Meshkujt u Ekzekutuan, u Dogjën, u Hodhën në Lumë

Në fillimin e vitit 1999, Krusha e Vogël kishte popullsi të përzier. Dhjetë për qind ishin serbë, ndërsa pjesa tjetër ishin shqiptarë.

Nuk flitej se ndërmjet fqinjësh kishte pasur ndonjë problem serioz…deri kur ndodhi ajo që pak kush mund ta besonte. Kur u ekzekutuan pothuajse shumica e meshkujve shqiptarë të fshatit, duke mos u kursyer as fëmijët e moshës trembëdhjetë vjeçe.

Pasi i ekzekutuan, forcat serbe, të udhëhequra nga fqinjët serbë, për ta mbuluar krimin trupat e të vdekurve i dogjën.

Trupat e eshtrat e mbetur dyshohet gjithashtu se i hodhën në lumin Drini i Bardhë.


Lumi | Foto: Ekrem Fazliu

I mbijetuari Qamil Shehu, të cilit në këtë masakër i ishin vrarë dy djemtë, tre vëllezërit dhe rreth dyzetë anëtarë të familjes, thotë se natën e 26 marsit 1999 banorët kishin dalë të shikonin në oborre sulmet e NATO-s.

“Kur është bërë ora katër e mëngjesit, tanket e ushtrisë serbe e rrethuan vendin dhe filluan të gjuajnë me armë nëpër oborre”, kujton ai. “Atëherë, nga frika, burra e gra, jemi nis e kemi dalë në mal.

“Dikur në mbrëmje erdhën atje e na morën”.

Forcat ushtarake e policore serbe i kishin ndarë burrat nga gratë dhe pastaj i kishin vrarë dhe masakruar. Shtëpisë me plot trupa burrash ia kishin vënë zjarrin dhe e objektin e kishin gropuar.

Gratë dhe fëmijët i kishin dëbuar drejt Shqipërisë.

“Kur na ndanë nga gratë, me ne burrat kishte edhe fëmijë të moshës trembëdhjetë vjeçare. Na bënë rresht për tre, na detyruan t’i lidhim duart mbrapa kokës dhe na drejtuan për te shtëpia e familjes Batusha”, kujton Shehu.


Rresht dhe duart lartë | Ilustrimi: Ekrem Fazliu

“Shtëpia kishte dy dhoma dhe një korridor. Aty kemi qenë 109 meshkuj. Në secilën dritare ishin nga dy serbë me automatikë në dorë. Po ashtu me automatikë në dorë kanë qenë edhe te dera e hyrjes”.

“Filluan rafalet nga të gjitha anët. Vendi u mbush me kufoma dhe gjaku notonte si ujë…”

“Në dhomën ku kam qenë unë, kemi shpëtuar tre persona, sepse kemi mbetur nën kufoma. Sapo u larguan pakës serbët, kemi ikë nëpër mal. Ata na u vërsulën mbrapa”.

“Unë u futa në një kaçube”.

“Pat shpëtuar edhe një djalë i ri, po ai u ndal në breg. I ngriti duart lartë, po e vranë. E kisha pasë kushëri, po në atë moment nuk e njoha”, rrëfeu Shehu.


Qamil Shehu | Foto: Valdet Salihu

I mbijetuar i kësaj masakre është edhe Bajram Zylfiu.

“Në atë shtëpi (të masakrës), në hyrje ka qenë një invalid me karrocë, e quanin Sahit Hajdari. Ai është vrarë i pari, pastaj edhe të tjerët”, tregon Zylfiu.

“Në fund edhe kufomat janë djegur, edhe karroca ka qenë djegur”.

“Pasi që është kryer masakra, serbët e fshatit objektin e kanë rrënuar të tërin duke e nxjerrë nga themelet edhe kanë hedhur në lumin Drini i Bardhë. Madje pasi e kanë prishur objetin, me bagerë e kanë rrënuar edhe shtëpinë që ka qenë afër, me mendu që NATO e ka shkatërru vendin me bombardime…”.


Bajram Zylfiu | Foto: Valdet Salihu

Eulex-i identifikon 56 kryes të krimit

Vitin e kaluar, prokurori i EULEX-it, Cezary Michalczuk, zyrtarisht ka filluar hetimet për krimet e luftës të kryera në fshatin Krushë e Vogël.

Në objektin e shkollës fillore “Zenel Hajdini” në fshat, prokuroria e Eulex-it ka improvizuar një zyrë në të cilën është duke mbledhur prova dhe fakte për këtë masakër.

Deri më tash prokuroria ka identifikuar 56 persona të dyshimtë për kryerjen e kësaj masakre, të cilët priten të përballen me akuza për krime lufte.

“Kemi nisur hetimet zyrtarisht në fund të muajit maj të vitit kaluar. Saktësisht më 31 maj 2012. Së paku, numri i të dyshuarve arrin numrin 56, tash për tash”, tha prokurori Michalczuk.

Prokurori shtoi se koha përbën problem në këtë hetim. “Çështja është që disa nga dëshmitarët i kujtojnë shumë gjëra, por megjithatë, nuk kujtojnë gjëra të tjera. Por, ne po mundohemi maksimalisht. Do të duhen edhe së paku disa muaj, për tu kryer këto hetime”.


Prokurori Cezary Michalczuk | Foto: Valdet Salihu

Michalczuk tha se prokuroria po bashkëpunon me zyrën e Prokurorisë së Republikës së Serbisë.
“Jemi në komunikim dhe duke bashkëpunuar për të mbledhur dëshmi shtesë nga ta. Por, Serbia nuk është organi i vetëm ndërkombëtar me të cilin bashkëpunojmë, ne gjithashtu bashkëpunojmë edhe me Tribunalin e Hagës”.

“Sapo të finalizohet procesi i grumbullimit të dëshmive, do të flasim, pikësëpari, për përgjegjësinë individuale të kryerësve, për veprimet e tyre individuale, dhe pastaj çështja e arrestimeve do të ngrihet në kohën e duhur, nëse grumbullojmë dëshmi të mjaftueshme”.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Olivier Salgado, tha se ky misione “kishte shikuar në ngjarjet e Krushës së Vogël në vitin 2003 dhe më pas i ka dorëzuar gjetjet në ICTY në Hagë e cila kishte juridiksion mbi çdo krim të mundshëm të luftës së kryer atje”.

Sllobodan Millosheviçi dhe udhëheqësit tjerë serbë qenë akuzuar për vepra penale nga Tribunali Penal Ndërkombëtar duke përfshirë krimet kundër njerëzimit për ngjarjet sikur kjo në Krushën e Vogël.

Rreshteri i policisë, Bedri Limani, kishte udhëhequr hetimet për këtë masakër.

“Kemi gjetur edhe prova material”, tha rreshteri Limani.

Shefi i njësisë për krime lufte nga radhët e Eulex-it, Eduard Gold, thotë se hetimet për Krushën e Vogël nga Eulex-i kanë filluar nga viti 2008.

“Rasti i Krushës së Vogël në fakt ka filluar kur EULEX-i mori mandatin më 2008. Vështirësitë që i kemi pasur në këtë rast ishin, në fillim, natyrisht, me periudhën e tranzicionit nga UNMIK-u tek EULEX-i, për pak kohë. Thjeshtë pranim-dorëzimi i sasisë së jashtëzakonshme të dëshmive për të gjitha rastet në Kosovë gjatë konfliktit më 1998-1999”.

“Ka shumë informata edhe për të dyshuar, edhe për dëshmitarë. Koha që nevojitet për t’i kontrolluar të gjitha këto informata është shumë e gjatë. Në momentin që ne shohim se ka dëshmi të mjaftueshme për të proceduar tutje, natyrisht që vazhdojmë me hetimet. Nuk dua të jap afat kohor, por natyrisht nuk dëshirojmë të marrim shumë kohë”, shtoi Gold.

“Ne po punojmë me shumë zell në këtë rast dhe e tërë Njësia për Krime të Luftës në EULEX është duke punuar në të”, tha Gold.


Varrezat e të gjeturve | Foto: Ekrem Fazliu

Qytetarët shprehen skeptikë se kryesit e vërtetë të krimit do të marrin dënimin e merituar.

Nga 113 personat e zhdukur, vetëm trupat e 27 prej tyre janë gjetur, ndërsa për fatin edhe të 86 personave tjerë akoma nuk dihet.

“Për dy ditë Krusha e Vogël ka humbur 102 persona. Ditën e parë më 25 mars ka humbur nëntë persona, ndërsa ditën e dytë a humbur edhe 102 persona”, thotë Agron Limani, drejtor i shoqatës “26 marsi 1999”.

“Po ashtu, pas përfundimit të luftës, pas kthimit të popullatës nga minat ka humbur jetën edhe një fëmijë 12 vjeçar, d.m.th. gjithsej kanë humbur jetën 113 persona nga fshati Krushë e Vogël, apo thënë ndryshe 70 për qind të meshkujve, duke përfshirë fëmijë, të rritur, burra e pleq”, tha Limani.

I mbijetuari Shehu thotë se Eulex-i ka dalë në fshat dhe banorët duan të besojnë se diçka do të bëhet. “Mirëpo jemi djegur disa herë sepse edhe UNMIK-u kështu na premtonte, por në fund asgjë nuk bëri”.

Aktivisti Limani thotë se banorët duhet “relativisht të besojnë” në këtë hetim.

“Kur t’i shohim ata që kanë vrarë 113 civilë shqiptarë, kur të sillen para drejtësisë në gjykatat vendore, atëherë mund të flasim se a i besojmë apo jo”, thotë ai.

Përveç masakrës të kryer në fshatin Krushë e Vogël, të cilën Eulexi është duke e hetuar, në Kosovë kanë ndodhur edhe shumë masakra tjera, të kryera, të cilat presin zbardhjen dhe dënimin e  kriminelëve.

Emisionin mund ta shikoni të dielën, më 24 mars, në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, RTK, prej orës 21:00.