Sylejman Abdyli. Pas luftës, nëna e tij e zbuloi atë dhe e mbajti të fshehur derisa e dhuroi përfundimisht në muze.

“Nëna ime na njoftoi se kishte diçka për të kontribuar, gjë që na befasoi sepse nuk e dinim se ajo kishte diçka nga Sylejmani për të sjellë atje”, rrëfeu vëllai i Sylejmanit, Ismajl Abdyli.

Muzeu në Memorialin e Dëshmorëve në Morinë. Foto: Afrim Ejupi/BIRN

Kompleksi është themeluar më 7 korrik të vitit 2021, falë përpjekjeve të qytetarëve të Morinës, familjeve të dëshmorëve dhe miqve të tyre. Pavarësisht apelit për ndihmë nga institucione të ndryshme, qytetarët nuk e kanë marrë asnjë ndihmë, ndaj kompleksin e kanë ndërtuar me forcat e veta. Që nga themelimi i tij, muzeu nuk është vizituar asnjëherë nga zyrtarët institucionalë.

Ismajl Abdyli, vëllau i Sylejman Abdylit. Muzeu në Memorialin e Dëshmorëve në Morinë.Foto: Afrim Ejupi/BIRN

Kompleksi, i cili e nderon Shkëlzen Sylën, Muhamet Ukshinin, Sylejman Abdylin, Blerim Ukshinin, Arben Ukshinin, Nezir Elezin, Ahmet Pulatanin dhe Ymer Bytyçin, të cilët vdiqën duke e mbrojtur Morinën, është vendosur në një dhomë teke. Përveç minahedhësit, kompleksi në fjalë përmban fotografi në përmasa reale të dëshmorëve dhe disa nga pasuritë e tyre, duke përfshirë uniformat, pajisjet dhe pushkët. Dëshmorët, të cilët fillimisht u varrosën në Varrezat e Gjakovës, janë rivarrosur para muzeut.

Fatkeqësisht, nuk ka ndonjë orar të caktuar se kur muzeu është i hapur. Për ta vizituar, të interesuarit duhet të telefonojnë paraprakisht, pasi askush nuk është i pranishëm në muze gjatë ditës. Dikush paguhet 100 euro në muaj për të qenë udhërrëfyes muzeu këtu, mirëpo ky person nuk mund të udhëtojë në muze sepse ndërkohë bën edhe një punë tjetër dhe jeton shumë larg.

Muzeu në Memorialin e Dëshmorëve në Morinë.Foto: Afrim Ejupi/BIRN

Gjithashtu nuk ka përshkrime të shkruara në shqip ose anglisht, dhe udhërrëfyesi nuk di të flasë anglisht. Banorët e Morinës po planifikojnë të zgjerojnë muzeun, të zhvillojnë etiketa ekspozuese në anglisht dhe shqip dhe të nxjerrin një video promovuese që do të ndihmojë në tërheqjen e vizitorëve.

Muzeu i Familjes Berisha

Muzeu i Familjes Berisha, Suharekë. Foto: Afrim Ejupi/BIRN

Adresa: Qendra Zejtare 1 Therandë XK, M25, 23000

Orari:  Thirr paraprakisht, +383 44 229 234

Më 26 mars 1999, policët serbë i i futën me forcë 52 anëtarët e familjes Berisha brenda një restoranti në Suharekë dhe qëlluan me automatikë në drejtim të tyre. Ata më pas i ngarkuan trupat e tyre në kamionë dhe i transportuan në një varr masiv. Në total u masakruan 49 persona. Tre anëtarë të familjes mbijetuan duke u shtirur si të vdekur dhe më pas duke u hedhur/ikur nga kamionët në lëvizje.

Sot “Muzeu i Martirëve të Familjes Berisha” ndodhet në picerinë ku u vranë 49 anëtarët e familjes Berisha. Muzeu udhëhiqet nga Hysni Berisha, familjar i viktimave. Hysni Berisha dëshmoi në emër të familjes së tij në Hagë në gjyqin e Slobodan Millosheviqit, Milutinoviqit etj., dhe Vlastimir Gjorgjeviqit, si dhe në Beograd në gjyqin e policëve serbë përgjegjës për masakrën.

Muzeu i Familjes Berisha, Suharekë. Foto: Afrim Ejupi/BIRN

Berisha është i mirëinformuar dhe i tejet i interesuar për ta ndarë historinë e familjes së tij me vizitorët, por ai është vullnetar, ndaj duhet telefonuar paraprakisht për ta caktuar një termin për të vizituar muzeun. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se Hysniu nuk flet anglisht dhe nuk ka përshkrime të shkruara ose përkthime në anglisht në muze.

Përshkrimet me shkrim do ta bënin muzeun më të qasshëm për vizitorët e huaj. Ata gjithashtu mund të shpjegojnë rolin që ka luajtur masakra në dënimin e kriminelëve serbë të luftës. Masakra u përdor drejtpërdrejt në ndjekjen penale të Vlastimir Gjorgjeviqit, i cili u shpall fajtor për këtë masakër në Hagë. Këto përshkrime gjithashtu çuan në dënimin e katër policëve serbë, Radojko Repanoviq, Sladan Çukariq, Miroslav Petkoviq dhe Milorad Nisaviq. Ky informacion, së bashku me rrëfimin e asaj që ndodhi me familjen, aktualisht nuk janë të ekspozuara në muze.

Muzeu i Familjes Berisha, Suharekë. Foto: Afrim Ejupi/BIRN

Megjithatë, jo çdo gjë në muze ka nevojë për një shpjegim. Muret janë të mbuluara me vrima plumbash. Në tokë, ngjitur me gëzhojat e plumbave që shtriheshin të shpërndara, ndodhet një biberon i braktisur. Duhet t’i ketë përkitur Eron Berishës apo Redon Berishës, asnjëri prej të cilëve nuk ishte as dy vjeç. Ekspozimeve i janë shtuar fotografitë mahnitëse të procesit të zhvarrimit dhe disa nga veshjet e gjetura në trupat e familjarëve të vrarë Berisha. Nuk nevojitet të flasësh shqip për ta kuptuar tragjedinë që ka ndodhur aty.

Përderisa disa prej trupave janë gjetur në Prizren dhe Batajnicë, 20 prej tyre janë ende të zhdukur. Piceria shërben si një kujtesë fizike e masakrës së familjes Berisha.

Muzeu i Familjes Berisha, Suharekë. Foto: Afrim Ejupi/BIRN

Familjet Qerkezi, Berisha dhe Morina nuk janë të vetme në vuajtjet e tyre. Qindra familje anembanë Kosovës i kanë humbur të dashurit e tyre. Më shumë se 13,000 njerëz vrarë apo janë zhdukur gjatë luftës së Kosovës. Historitë e shumta të viktimave dhe të mbijetuarve meritojnë të ruhen dhe të paraqiten në një muze të rëndësishëm. Vetëm duke i kuptuar dhe kujtuar tragjeditë e luftës ne mund të përpiqemi që “kurrë më” të mos i përjetojmë ato që kemi përjetuar.

Muzeu i Familjes Berisha, Suharekë. Foto: Afrim Ejupi/BIRN

Ndërkohë që këta muze të vegjël përpiqen ta përmbushin detyrën jetike të dokumentimit të luftës duke i dokumentuar këto tragjedi dhe duke u siguruar që gjenratat e ardhshme të mos harrojnë, të njëjtat nuk e minimizojnë domosdoshmërinë për ngritjen e një muzeu kombëtar të luftës. Në vend të kësaj, ata na e kujtojnë urgjencën për ta ngritur një vend të tillë. Nevoja për një muze, të ngjashëm me ato që gjenden në vendet e tjera të dala nga luftërat, mbetet jashtëzakonisht e rëndësishme për popullin e Kosovës.

Ky shkrim fillimisht është publikuar nw Prishtina Insight.