Fuqia e Një Fjale të Vetme

Isha duke përcjellë emisionet ku shpjegohet puna e Prof. Petro Zhejit të publikuara në YouTube në katër pjesë. Profesori i nderuar tashmë i ndjerë ka zhvilluar një shkencë gjuhësore që e quan Algoritmi Simbolik e cila paraqet artikulimin logjik të mendimit mistik. Profesori ka zhvilluar një algoritëm duke u bazuar në gjuhën shqipe, me formulat e së cilës mund të zbërthehet fjala deri tek funksioni simbolik i saj.

Fjala PËRPARA në gjuhën shqipe ka kuptim diametralisht të kundërt në vetvete. Ajo përdorët për të ardhmen dhe për të kaluarën deri në pafundësi. Por para se të synojmë për ta analizuar këtë fjalë duhet ta dimë se Petro Zheji nuk është i vetëm në këtë mendim mbi gjuhën. Filozofi Austriak Ludwig Uitgenstain (1889 – 1951) autor i “Tractatus Logico-Philosophicus” viti 1921 dhe “Hetimet Filozofike” e publikuar ne vitin 1953 pas vdekjes së autorit, është mbështetës i teorisë mbi gjuhën simbolike funksionale dhe fuqishëm mendonte që fjala është një model miniaturë i atij gjësendi, veprimi, personi apo ideje që i referohet vet asaj. Kjo teori shpjegon njohurinë intuitive që gjuha është përfaqësuese e realitetit sikurse fotografia që paraqet dhe i ngjanë objektit e subjektit të fotografuar.

Bertrand Rasell thonte që Luduig Uitgenstain është një shembull i përkryer i një gjeniu.

Nga kjo mund të nxjerrim mendimin që fuqia e fjalës shkon deri tek njeriu primordial i Petro Zhejit dhe tek gjuha hyjnore e vet krijimit. Tek Gjoni 1:1 Bibla thotë “Ne fillim ishte fjala, dhe fjala ishte me zotin, dhe fjala ishte zoti” Fjala në të njëjtën kohë është edhe zë. Tek Genesis 1:3 ceket: dhe Zoti tha “Le të jetë dritë” dhe ishte drita. Pra sipas Ungjillit zëri ishte para dritës.

Po fjala përpara, ku futet këtu me biblën, kuranin dhe zotin? Sigurisht që ka lidhje, dhe lidhet mu tek e tanishmja. Fakti që PËRPARA paraqet në gjuhën shqipe të ardhmen dhe të kaluarën deri në pakufi, qartë tregon që pika e takimit të këtyre dy ekstremeve është E TANISHMJA. Kjo është pika nga e cila del e kaluara dhe e ardhmja, e ilustruar në figurën më lartë.

Kuptimi real i fjalës PËRPARA, në funksionin e saj, që i jep gjuha shqipe, është gjithçka. Është e gjitha çka është. Dhe nëse pyetni se çka është gjithçka? Ajo është burim i gjithë të kaluarës deri në asgjë dhe i gjithë të ardhmes që do të ekzistoj. Ajo pikë është E TANISHMJA. A ka ndonjë kohë tjetër përveç të tanishmes? A ka ndodhë ndonjëherë diçka në ndonjë kohë tjetër përveç atij momenti kur ai veprim ka ndodhur? Duhet të jetë kohë e tanishme për të ndodhur ai gjë-veprim, apo jo? Çka do që ka ndodhur në momentin kur ka ndodhur dhe çka do që do të ndodhë në të ardhmen do jetë momenti i tanishëm dhe nuk mund të ndodhe në kohë tjetër. Populli thotë “pa ardhë momenti nuk bohet asgjë” dhe sigurisht se kjo është e saktë. Me thoni a ka diçka tjetër përveç momentit, këtij momenti, tani? Asgjë! Asgjë nuk ekziston përtej të tanishmes! Gjithçka përmbahet dhe del nga TANI, që në shqip mund të shpjegohet në gegënishte si TA-NIJË ta dëgjoj/ta ndjejë. Pra e dëgjon/ndjenë zërin. Gjuha angleze përdorë një fjalë shumë të saktë për Të Tanishmen (ang. The Present) por “present” është po ashtu dhuratë. Çdo moment është dhuratë e cila pret të hapet nga njerëzimi. Ajo dhuratë është TANI (The Present).

Të shohim tani pak ca nga aspekti i shkencës se çka nënkupton e tanishmja duke e futur në filtrat ekzakte.

Ka dy teori fizike si shtylla kryesore te shpjegimit të botës tonë. E para është ajo që quhet Makro Fizika dhe e dyta është ajo që quajmë Mikro Fizika.

  1. Teoria e Relativitetit e Ajnshtajnit është baza e të kuptuarit modern se si funksionon gjithësia, kjo teori provon ndër të tjera që koha është relative varësisht nga pika referente dhe se përjetimi i kohës nga njeriu është si pikë referente e veçantë për secilin nga ata. Çka është e kaluara apo e ardhmja për njërin mund të jetë tërësisht e kundërta për tjetrin dhe kështu nxirret përfundimi dhe provohet nga aspekti matematikor se e gjithë ajo që përjetohet nga njeriu si KOHË është në një pikë të vetme d.m.th të gjitha kohët ekzistojnë në një pikë. Ajo pikë është TANI. Por e tanishmja vet nuk ka kohe. Koha përbehet nga ajo qe përjetojmë nga një moment në tjetrin.
  1. Teoria e fizikes kuantike dhe qudia e “Quantum entanglement” ku fenomeni fizik i cili paraqitet kur dy grimca apo grupe te grimcave komunikojnë në atë mënyrë që gjendja kuantike e tyre nuk mund të përshkruhet e izoluar por shpjegohet vetëm si gjendje kuantike për sistemin në tërësi. Pak më thjeshtë i bie që kur matet grimca themelore në mënyrë të menjëhershme ndikon në grimcën tjetër edhe po qe se distanca mes tyre është ekstreme, që nënkupton që grimcat themelore komunikojnë përtej shpejtësisë se dritës dhe ky fakt e ka thyer logjiken normale të shpjegimit të botës fizike. Pastaj përveç kësaj secila grimcë vepron si valë (energji) deri sa vrojtuesi nuk tenton ta përllogarisë grimcën me mjete matëse me ç’rast paraqitet si grimcë (materie fizike). Këto grimca mund të jenë në shumë vende në të njëjtën kohë dhe se në nivelin kuantik nuk ekziston koha. Bile, bile ka teori qe thonë se ekziston vetëm një grimcë dhe të gjitha të tjerat janë kopje e së parës, duke tentuar kështu të shpjegohet arsyeja pse grimcat komunikojnë përtej shpejtësisë së dritës. Atë botë, kjo i ka hutuar shkencëtaret dhe ende vazhdon ta bëjë këtë edhe pas 100 viteve. E tërë gjithësia është e përberë nga këto grimca. Njeriu përbëhet nga të njëjtat grimca.

D.m.th esenca e qenësisë njerëzore dhe çdo gjëje tjetër është grimca e cila në fakt është valë (energji) dhe është grimcë (materie) vetëm kur vështrohet nga vrojtuesi. Poshtë, tek bota kuantike koha nuk ekziston. Këto grimca, të organizuara ashtu siç janë, formojnë atomin, molekulën, qelizën, ADN-ën dhe njeriun. Në të njëjtën kohë gjithçka rreth neve është dëshmi që koha ekziston. Njeriu plaket dhe vdes. Gjithçka çka është pëson ndryshime e transformohet siç thotë teoria e relativitetit te Ajnashtajnit. Atëherë si është e mundur që qenësia jonë nuk i nënshtrohet ligjeve të njëjta fizike!? Në ketë nivel ekzistence ka ligje tjera fizike, këtu koha përjetohet si e tillë, por në esencën e saj, siç u vërtetua me lartë, ajo nuk ekziston.

Krejt çka ekziston është TANI dhe krejt çka ka qenë dhe si do të jetë në të ardhmen është ajo çfarë përmbahet në funksionin e fjalës PËRPARA sipas kuptimit në gjuhën shqipe. Fjala përpara nuk bënë diferencime të këtyre dy botëve shkencore.

  1. Edhe nga aspekti i spiritualitetit nga e cila rrjedhin edhe religjionet mësojmë të njëjtën gjë. Ky kuptim nuk ka asnjë kundërshti, përkundrazi paraqet harmoni totale me të kuptuarit e botës që rrjedh prej mësimeve të lashta shpirtnore si dhe nga të kuptuarit shkencor të kohës së tanishme. Këto shpjegime filozofike te cilat janë paketuar në forma te ndryshme të të shkruarit nga shumë njerëz gjatë historisë njerëzore, ku më të njohurit janë Buda, Jesusi, Muhamedi, Rumi, Antoni De Melo, Alan Uats, Ekhart Tolle etj., që na mësojnë se e gjithë e kaluara dhe e ardhmja përmbahen në një pikë të vetme dhe asgjë nuk është e ndarë nga tërësia. Në Ungjill Zoti thotë “Une Jam Ai që Jam”. Edhe në këtë thënie nuk ekziston koha. Nuk thotë unë jam Zoti apo Zot Fisteku, por thotë “Unë Jam Ai që Jam”. Nuk thotë unë kam qenë, jam dhe do të jem sepse kjo atëherë do të përmbante kohë në vete. TANI nuk ka kohë sepse secila kohë që ekziston ndodhë vetëm në TANI.

Sa për një ilustrim po i përmendi dy sisteme socio-ekonomike që kanë udhëhequr njerëzimin në shekullin 20 dhe vazhdojnë ende edhe tani. Që të dy sistemet sakrifikojnë të tashmen për një mendim/ide mbi të ardhmen. Sistemi Komunist ishte një mendim i mirë në vetvete por vazhdueshëm ka sakrifikuar të tanishmen duke bërë krime të mëdha me arsyetim të një ideje, një mendimi për të ardhmen, por në fakt duke sakrifikuar të tanishmen sakrifikon të ardhmen.

Kapitalizmi si mendim apo ide, bënë të njëjtën gjë. Ideja kapitaliste e rritjes eksponenciale, në një botë me burime të kufizuara, në llogari të së ardhmes po abuzon me të tanishmen aq shumë duke i shtyrë të gjithë të shpejtojnë diku në një te ardhme fiktive të mendjes dhe askush nuk ndalet të shikon përreth. E tanishmja shfrytëzohet vetëm si pikë për të vrapuar diku në të ardhmen. Mbi këto dy sisteme është një sistem edhe më i lartë që prodhon këtë polarizim dhe shtyn shoqërinë në një garë të paqenë por e besuar. Ky grup janë bankierët dhe degatët e tyre që udhëheqin qeveritë, të cilët vazhdueshëm shesin të ardhmen e cila konsumohet nga vet ky grup tani. Ndërsa masat janë në gjumin e tyre mbi ardhmërinë me vëmendjen e zhvendosur në të ardhmen, e tanishmja ju vidhet para syve.

Një urtak nga Prishtina thoshte “Rri ku je, se bjen ku s’je” edhe kjo thënie përmban atë çfarë u tha më lartë. Edhe në këtë thënie nuk ekziston koha. Ajo tërheqë vëmendjen që të qëndrosh në të tanishmen se po e humbe atë, bie aty ku s’je. Duket si ai momenti kur njeriu humbet në mendime dhe bie në gjendje gjumi dhe kthehet nga ai gjumë vetëm kur vëmendësohet për të tanishmen.

Tani, kur muhabeti arriti këtu, shumica do ta pyesin veten, po Brexit ku futet këtu? Unë ju them juve, ju lutem kthehuni në fillim të shkrimit dhe fjalën Brexit zëvendësoje me BUKURISË. “Para Bukurisë dhe pas saj ne duhet të shikojmë përpara” dhe do te shihni qe nuk flitet për Brexit por për fuqinë e fjalës “Përpapra”. Ky eshte ilustrim i mekanizmit se si mendja mund ta hedhë njeriun jashtë kontestit me një zhvemendesim të qëllimshëm. Përafërsisht ky është mekanizmi që përdoret për ta sunduar botën tani ndërsa mendjet tona janë tek Brexit dhe e gjitha ajo fotografi rreth tij.

Se qysh mu lidhën prapë fjalët e urtakëve të odave me shkencën ekzakte dhe me mësimet më të vjetra shpirtnore në planet. Ndoshta edhe jemi te vjetër ashtu siç thotë Petro Zheji përmes algoritmit simbolit të tij. Të shohim përpara tani!

Shkëlzen Dhomi, i lindur në Prishtinë

Të 90tave ka studiuar Pikturën në Akademi të Arteve

Në 2010tat ka studiuar Juridikun

Nga viti 2014 jeton në Kanada

Dikur Samuraj i asfaltit të Prishtinës

Kërkues dhe dashamir i dijes