Burimi i fotos - Presheva - fcb

Fushata politike e Vuçiqit ndaj minoritetit shqiptar në Serbi: Pasojat e pasivizimit të mijëra shqiptareve

Kur Gordana Çomiq, Ministrja e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Republikën e Serbisë, u deklarua së fundi se nuk ka “fshirje të organizuar të adresave të shqiptarëve në Serbi dhe nuk ka gjë tjetër veçse zbatim të Ligjit për Vendbanim dhe Vendqëndrim”, ajo nuk tha diçka ndryshe nga ajo që kemi dëgjuar nga ministrat tjerë dhe zyrtarët e lartë politikë në Serbi.  

Insistimi i saj se në rajonet me shumicë shqiptare në Serbi po kryhet një ‘bona fide pasivizim’, pra një proces objektiv dhe i paanshëm i verifikimit të adresave të vendbanimit nuk duhej të paraqet ndonjë befasi; as mohimi se ka pasur një dakordim paraprak për këtë pikë në mes palëve dialoguese nga ana e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi (KKSH).

Ajo çfarë duhej të ngritej më shumë si çështje është përse znj. Çomiq u deklarua tani për çështjen e pasivizimit të adresave, e cila si temë nuk ishte fare në agjendën e rinisjes së dialogut mes KKSH dhe Beogradit zyrtar? Dhe çfarë mund të presë minoriteti shqiptar në Serbi nga dialogu me qeverinë e drejtuar nga partia e Vuçiqit, e cila është forca kryesore politike përgjegjëse për çregjistrimin masiv të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc, dhe Preshevë?

Sot, në fund të vitit 2021, jo vetëm se mund të dëshmohet me fakte të pakontestueshme se autoritetet serbe po zhvillojnë një pasivizim politik në rajonet me shumicë shqiptare në tri komunat më jugore në Serbi, por se në këtë fushatë kanë qenë të involvuara një varg institucionesh shtetërore të Republikës së Serbisë.

(Burimi i informacionit: përllogaritjet e autores në bazë të dhënave të marra nga: Republiqki Zavod za Statistiku (2014). 2011 Popis stanovništva, domačinstava i stanova 2011. u Republici Srbiji: Uporedni pregled broja stanovnika 1948, 1953, 1961, 1971, 1981, 1991, 2002 i 2011, godine; dhe Passivated Addresses in Serbia, Serbia Ambassador’s Report to the MEP and EP Standing Rapporteur for Kosovo Ms. Viola von Cramon).

Pasivizimi masiv i shqiptarëve në Serbi: Çfarë fshehin autoritetet serbe?

Që kur u bë i njohur problemi i abzuimit me Ligjin për Vendbanim dhe Vendqëndrim në tri komunat më jugore të Serbisë të cilat janë të banuara kryesisht me popullësi shqiptare dhe shtrihen përgjatë kufirit me Kosovën, ministrat serbë kanë ripërsëritur se autoritetet relevante shtetërore po e zbatojnë ligjin në mënyrë të njëjtë në të gjithë vendin. Faktet, megjithatë, deshmojnë të kundërten.

Në vitin 2016, me kërkesë të dy asamblistëve shqiptarë nga komuna e Medvegjës dhe të aktivistëve lokal shqiptarë, Fondi Humanitar për Drejta të Njeriut në Beograd bën një hulutmim krahasues mbi pasivizimin e adresave në nivel republikan në Serbi dhe vjen në përfundim se Medvegja dhe Bujanoci ishin dy komunat me numrin më të madh të personave të pasivizuar në tërë Serbinë.

Hulumtuesit e Fondit Humanitar i publikuan gjetjet e tyre në gazetën ditore ‘Danas’ në Serbi dhe alarmuan për pasojat e shumëta të pasivizimit për minoritetin shqiptar. Mirëpo, siç e kujton drejtuesi i grupit hulumtues asaj kohe gjatë një interviste personale në Beograd: “autoritetet shtetërore nuk u morën fare me këto fakte, ndërsa mediat nuk treguan interesim dhe e heshtën këtë temë shumë shpejt“[1].

Gjatë viteve në vijim, autoritetet e ndryshme shtetërore serbe do t’i përmbahen rregullit: moho se po ndodh pasivizim selektiv dhe masiv në “jug” dhe njëkohësisht mos jep statistika për këtë çështje.

Megjithatë, jo vetëm se është e mundur që të flitet me numra për pasivizim të motivuar politikisht në rajonet me popullsi shumicë shqiptare në Serbi, por madje duke ju referuar dokumenteve zyrtare të cilat kanë vulën e Republikës së Serbisë.

Në fillim të këtij viti, një grup i deputetëve nga Parlamenti Evropian ishin të interesuar që t‘i shihnin numrat zyrtar mbi pasivizmin e adresave për tërë Serbinë. Deputetët i bën kërkesë zyrtare Ambasadores të Republikës së Serbisë në Bruksel, para miratimit të Raportit të Progresit për Serbinë në Parlamentin Evropian, ku u përfshi edhe çështja e pasizivimit të shqiptarëve në Serbi. Në bazë të dhënave të cilat i ka përcjellur ambsadorja serbe e që janë bërë të qasshme për këtë studim (shihe tabelën 1) rezulton se në fillim të vitit 2021 sikurse në vitin 2016, Medvegja dhe Bujanoci vazhdojnë të jenë dy komunat me numrin më të lartë të personave të pasivizuar në Serbi.

Diplomatja serbe në Bruksel ka raportuar 1782 adresa të pasivizuara për Medvegjën, 570 për Bujanocin, dhe 92 për Preshevën.

Autoritetet serbe kanë refuzuar që të japin shifra për rastet e pasivizuar në baza etnike me arsyetimin se këto janë të dhëna sensitive. Në vazhdimësi ato kanë refuzuar të flasin për pasojat e pasivizimit për pjesëtarët e komunitetit shqiptar. Ekziston, megjithatë, një mënyrë për t‘i zbërthyer numrat të pasivizimit në baza etnike dhe një burim i rëndësishëm për këtë janë: regjistrat e zgjedhjeve dhe listat e votuesve.

Në Serbi, e drejta për të votuar në zgjedhjet lokale është e lidhur ngushtë me vlefshmërinë e adresës së vendbanimit. Neni 6 i Ligjit për Zgjedhje Lokale e thekson qartë se e drejta për të votuar ose për të qenë i/e votuar në zgjedhje lokale varet nga vlefshmëria e adresës së vendbanimit. Kjo do të thotë se listat e votuesve paraqesin një fakt të rëndësishëm për pasivizimin dhe si rregull aty ku ka numër të madh të personave të pasivizuar duhet të ketë tkurrje të madhe të numrit të votuesve në listat e zgjedhjeve.

(Burimi i informacionit: përllogaritjet e autores në bazë të dhënave: Spisak Upisanih Biraca/Rezultati Lokalnih – Izbora, Opstina Medvegja/Medvedja, 24 June 2012; and Spisak Upisanih Biraca/Rezultati Lokalnih Izbora,Opština – Medvegje/Medvedja, 08.09.2019). Përllogaritja e uljes së numrit të votuesve shqiptarë me përqindje të autores.

Komuna e Medvegjës, pikërisht kjo edhe ka ndodhur

Nëse e krahasojmë numrin e votuesve të regjistruar në zgjedhjet lokale të mbajtura në vitin 2012 me ato të mbajtura në vitin 2019, pra zgjedhjet e para që janë mbajtur që kur Ligji për Vendbanim ka hyrë në fuqi deri më sot, ne mund të vëjmë re se numri i votuesve të regjistruar është ulur në mënyrë drastike: nga 10,102 përkatësisht në 6,602 votues. Gjatë së njëjtës periudhë, numri i këshilltarëve komunalë shqiptarë ka rënë nga 8 në 3.

Kush janë këta afër 4 mijë persona të larguar nga listat e votuesve në Medvegjë?

Autoritet shtetërore serbe janë përpjekur që t’i mbajnë listat votuese rreptësisht të mbyllura veçanerisht për komunën e Medvegjës dhe Bujanocin. Gjatë hulumtimeve të mia dy vjeçare në rajon kam arritë që t’i siguroj këto të dhëna megjithatë; Siç mund të shihet nga tabelat krahasuese 2 dhe 3, numri i votuesve nga fshatrat/vendbanimet me popullsi shumicë absolute shqiptare në Medvegjë ka rënë për 62%, ndërsa në fshatrat/vendbanimet me shumicë absolute serbe vetëm 14%.

Në numra konkret, kjo do të thote se brena 7 vitesh, autoritetet serbe kanë larguar 2,500 votues shqiptarë vetëm nga fshatrat e Medvegjes (pa llogaritur Banjën e Sijarinës dhe qytezën e Medvegjës, të cilat kanë popullsi të përzier etnike). Kjo do të thotë se mbi 70% e personave të larguar nga listat e votuesve në Medvegjë kanë qenë pjesëtarët e komunitetit shqiptar.  Ky numër bëhet edhe më alarmant kur dihet se Nebojsha Arsiq bartësi i listës “Aleksandar Vuçiq – sepse e duam Medvegjën”, është rizgjedhur kryetar i komunës së Medvegjës me gjithësej 2,764 vota në shtator të vitit 2019.

 Numri i madh i shqiptarëve të pasivizuar dhe ulja drastike e numrit të votuesve shqiptarë paraqesin dy fakte të rëndësishme. Ato dëshmojnë se diçka e jashtëzakonshme po nodh në rajonet e banuara me popullsi shqiptare në Serbi. Megjithatë, debati për pasivizim teë motivuar etnikisht në tri komunat më jugore të Serbisë nuk mund të reduktohet në numra.

Prapa çdo numri të pasivizuar qëndron një qenie njerëzore, një histori familjare, dhe një zë i demokracisë në Serbi. Se çfarë pasojash ka pasur pasivizimi i adresave për shqiptarët do të adresohet në pjesën e dytë të këtij artikulli.

Rrëfimet e padëgjuara të shqiptarëve të pasivizuar në Serbi

Gjatë dy viteve të fundit, kam studijuar mbi 1,000 raste të pasivizuar dhe zhvilluar mbi një qind intervista me shqiptarë të pasivizuar nga Medvegja, Presheva, e Bujanoci.

Ajo çfarë kam mësuar nga hulumtimet në rajon është se autoritetet serbe, në radhë të parë Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, nën urdhëra politike nga lartë u kanë fshirë adresat e vendbanimit shqiptarëve pa dallim; atyre që vazhdojnë të jetojnë në tri komunat jugore në Serbi, studentëve shqiptarë të cilët vijojnë studimet në Kosovë, personave me gjendje të rëndë shëndetësore,  pensionistëve, shqiptarëve me vendqëndrim të përkohshëm në Evropë, si dhe atyre me qëndrim të përhershëm jashtë vendit të cilët e kanë lajmëruar rezidencen e tyre në menyrë të rregullt tek autoritetet serbe.

Në bazë të dhënave ekzistuese mund të konludohet se procesi i pasivizimit ekzekutohet me një formulë konkrete: kontestoj faktet e ofruara për vlefshmërinë e adresës së vendbanimit; mos u jep shqiptarëve vendime me shkrim për pasivizim dhe komuniko me palët kryesisht gojarisht, dhe mohoju dokumentet personale dhe pasaporta; por mos lër askund gjurmë me shkrim për këtë mohim.

Nga 1,000 pjesëmarrës të pasivizuar në studim, nga 33 vendbanime shqiptare të shtrira në tri komunat më jugore në Serbi, 510 prej tyre kanë deklaruar se momentalisht janë pa asnjë dokument të vlefshëm të Republikës së Serbisë pasi që autoritet serbe nuk ju kanë vazhduar dokumentet e identifikimit pas skadimit të afatit të tyre.

Rreth 240 persona të pasivizuar janë deklaruar që kanë vetëm një dokument valid të identifikimit, të tjerët kanë qenë në posedim të dy dokumenteve valide të idenftikimit por me status të pasivizuar. Në qoftë se MPB e Serbisë nuk u ripërtërinë dokumentet e identifikimit, të gjitha këta persona të pasivizuar do të kthehen në persona pa shtetësi deri në fund të vitit 2030.

Persona të pasivizuar të cilëve iu janë mohuar në mënyrë sistematike dokumentet e identifikimit kam hasur në tri komunat me shumicë shqiptare në Serbi.

Për Burimin (emri i ndryshuar), një i ri shqiptar nga Malësia e Bujanocit, ky proces është tejet i njohur. Që nga viti 2014, ai ka mbetur pa asnjë dokument valid në Republikën e Serbisë. Pasi që i kishte skaduar letërnjoftimi, ai shkoj për të marrë letërnjoftimin e ri. Siç e kujton ai, megjithatë “kur shkova autoritetet më thanë nuk mund të lëshojmë letërnjoftim të ri sepse ti nuk jeton më rregullisht në fshatin tënd në Bujanoc”. Burimi më pas kishte bërë ankesë dhe ankesa e tij kishte arritur në instanca të larta në Beograd, por deri më sot departamenti përkatës nuk i ka kthyer ndonjë pergjigje: “më kanë pasivizuar jo vetëm adresën e vendbanimit, por edhe ankesën time”, rrëfen ai gjatë intervistës.

Në komunën e Medvegjës, komuna me numrin më të madh të qyetarëve të pasivizuar në Serbi, në disa raste, MPB e Serbisë i ka pasivizuar madje vetëm ata anëtarë të familjes me gjendje të rëndë shëndetësore. Ky shenjëstrim i personave me gjendje të rëndë shëndetësore përbënë një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet t’i alarmojë organizatat për drejta të njeriut në Serbi. Në muajin korrik të vitit 2020, në një deklaratë të gjatë me shkrim, siç dëshmon një qytetar i pasivizuar në karrocë invalidore nga Medvegja, rast i njohur edhe për OSBE-në dhe organizatat tjera ndërkombetare në Serbi:

“Unë duhet të jem pasivizuar pak para zgjedhjeve lokale të mbajtura në shtator të vitit 2019 në Medvegjë, sepse vetëm atëherë e kam kuptuar që me kishin larguar nga lista zgjedhore. Kur shkova të paraqesë kërkesën për aktivizim të adresës, autoritet kompetente në stacion policor më thanë verablisht që jam i pasivizuar, por nuk më dhanë asgjë në të shkruar… isha tejet i shqetësuar… një diskriminim i rëndë nga Republika e Serbisë ndaj meje… unë që kam qenë një qytetar i lindur në këtë shtet dhe i paguaj taska këtij vendi. Janë bërë dy muaj që nga koha kur kam bërë kërkesë, por nuk kam dëgjuar nga MPB. Fakti që jam në karrocë, dhe jemi në mes të pandemisë nuk dukej që i prekte fare”.

 Në muajin nëntor të vitit 2020, këtij qytetari i rëndohet gjendja shëndetësore dhe dërgohet me urgjencë për trajtim në repartin intensiv në Beograd. Në momentin kur pranohet në spital, 30 vjeçari shqiptar në karrocë ka qenë i pasivizuar, pa paspaportë valide, dhe pa sigurim shëndetësor në Serbi. Vetëm pas presioneve nga akterë të ndryshëm, autoritetet serbe detyrohen t’i lëshojnë një sigurim shëndetësor të përkohshëm prej dy muajsh. Mirëpo, paspaporta nuk i vazhdohet e as nuk i jipet ndonjë përgjigje kërkesës së tij për rikthim të adresës.  Ai vdesë 3 javë më vonë.

Se si është e mundur që gjithë familjes t’i jipen pasaporta të reja, por vetëm anëtarit të familjes në karrocë invalidore jo dhe madje vetëm ky anëtar të pasiviziohet, ky është një rast për të cilin ministrja e Serbisë për Drejta të Njeriut dhe të Minoriteteve, Gordana Çomiq nuk dëshiron që të flitet e as të dihet.

Studentët shqiptarë janë një grup tjetër të cilit po u pasivizohen masovikisht adresat nga autoritetet serbe. Kjo paraqet formën më të lartë të diskriminimit ndaj brezave të rinj shqiptar në Serbi, duke qenë se atyre aktualisht nuk ju njihen diplomat e marra nga universitetet e Kosovës, dhe pasivizimi e bën të pamundur kthimin e tyre në vend të origjinës. Në bazë të dhënave të mbledhura nga rajoni, lë të kuptohet se edhe pse këta të rinj i njoftojnë autoritetet kur kalojnë për të studijuar në Kosovë ose Maqedoni të Veriut, kjo nuk çon peshë. Rasti i një studente të mjekesisë nga qyteti i Bujanocit e ilustron këtë qartë:

“I kam informuar me kohë autoritet serbe që do të studijojë mjekesinë në Kosovë. Vitin e ardhshëm do të fillojë specializimin e që do të thotë do t’i kalojë edhe katër vitet e ardhëshme në Kosovë. Unë jam pasivizuar në vitin 2015. Që nga ai vit nuk posedoj letërnjoftim valid, dhe jam shëndrruar de facto në një shtetase të huaj në vendlindjen time. Kam aplikuar tri herë për letërnjoftim në departamentin e MPB në Bujanoc, njëherë më kanë gjetur në shpi, kur kanë ardhur për të verifkuar nëse vërtet jetoj në adresën e deklaruar, por prap më pasivizuan edhe pse më kanë gjetur në shpi. A e imagjioni këtë të ndodhë në një vend tjetër në Evropë sot? Të mos pajisesh me dokumente ose pasaportë sepse shkon për të studijuar në një shtet tjetër?”.

Autoritet serbe nuk i kanë kursyer as të moshuarit shqiptarë nga fshirja e adresave të vendbanimit. Për shkak të moshës së shtyrë, problemeve shendetësore, varësisë nga familjarët e tyre, pasivizimi i adresës ndikon posaçerisht rëndë tek kjo grupë.  Rasti i një gruaje shqiptare mbi 75 vjeçe, nga komuna e Medvegjës, dëshmon se pasivizimi krijon një presion mental tek kjo grupmoshë. Në fjalët e gruas së pasivizuar, e cila pas pensionimit një pjesë të madhe e kalon në Prishtine me nipat dhe mbesat, por ende ka pronë në Medvegjë dhe merrë pension nga Republika e Serbisë, kujtoj ajo:

“Unë jam pasivizuar pa njoftim në vitin 2017, dhe më pas jam larguar pa asnjë njoftim nga lista zgjedhore. Pra, nuk kam mundur që të votoj në zgjedhjet lokale në vitin 2019. Pasi e kuptova këtë fillova një procedurë ligjore. Ministria e Punëve të Brendshme i ka gjetur të gjitha arsyet e mundshme vetëm e vetëm për ta stërgjatur procesin. Kam qenë e lidhur për shtëpi thuajse gati një vit. Policia ka ardhë me verifiku nëse jetoj në adresën e deklaruar dhe dy herë më kanë gjetur në shtëpi. Prap se prap, nuk ma kanë kthyer adresën. E pata angazhuar një avokat serb dhe kam bërë ankesë në Leskoc, por ata nuk i kanë marrë argumentet e mia parasysh”.

Në ndërkohë, pasi që mbetet pa pasaportë valide, kjo e moshuar shqiptare vendosë që të autorizoj vajzën e saj për të marrë pensionin në Serbi në të ardhmen. Kjo ishte një masë preventive sepse siç dihet „nëse nuk keni letërnjoftim valid, nuk mund të merrni pensionin në Serbi“, thotë ajo, por edhe këtë plan nuk arrinë që ta realizojë.

“Vajza ime nuk ka dokumente të Serbisë, por vetëm të Republikës së Kosovës. Kur kam shkuar në departamentin përkatës në qytetin e Leskocit fillimisht nuk ishte problem; natyrisht, më thanë që mund ta autorizosh vajzën që ta merrë pensionin për ty në të ardhmen. Mirëpo, në momentin kur e panë që ka letërnjoftimin e Kosovës, më thanë pritni pak se më duhet të konsulltohem me një kolege, dhe kur u kthye më tha serbisht ‘nuk mundet‘…. kjo është pozita e minoritetit shqiptar në Serbi sot”.

Në komunën e Preshevës, përveç grupeve të lartëcekura gratë shqiptare nga Kosova të martuara në Preshevë kanë raportuar në vazhdimësi se autoritet lokale, departamenti policor respektivisht, po ju çregjistron adresat dhe nuk po ju vazhdon kartelat e identitetit dhe pasaportat. Çfarë do të duhej të ishte pasaporta e tretë, e marrë në Republikën e Serbisë, nuk po i jipet për shkak të statusit të pasivizuar, ndaj një qytetare:

“Kur kam shkuar ta dorezojë pasaportën në stacionin policor në Preshevë, të cilës i skadonte afati brenda një muaji, shkova ta dorëzoj të vjetrin dhe të aplikoj për pasaportën e re. Polici që më pranoi ishte shqiptar. I pagova pagesat (dikund 30 Euro) dhe në momentin kur shkova me dorëzu më thanë: “Ti nuk mundesh me dorëzu aplikacionin për pasaportë të re sepse sipas ligjit të ri, çdo kosovari pas vitit 2008 duhet t’i verifikohet adresa. Pas 10 ditëve erdhën policia me verifiku adresën. Më gjetën në shtëpi, më bënën pyetje për anëtarët tjerë të familjes dhe pastaj shkuan. Në fund, më thanë, të vjen vendimi përmes postës. Vërtetimi erdhi përmes postës, por më kishin shkruar që duhet të jap edhe një deklarate në stacionin policor brenda 8 ditëve. Kur shkova prap, më thanë nuk ke nevojë me dhanë më deklaratë; shko në shpi dhe prite vendimin. Kam pritur 5 muaj dhe tek atëherë më ka ardhur vendimi, e që do të thotë se nuk kam pasur pasaportë valide gjatë gjithë kësaj kohe. Vendimi është kthyer negativ”.

Raste të tilla ku pjesetarët e komunitetit shqiptar i kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore, si ankesën e paraparë brenda 8 ditësh në stacionion policor, nuk kanë marrë vëmendje të duhur. Nëse duam që të kuptojmë se si po zbatohet Ligji për Vendbanim dhe Vendqëndrim në praktikë në rajonet shqiptare në Serbi këto dëshmi duhet të merren parasysh. Në fjalët e gruas nga Kosova e cila u martua para 21 vitesh në Preshevë dhe vjen nga një komunë nga Kosova ku minoriteti serb gëzon drejta të mëdha:

“Ky është një krim i rëndë ndaj familjes time. Çfarë do të thotë nëse unë mbes pa dokumente, burri më vdes, si do të kem qasje unë në pronën time? Unë kam shtëpi, kam pronë në Preshevë”.

(Burim i informacionit: përllogaritjet e autores në bazë të dhënave zyrtare të marra nga: Spisak Upisanih Biraca/Rezultati Lokalnih Izbora, Opština Medvedja, 24 June 2012; and Spisak Upisanih Biraca/Rezultati Lokalnih Izbora, Opština Medvedja, 08.09.2019). Përllogaritjet e uljes së numrit të votuesve serbë me përqindje të autores.

 

Diskriminimi i minoritetit shqiptar në Serbi nga Kosova dhe Shqiperia

Që nga përfundimi i Luftës në Kosovë në vitin 1999, qasja politike  e shtetit shqiptar ndaj minoritetit shqiptar në Serbi ka qenë ajo e një angazhimi minimal. Me përjashtim të disa projekte ad-hoc, nuk mund të flitet as për politika minoritare e as një angazhim të vazhdueshëm të Shipërise dhe Kosovës ndaj minoritetit shqiptar në Serbi. Në kushte anonimiteti, gjatë takimeve të mia me diplomatë ndërkombëtarë në Serbi më është thënë disa herë se “indiferenca e Kosovës dhe Shqipërisë ndaj minoritetit shqitar në Luginë e ka bërë të mundur që një problem si pasivizmi i adresave të shqiptarëve të shkoj kaq largë”.

Shqipëria është një ndër vendet e pakëta, e cila nuk ka marrëveshje “speciale“ për minoritetin e saj me Republikën e Serbisë. Në anën tjetër, Republika e Kosovës, për shkak të mosnjohjes së saj si shtet i pavarur nga Serbia nuk ka mundur që të dialogoj me Serbinë për minoritetin shqiptar; por edhe në ato negociata që ka zhvilluar me Beogradin, përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës asnjëherë realisht nuk i kanë kushtëzuar negociatat për drejta të minoritetit serb në Kosovë me sigurim të të drejtave për minoritetin shqiptar në Serbi.

Kosova e ka bërë të qartë se tërësia territoriale e saj dhe pavarësia nuk guxojnë të rrezikohen. Në praktikë, për minoritetin shqiptar në Serbi, kjo ka nënkuptuar që ata duhet të kerkojnë integrim në institucionet e Republikës së Serbisë dhe se problemet politke të tyre janë dytësore në hierarkinë e problemeve të Kosovës.

Kjo u bë e qartë kur qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj importeve nga Republika e Serbisë, e cila pati më së shumti pasoja për ndërmarrësit nga Lugina e Preshvës, si dhe kur Kosova vendosi të mos njeh pasaportat serbe si dokumente identiteti për shtetatsit e Serbisë të cilët hyjnë në Kosovë, qoftë përmes pikave tokësore ose aeroportit të Prishtinës.

Kishte qenë Serbia ajo që kishte parapri kësaj mase. Mirëpo, kur Kosova vendosi të njëjtin kusht, kjo masë fillon të prekë më së shumti shqiptarët e Medvegjës, Bujanocit, dhe ata të Preshevës. Për shkak të pasivizimit masiv të tyre dhe refuzimit të MPB të Serbisë për t’i pajisur me dokumente identifikimi, një pjesë e madhe e shqiptarëve nga këto tri komuna kishin mbetur vetëm me një dokument të vlefshëm, me pasaportë. Por, Kosova nuk e njihte më pasaportën e Serbisë si dokument identifikimi.

Në krahasim me 20 vitet e fundit, qeveria e Kryeministrit të Albinit Kurtit po dëshmon një qasje të re ndaj minoritetit shqiptar në Serbi. Përveç adresimit të çështjes së pasivizimit të adresave të shqiptarëve, ajo ka ndarë se fundi 2 milionë Euro për shqiptarët e Medvegjës, Preshevës, dhe Bujanocit.

Serbia mund të mos jetë i vetmi vend që ka ligj për pasivizim të adresave të vendbanimit; por Serbia është i vetmi shtet në Evrope sot i cili po keq(perdorë) këtë ligj për të shpopulluar një grup të caktuar etnik me qëllim të ndërrimit të strukturës etnike dhe dëbimit të tyre të përhershëm nga jugu i Serbisë—rajon ky ku minoriteti shqiptar ka prezencë të gjatë historike.

Ne rastin e minoritetit shqiptar në Serbi, abuzimi i autoriteteve serbe me Ligjin për Vendbanim dhe Vendqëndrim ka qenë aq masiv dhe sistematik sa që sot nuk mund të shtrohet më pyetja se “ku jetojnë shqiptarët e pasivizuar”, por “pse nuk mund të jetojnë më shqiptarët e pasivizuar në Serbi”.

[1] Vetem brenda vitit 2016, hiq me pak se 539 persona jane pasivizuar ne Medvegje.

 

Të dhënat për autoren: Dr. Flora Ferati-Sachsenmaier, është bashkëpunëtore Shkencore, në Institutin Max Plank për Studimin e Diversitetit Fetar dhe Etnik në Gjermani.

(Qëndrimet e paraqitura në këtë shkrim nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet editoriale të KALLXO.com)