Të shpëtohet Universiteti i Prishtinës

Më në fund është hapur edhe çështja e një prej mëkateve më të mëdha në Kosovën e pasluftës, ai i Universitetit të Prishtinës apo Universitetit “Hasan Prishtina”. Si çdo herë, ky zhvillim i ri krijon mundësi për zhvillime tjera që do të jenë të dobishme si për universitetin, ashtu edhe për tërë shoqërinë Kosovare; por përmban edhe gracka që do të mund ta mbajnë UP-në të zhytur në mjerimin në të cilin gjendet tani.

Dështimi kryesor i shtetit të Kosovës është që nuk po krijon mundësi për zhvillim për qytetarët e saj. Pa marrë parasysh se çfarë shifrash publikojnë qeveritë, qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel komunash, pa marrë parasysh se çfarë premtojnë subjektet politike në zgjedhje, ajo që është e përbashkët e të gjithëve është se dështojnë të tregojnë se si do të krijojnë mundësi, oportunitete, për qytetarët e Kosovës, veçanërisht për rininë e vet. Nuk është për t’u çuditur që sidomos rinia kërkon që të ikën nga Kosova dhe se më e pranueshme ju duket një jetë në ilegalitet dhe në margjinat e shoqërisë kudo në Perëndim se sa jeta në dëshpërim dhe e pa-shpresë në Kosovë.

Universiteti i Prishtinës ashtu siç është sot vetëm sa e bën edhe më të rëndëkëtë gjendje.Derisa shteti po dështon që t’i krijojë mundësi rinisë, Universiteti i Prishtinës po dështon ta përgatisë këtë rini për të konkurruar për mundësi për jetë e zhvillim qoftë jashtë Kosovës, qoftë në Kosovë. Në vend të kësaj, Universiteti i Prishtinës sot po e mashtron rininë e Kosovës duke e bërë të besojë se është e gatshme të konkurrojë në tregun e punës në Evropë dhe tutje në botë; dhe po përdoret nga ata që kërkojnë tituj akademikë për përfitime personale që këtë ta bëjnë me mashtrim dhe pa punë të mirëfilltë shkencore e akademike. Prandaj, është koha e fundit që kjo praktikë të ndryshojë dhe Universiteti i Prishtinës të fillojë të prodhojë kuadro që do të munden të konkurrojnë me kualitet e punë në tregun e punës në Evropë ose që me aftësitë dhe kualitetin e tyre të sjellin në Kosovë kompanitë e Evropës dhe të botës. 

E mira e zhvillimeve më të reja në Universitetin e Prishtinës është se në fakt ato kanë filluar nga vet njerëzite Universitetit të Prishtinës, të cilët pasi ishin bindur se rrugët institucionale në kuadër të UP-së nuk po funksionojnë, u janë drejtuar mediave dhe shoqërisë dhe kanë nxjerr në shesh abuzimet dhe mashtrimet në këtë institucion arsimor. Më pas u përfshi edhe policia duke arrestuar disa zyrtarë të UP-së të dyshuar për shkelje të ligjit e të cilët tani presin verdiktin e gjyqit. Kjo tregon se brenda vet Universitetit të Prishtinës ka kapacitete që të tejkalohet kjo gjendje dhe ky institucion të bëhet vatër e vërtetë e arsimit dhe shkencës. Ka mjaft prej atyre që u kanë kthyer shpinën mundësive për zhvillime personale e profesionale në botëdhe çdo ditë bëjnë kompromise personale të rënda vetëm e vetëm që t’u shërbejnë studentëve dhe bindjeve të tyre që UP-ja dhe Kosova meritojnë më mirë. Këta janë heronjtë e Universitetit të Prishtinës sot dhe këta duhet t’i përkrahë e tërë shoqëria.

Është i kuptueshëm frustrimi dhe zemërimi i studentëve të UP-së për atë që po ndodh me institucionin që do të duhet t’i përgatiste për të ardhmendheveprimet e tyre për të ndryshuar diçka janë të kuptueshme. Por, është i pakuptueshëm insistimi i subjekteve politike, cilado qoftë ajo, që të shfrytëzojnë këtë mobilizim të studentëve dhe të stafit të UP-së për garën e tyre politike për të goditur sa më shumë oponentët e vetë politikë. Përpjekjet e subjekteve politike për të shfrytëzuar këtë situatë për qëllime politike po i dekurajojnë shumë studentë dhe punëtorë të UP-së që të përfshihen në këtë përpjekje për ndryshime pozitive në këtë institucion. Është politika ajo që e ka sjellë UP-në këtu ku është dhe është politika ajo e para që duhet të largojë duart nga UP-ja. Dhe epakuptueshme, e pa-arsyeshme dhe e papranueshme është dhuna, pa marrë parasysh se prej cilës palë ushtrohet. Lëmshi në të cilin është zhytur Universiteti “Hasan Prishtina” nuk zgjidhet me dhunë por me dhunë nuk ndalet as dëshira për të bërë ndryshim në të.

Një grackë tjetër është rreziku që përpjekja për ndryshime në UP të reduktohet në kërkesë për shkarkimin e rektorit të tanishëm. Problemi i UP-së nuk kufizohet vetëm në një njeri por është i tërë sistemi që është vënë aty me vite të tëra, me mashtrime e me manipulime. Prandaj, ata që janë mobilizuar për të ndryshuar UP-në duhet të elaborojnë më gjerë hapat dhe ndryshimet që duhet bërë që UP-ja të rimëkëmbet. Mbështetjanga jashtë UP-së për këto përpjekjet për ndryshime do të ishte e mirëseardhur.

Në të kaluarën, Universiteti ishte vendi prej të cilit pritej të fillonin ndryshimet në shoqërinë kosovare. Ka ardhur koha që studentët dhe stafi i UP-së të tregojnë përsëri se ata janë adresa ku fillon ndryshimi dhe përparimi i Kosovës.