Tryeza në Prishtinë
Dialogu Kosovë-Serbi ‘Vetëm Midis Politikanëve’
Petar Miletiç, një ish-anëtar i presidencës së parlamentit të Kosovës, tha ditën e hënë në debatin për pajtim në Prishtinë se bisedimet e tanishme e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë kanë qenë vetëm një bisedë mes zyrtarësh, në të cilin njerëzit e zakonshëm nuk janë të përfshirë.
“Dialogu në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë nuk është një dialog mes dy shoqërive, por një dialog mes dy qeverive,” tha Miletiç.
“Nuk ka dialog midis shqiptarëve dhe serbëve, por ka një dialog midis kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa,” shtoi ai.
Kjo do të thotë që njerëzit e zakonshëm nuk ndiejnë ndonjë përfitim nga bisedimet e Brukselit që synojnë normalizimin e marrëdhënieve, argumentoi ai.
Ardian Arifaj, një këshilltar i Ministrit të Jashtëm të Kosovës Hashim Thaçi, tha se një lloj ndryshe dialogu i sinqertë ishte i rëndësishëm për pajtim midis dy shoqërive.
“Nuk po ndodh, por ekziston nevoja për të ndryshuar rrëfimet që shkaktuan luftërat dhe sollën armiqësitë, të cilat po pengojnë pajtimin autentik mes popujve të Ballkanit,” tha Arifaj.
Ish-Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, një profesor universiteti, tha se pajtimi midis Kosovës dhe Serbisë është ende një rrugë shumë e gjatë.
Hoxhaj tha se Serbia po vazhdon të pengojë integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, duke cituar dështimin e fundit të Prishtinës për t’u bërë një anëtare e UNESCO-s, gjë e cila ai tha se u pengua nga Beogradi.
Ai argumentoi se Serbia do të duhet të njohë pavarësinë e Kosovës në mënyrë që pajtimi që të jetë i mundshëm.
“Dialogu për normalizim, i mbështetur nga BE-ja, mund të shërbejë për pajtimin dhe qëllimi duhet të jetë arritja e njohjes reciproke diplomatike midis këtyre dy vendeve,” tha Hoxhaj.
Ndërkohë Zarko Puhovski, profesor dhe analist politik nga Zagrebi, tha se kundërshtarët e vjetër duhet të gjejnë guximin të fillojnë ndarjen e përgjegjësisë për atë që ka ndodhur gjatë luftërave.
Megjithatë ai u shpreh se politikanët kohës së luftës mund të mos jenë në gjendje të udhëheqin proceset e pajtimit.
“Për të pasur paqe, nevojiten njerëz të ndryshëm,” tha ai.
Debati mbi pajtimin u organizua nga zyra e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, pasi diskutime të ngjashme u mbajtën në Shkup, Beograd dhe Banja Luka.