Miss Brukseli

Mënyra më e mirë për të kuptuar se çfarë janë bisedimet mes Kosovës e Serbisë të ndërmjetësuara nga Brukseli duket se është analogjia me një konkurrim bukurie në të cilin Prishtina e Beogradi bëjnë garë se cili do të duket më bukur para syve të Brukselit dhe të fitojë titullin.

Prishtina që nga fillimi nuk është trajtuar si palë e barabartë në këto bisedime. Pasi nuk ka marrëdhënie kontraktuale me BE’në, sikur që ka Serbia, Kosova që nga pika e nisjes ka qenë në pozitë më të disfavorshme. Serbia as që pranon se po bisedon me përfaqësues të Kosovës dhe vazhdimisht thotë që po bisedon me përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës. Në një konstelacion të tillë qe bërë e ditur se asgjë nuk do të nënshkruhet nga palët që do të garantonte se marrëveshja edhe do të implementohej. Brukseli u paraqit si garant i çfarëdo marrëveshjeje që do të arrihet dhe se do të garantojë implementimin e tyre.

Tash pas disa raundeve të bisedimeve është e qartë se Serbia nuk ngutet të implementojë çfarëdo që dakordohet në Bruksel ndërsa Brukseli nuk ka mekanizma ta detyrojë Serbinë që të mbajë fjalën.

Këto në të vërtetë janë ditur qysh para se të fillonin bisedimet dhe atë edhe përtej qeverisë së Kosovës. Nëse fillimi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, si dy fqinjë që bashkëpunojnë e jo që luftojnë, që është edhe një nga kushtet për anëtarësim në BE, vërtet do të kishte qenë motivi prapa vendimit të Prishtinës që të hyjë në bisedime, atëherë në një konstelacion të tillë Kosova as që do të kishte nisur të bisedonte. Por, në kohën kur liderët politikë të Kosovës por edhe e tërë Kosova vuajnë nga problemet me imazhin jo të mirë, bisedimet me Serbinë u dukën si një mënyrë për të përmirësuar këtë imazh të Kosovës dhe si një rast për të paraqitur Kosovën si një kontribuues i stabilitetit në Ballkan e jo eksportues i jostabilitetit. Pra, motivi kryesor i Prishtinës për të hyrë në bisedime ishte që të dukej bukur në sytë e Brukselit.

Njësoj është puna edhe me Serbinë. Në vitin 2011 Beogradi ka pasur objektiv kryesor të fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe për këtë ka marrë hapa drastikë në krahasim me çdo qeveri tjetër në Beograd, ndër të cilët më spektakolarë janë ata të arrestimit të të shumëkërkuarve për krime lufte. Serbia është dukur edhe se po përgatitet për reforma serioze çfarë i kërkon BE’ja. Duke nxituar që të dukej bukur në sytë e Brukselit, Beogradi e kapërdiu edhe intervenimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës. Por, nuk i shkoi gjithçka sipas qejfit. Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, në ndalesën në Beograd gjatë një turneu Ballkanik, kishte kërkuar në mënyrë eksplicite që Serbia të jetë konstruktive në raport me Kosovën dhe të shpërbëjë strukturat e saja ilegale në Kosovë. Serbia nuk është e gatshme të heqë dorë nga Kosova, së paku jo nga një pjesë e saj, dhe mundohet që të fusë në agjendë temat politike, përfshirë edhe atë për ndarjen e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare deri tani i ka rezistuar kësaj kërkese të Beogradit, më së shumti nga frika se çfarë do të ndodhte me rajonin sikur të ndahej Kosova. Për shkak të kësaj, raundet e fundit të bisedimeve mes Kosovës e Serbisë kanë dështuar dhe e kanë bërë Prishtinën të duket bukur ndërsa Beogradi të duket jokonstruktiv. Prandaj, Prishtina ka arsye të ndihet mirë, tani për tani, dhe është e gatshme për të vazhduar bisedimet.

Serbia ka mbetur e zënë ngushtë. Në tetor Komisioni Europian ka rekomanduar që Serbisë t’i jepet statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse jo edhe data kur do të fillojë bisedimet për anëtarësim. Por, Serbia e ka edhe një muaj që të ndryshojë. Ka mjaft kohë të ndërpresë financimin e institucioneve ilegale në Kosovë dhe të dobësojë ato, nëse jo t’i shpërbëjë krejtësisht. Së paku qe një vit, Serbia ka lobuar ndër shtetet evropiane që t’i bindë të votojnë për dhënien e statusit të vendit kandidat. Kështu, Serbia ende ka gjasa që në dhjetor të marrë atë që ka synuar.

Pra, edhe nëse tani për tani Prishtina po duket më bukur në garën në Bruksel, kjo mund të ndryshojë shumë shpejtë. Serbia mund të marrë statusin e vendit kandidat dhe datën e negociatave me BE’në ndërsa Kosova të mbetet pa asnjë përfitim të prekshëm për qytetarët e saj. Nëse në Bruksel Serbia do të shpallet më e bukura, Prishtinës i mbetet që të përpilojë një strategji të re, gjithëpërfshirëse, dhe të kuptojë se me garat për “miss” nuk mund të shkohet larg.