Arifaj: Statistikat për pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje nuk e tregojnë realitetin
Ardian Arifaj, këshilltar politik i presidentit të Kosovës ka thënë se statistikat për gratë në pozita vendimmarrëse nuk e tregojnë të vërtetën.
Gjithashtu Arifaj ka thënë presidenti i Kosovës ka një këshilltare grua, por ajo nuk paguhet nga buxheti i Kosovës.
“Nuk duhet të dekurajohemi, por duhet të shohim edhe përtej statistikave, presidenti e ka një këshilltare grua por ajo nuk paguhet prej buxhetit të shtetit për atë nuk bën pjesë në statistika. Pjesëmarrja e grave duhet të jetë shumë më e madhe dhe ndikon në proceset vendimmarrëse. Nuk duhet ta heqim përgjegjësinë prej institucioneve por të gjithë duhet të bashkohemi të ecim përpara, statistikat nuk e tregojnë realitetin sepse e kemi pasur Edita Tahirin si udhëheqësja e dialogut, pozita e presidentes, shoqërinë civile e mos ta flasim për art e sport që po na zbardhin fytyrën gjithandej”, ka thënë Arifaj.
Ndër të tjera Arifaj ka deklaruar se e gjithë prona është në emër të gruas së tij dhe se nuk ka asgjë në pronësi.
Ky diskutim i organizuar për shënimin e 20 vjetorit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë për Ditën e Hapur Globale u mbajt në Prishtinë.
Debati, i cili mbulon një sërë çështjesh lokale, rajonale dhe globale, mblodhi rreth 200 pjesëmarrës, duke përfshirë ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë, udhëheqës të shoqërisë civile dhe politikanë për të diskutuar rolin e grave në pozita udhëheqëse, duke u angazhuar në debatin mbi reformën ligjore në Kosovë drejt drejtimit barazisë gjinore.
Dita e Hapur Globale e Kombeve të Bashkuara, e organizuar nga OKB dhe Zyra e BE-së në Kosovë, ofron një platformë ku zërat e grave mund të dëgjohen dhe ofrojnë mundësi për të rishikuar zbatimin e Rezolutës 1325, e cila implikon vendet për të përfshirë gratë në të gjitha nivelet vendimmarrëse.